Letërsi

RECENSË nga Erika Melonashi për “Psikologjia e zhvillimit të adoleshentëve”, botim i UETPRESS: Guidë për çdo familje

Shkruar nga Liberale

RECENSË nga Erika Melonashi për “Psikologjia e zhvillimit

Nga prof. asoc. dr. Erika Melonashi

Realiteti shqiptar mbart problematika të shumta me natyrë psikosociale, të cilat shoqërohen në shumicën e rasteve me përpjekje (profesionale ose jo), për t’i shpjeguar apo trajtuar. Zhvillimi dhe edukimi i brezit të ri përfaqëson ndoshta dimensionin më të prekur në këtë kontekst, ku vazhdimisht dalin në pah çështje si agresiviteti në rritje mes fëmijëve dhe adoleshentëve, përdorimi i substancave narkotike, arritjet e ulëta akademike, mungesa e motivimit etj. Profesionistët e shëndetit mendor, prindërit dhe mësuesit vazhdimisht përballen me situata “të vështira” në shkollë dhe familje, ku mirë-menaxhimi është fjala kyç.

Pavarësisht se adoleshenca pothuajse në të gjitha kulturat mbarë botës përfaqëson një stad zhvillimor ‘krize’, studimet kanë treguar se faktorët kontekstual social-kulturorë luajnë një rol tepër të rëndësishëm në përcaktimin e formave apo intensitetit të shfaqjes së sjelljeve problematike. Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm luan informimi dhe edukimi, në lidhje me këtë stad të rëndësishëm zhvillimor, për target grupet e përfshira drejtpërsëdrejti si prindërit, mësuesit apo psikologët shkollorë, por edhe më gjerë tek studentët, studiuesit e fushës apo politikëbërësit.

Monografia “Psikologjia e zhvillimit të adoleshentëve” nga Dr. Ida Kruti mund të cilësohet si kontributi i parë gjithëpërfshirës në gjuhën shqipe, i cili fokusohet mbi këtë stad specifik zhvillimor duke pasqyruar një analizë të detajuar të adoleshencës si në rrafshin teorik edhe atë empirik. Pavarësisht se libri është shkruar me stilin akademik, ai është i kuptueshëm dhe i qartë edhe për lexuesin e thjeshtë që ka interes intelektual për këtë stad zhvillimor. Pjesa e parë e librit përfshin një vështrim të gjerë teorik në lidhje me adoleshencën si stad zhvillimor i individit. Teoritë klasike të psikologjisë së zhvillimit nga figura të rëndësishme të fushës si Erik Erikson, Jean Piaget, Lev Vygotski apo Uri Brofenbrenner vendosin një kontekst teorik, mbi të cilin ngrihet vertikalisht pjesa tjetër e librit.

Teoritë risillen në formë analitike, çka nxit mendimin kritik tek lexuesi dhe i jep librit natyrën akademike të përshtatshme për t’u përdorur edhe në kontekst universitar. Në këtë aspekt, kjo monografi është veçanërisht e dobishme për pedagogët dhe studentët e psikologjisë apo disiplinave të ngjashme, si edukimi dhe puna sociale.
Dimensionet e ndryshme të zhvillimit të adoleshentit - përfshi zhvillimin fizik, kognitiv dhe social - trajtohen veçmas, duke dhënë një pasqyrë të qartë multifaktoriale të trajektores zhvillimore gjatë viteve të adoleshencës.

Autorja vendos fokus të veçantë mbi proceset kognitive dhe format e arsyetimit tek adoleshentët, çka përbën një element mjaft të dobishëm në përgjigje të pyetjes “Si mendojnë adoleshentët?” Dy dimensione të tjera tepër të rëndësishme në kontekstin e shëndetit fizik dhe mendor të adoleshentëve përfshijnë zhillimin emocional dhe atë psikoseksual, të cilët ndikohen nga një shumëllojshmëri faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm.

Analiza e detajuar e këtyre dimensioneve zhvillimore dhe faktorëve ndikues hedh dritë mbi aspekte të ndryshme të trajektores zhvillimore tipike si dhe devijimeve të mundshme. Kapitulli mbyllet me një analizë të thelluar mbi formimin e identitetit, faktorëve të personalitetit si dhe identitetit në kontekstin social, çka shërben si një urë për kapitullin pasardhës, i cili fokusohet më tepër mbi influencën e faktorëve të jashtëm.

Aspekti social dhe faktorët mjedisorë diskutohen gjerësisht në kapitullin pasardhës, i cili trajton në mënyrë specifike adoleshentin në kontekstin familjar, shkollor e komunitar. Problematikat e ndryshme të cilat lindin me prindërit, mësuesit apo bashkëmoshatarët trajtohen duke sjellë studime empirike nga vende e kultura të ndryshme. Ajo çka e bën mjaft të veçantë këtë pjesë të librit është përfshirja e çrregullimeve të ndryshme, si ankthi, depresioni apo çrregullimet e të nxënit.

Diskutimi në lidhje me simptomat e këtyre çrregullimeve përbën një rëndësi të madhe në identifikimin dhe trajtimin e duhur të tyre pikërisht në këtë stad zhvillimor. Në këtë kontekst, ky kapitull ka një rëndësi të veçantë për prindërit dhe mësuesit të cilët mund të shërbejnë si identifikuesit apo referuesit e parë të këtyre problematikave të adoleshentëve te profesionistët e shëndetit mendor.

Dy prej sjelljeve problematike kryesore gjatë adoleshencës, përfshi agresivitetin dhe përdorimin/abuzimin me substanca trajtohen gjerësisht ne kapitullin gjashtë. Autorja ndalet te faktorët ndikues/nxitës të këtyre sjelljeve duke sjellë koncepte teorike, por edhe studime empirike që hedhin dritë mbi proceset e përfshira. Identifikimi i indikatorëve për këto sjellje problematike dhe adresimi i tyre në kohë përbëjnë kontributin më të rëndësishëm të kësaj pjese të monografisë, e cila vendos kontekstin për pjesën e fundit ku përfshihen reflektime mbi kontekstin shqiptar.

Kapitulli përmbyllës i librit i jep lexuesit një panoramë të qartë mbi kontekstin shqiptar, duke filluar me një këndvështrim historik dhe social-kulturor mbi adoleshencën si koncept. Kjo pjesë pasurohet me studime empirike nga konteksti shqiptar, dhe të dhëna konkrete në lidhje me problematika si agresiviteti, delinkuenca, etj. Diskutimi zgjerohet me përfshirjen e kuadrit ligjor shqiptar mbi trajtimin e sjelljeve delinkuente, duke informuar lexuesin në lidhje me llojet e ndryshme të shërbimit dhe format e trajtimit.

Kjo pjesë e fundit e librit ngre pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me efektivitetin e adresimit të problematikave të adoleshentëve në kontekstin shqiptar, duke propozuar njëkohësisht alternativa të mirë-informuara empirikisht për të përmirësuar situatën dhe rekomandime për politikëbërësit.

Në përfundim, kjo monografi përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në kontekstin akademik duke qenë një burim i rëndësishëm informacioni të përzgjedhur me kujdes në ndihmë për gjithë studiuesit të cilët fokusohen mbi stadin zhvillimor të adoleshencës. Studentët dhe kërkuesit shkencorë mund të gjejnë në këtë libër një bibliografi të zgjedhur dhe vlerësuar me kujdes, çka përbën themelin e çdo studimi shkencor të niveleve të larta.

Përtej auditorëve të universiteteve, kjo monografi mund të jetë veçanërisht e dobishme për mësuesit e shkollave të mesme, të cilët përballen çdo ditë me adoleshentët dhe problematikat e tyre, si edhe prindërit të cilët kanë sfidat e përhershme të menaxhimit me sukses të këtij stadi zhvillimor.

Së fundmi, vetë adoleshentët - të cilët janë duke u përballur me tronditjet hormonale, emocionale e sociale karakteristike të këtij stadi zhvillimor - mund ta konsiderojnë këtë libër si një guidë të dobishme për të kuptuar dhe për t’u ndërgjegjësuar në lidhje me shumë aspekte të formimit të vetes. Në këtë aspekt, autorja ka realizuar një botim cilësor dhe tepër të dobishëm në kontekstin shqiptar, i cili mund të shërbejë padyshim gjerësisht si brenda dhe jashtë auditorëve të universitetit.

* Parathënia e librit të psikologes Ida Kruti "Psikologjia e zhvillimit të adoleshentëve" botuar nga UETPREES

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH