Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgaz Sh.a. dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP AG), nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi dhe Dorëzimi për Objektin e Seksionit Jugor në Fier. TAP do të projektojë, prokurojë dhe ndërtojë pikën e daljes së gazit në Fier, një investim shumë milionë Euro. Sipas marrëveshjes, pasi ndërtimi i pikës së daljes së gazit në Fier të ketë përfunduar, pika e daljes së gazit do t'i dorëzohet shtetit shqiptar dhe do të jetë në pronësi, menaxhim dhe operim të plotë të tij.
Ndërtimi i strukturës së re është një moment historik për gazifikimin e Shqipërisë, pasi do të mundësojë një pikë interkonjeksioni midis sistemit të transportit TAP dhe infrastrukturës së ardhshme të gazit në Shqipëri.
Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm Kryeministri, Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri dhe Drejtori i Albgaz, Arbër Avrami.
Pika e re e daljes së gazit në Fier do të ofrojë një pikë hyrëse strategjike, për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, në rezervat e gazit në rajonin e Kaspikut. Ajo do të ndërtohet jashtë stacionit të kompresorit të TAP në Fier, do të ketë kapacitet të zgjerueshëm dhe mundësinë e rrjedhës së gazit në dy drejtime. Pika e daljes së gazit, që do të ndërtohet nga TAP, do të përfshijë gjithashtu struktura për uljen e presionit dhe për matjen fiskale të prurjes së gazit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si një ndër hapat e shumta drejt synimit për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues të energjisë. “Sot është një nga shumë stacionet e një rrugëtimi që vazhdon për ta kthyer Shqipërinë praktikisht në një eksportues neto të energjisë, dhe në të njëjtën kohë për ta bërë vendin tonë një hapësirë burimesh të ndryshme, të larmishme, të prodhimit të energjisë duke futur më në fund edhe një komponent tjetër në jetën ekonomike dhe sociale të vendit të munguar historikisht, siç është gazi”, tha Rama.
Ministrja Belinda Balluku, teksa vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes theksoi se një ndër synimet kryesore gjatë mandatit të tretë qeverisës është gazifikimi i vendit. “Gazifikimi i vendit është një nga synimet kryesore që ne do të kemi edhe në mandatin e tretë. Po punojmë për të sjellë risi në fushën e gazifikimi të vendit dhe në fushën e prodhimit të energjisë në bazë të gazit, siç është tashmë një marrëveshje e cila do të përfundojë ditët në vazhdim, një memorandum që shkruhet pas një jave me dy nga kompanitë më të mëdha në fushën e naftës dhe gazit amerikane siç është Exxon Mobil dhe Eksleri Poëer, të cilat kanë treguar interes shumë të madh për të ringritur në këmbë termocentralin e Vlorës dhe jo më teknologjinë ekzistuese, por me një teknologji moderne të gazit të lëngshëm”, nënvizoi Balluku.
Për drejtorin e Albgaz, “kjo pikë dalëse është e një rëndësie të veçantë pasi nuk do të jetë vetëm pikënisja e gazifikimit të Shqipërisë jugore, por jemi shpresëplotë që do të jetë një nyje e rëndësishme e diversifikimit të resurseve energjetike, e cila jo vetëm do të garantojë sigurinë e furnizimit me gaz të vendit tonë, por gjithashtu do të jetë një portë dhe nyje e zhvillimit të sektorit energjetik rajonal”.
Luca Schieppati, Drejtori i Përgjithshëm i TAP-it, në një lidhje direkte nga Italia u shpreh: “Në përputhje me misionin dhe vizionin tonë, ne jemi të lumtur që TAP vazhdon të mundësojë diversifikimin dhe sigurinë e furnizimit me gaz, duke siguruar një mundësi reale për një burim të ri, të besueshëm, të energjisë, të përballueshëm dhe më të pastër në Shqipërinë dhe Evropën Juglindore në të ardhmen. Pika e daljes së gazit në Fier është një aset thelbësor, i cili do të lehtësojë udhën drejt tranzicionit energjetik të Shqipërisë.”
Malfor Nuri, Drejtor i TAP për Shqipërinë, shtoi se: “ Ky është një kontribut i rëndësishëm i TAP për Shqipërinë. Pika e daljes së gazit në Fier nuk do të shërbejë vetëm për zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend, por do të forcojë ndjeshëm rolin gjeostrategjik dhe tregtar të Shqipërisë në rajon.
Pika e daljes së gazit në Fier përforcon rolin e TAP në zonën e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm si një Operator i besueshëm i Sistemit të Transmetimit (OST) por edhe si një partner aktiv në tranzicionin energjitik të Evropës.