Kombëtarja e Shqipërisë për 17-vjeçarët
Shqipëri-Portugali, sot në ora 18:00, nis kampionati evropian i 17-vjeçarëve që për herë të parë mbahet në vendin tonë
Sot në Arenën Kombëtare në Tiranë do të nisë Kampionati Evropian U-17, i cili për herë të parë zhvillohet në Shqipëri.
Tetë ekipe kombëtare, përfshirë Shqipërinë si mikpritëse, janë ndarë në dy grupe që do të luftojnë për të arritur deri në finalen e madhe që do të mbahet më 1 qershor në Tiranë.
Ndeshjet do të zhvillohen në katër stadiume ku përveç Arenës Kombëtare, ekipet do të zbresin në fushë në Elbasan Arena, Egnatia Arena dhe Niko Dovana në Durrës.
Si vend pritës, Shqipëria do të jetë e para që do të dalë në fushë, duke sfiduar Portugalinë në orën 18:00 në Arenën Kombëtare. 17-vjeçarët shqiptarë, të udhëhequr nga Andrea Tedesco, do të kenë mbështetjen e rreth 8 mijë tifozëve për këtë përballje të rëndësishme.