Ministri Hugh Gladney Grant, i emëruar në krye të Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dërgoi më 24 maj 1939 Sekretarit Amerikan të Shtetit një dokument me përmbledhjen e të gjitha ngjarjeve që çuan në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill të 1939-ës.
Zoti Sekretar i Shtetit,
Mund të thuhet se pushtimi italian i Shqipërisë dhe rrëzimi i Mbretit Zog nga froni, ishin akti kulmor që erdhi pas një incidenti me organizatorin fashist italian të rinisë, komandantin Giovanni Giro.(76)
Giroja ishte një ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Fashiste në Romë. Ai intrigoi kundër Mbretit Zog, duke u hequr se kishte ardhur në Shqipëri për organizimin e rinisë shqiptare në linjat fashiste. Giroja bashkëpunoi me disa shqiptarë, si Jak Koçi, anëtar i Parlamentit dhe mik i Mbretit, i cili me sa duket u pagua nga italianët për shërbimin e bërë.
Pak më vonë, komploti kundër Mbretit u denoncua nga njëri prej krerëve malësorë të Madhërisë,(77) i cili thuhet se kishte marrë një shumë të madhe parash nga Giroja.
Zogu mobilizoi menjëherë 4748 rezervistët e ushtrisë, dëboi Giron, dëboi edhe Koçin nga Shqipëria. Këto ngjarje ndodhën rreth mesit të shkurtit 1939. Ato shënuan fillimin e fundit të regjimit të Zogut, ndonëse në të vërtetë ishin hallkat përfundimtare në zinxhirin e gjatë të marrëdhënieve italo-shqiptare, të cilat ishin farkëtuar nga Italia hap pas hapi, gjatë një periudhe shumëvjeçare.
Për këtë zinxhir, në dosjet e Departamentit të Shtetit gjenden shumë kabllograme, telegrame sekrete dhe raporte të dërguara nga kjo legatë. Unë do të shtoj vetëm disa komente, megjithëse objektivi im kryesor është të hartoj për arkivin e Departamentit një rrëfim kronologjik të ngjarjeve kryesore që lidhen me pushtimin italian të Shqipërisë, me rrëzimin e qeverisë së Mbretit Zog dhe me vendosjen e regjimit italian, ashtu siç e dëshmova me sytë e mi në cilësinë e shefit të misionit amerikan në Shqipëri.
Tensioni politik pas dëbimit të komandantit Giro në shkurt, vazhdoi edhe gjatë muajit mars.(78) Në qarqet zyrtare ekzistonte një frikë dhe ankth i fshehtë për të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë, kjo mendohej se ishte pjesërisht rrjedhojë e tensionit të përgjithshëm në krejt Europën, që erdhi për shkak të krizës çekosllovake në shtator, të gjendjes së pasigurt në Spanjë, të kërkesave italiane ndaj Francës dhe më në fund të pushtimit nga Hitleri të Çekosllovakisë më 14 mars dhe të ultimatumit gjerman për territorin Memel (të Lituanisë) më 22 mars. Dëbimi i Giros erdhi pas atij që u quajt komplot komunist kundër qeverisë shqiptare më 10 shkurt, me shpalljen fajtorë dhe dënimet me burgim të 50 shqiptarëve.(79 )
Në një atmosferë të tillë ishte e pritshme që thashethemet, të cilat gjithnjë qarkullojnë në Shqipëri, të shtoheshin ndjeshëm. Megjithatë, në këtë periudhë për të cilën po flasim, sidomos 49 gjatë ditëve të fundit të marsit, dukej më e vështirë se sa zakonisht për t’u gjetur zanafillën fakteve që lidheshin me gjendjen në vend. Zyrtarët shqiptarë, të njohur për metodën orientale të fshehjes së kartave, ishin bërë më misteriozë se zakonisht. Ishte praktikisht e pamundur të nxirrje gjësendi prej tyre. Ata flisnin tërë ditën për banalitete dhe i shmangeshin me marifet çdo pyetjeje të drejtpërdrejtë që lidhej me politikën shqiptare.
Sidomos gojëkyçur ishte ministri i Jashtëm, Ekrem Libohova, i cili prej një kohe të gjatë shihej gjerësisht si italofil. Për shembull, më 3 prill, katër ditë përpara zbarkimit të trupave italiane, Libohova i tha ministrit të Turqisë (80) gjatë një takimi në mesnatë, se “në negociatat mes qeverive shqiptare dhe italiane po diskutoheshin vetëm çështje ekonomike.” Mirëpo, një ditë përpara, të dielën më 2 prill, ministri i Italisë, Jacomoni, që sapo ishte kthyer nga Roma, i kishte dorëzuar Mbretit Zog një projekt, të cilin, siç doli më vonë, Mbreti e kishte hedhur poshtë me arsyen se ai e kthente Shqipërinë në një protektorat. Ndërkohë, konsulli italian në Vlorë kishte njoftuar publikisht se trupat italiane do të zbarkonin në Shqipëri në 4 ose 5 prill.
Pohimi më pranë së vërtetës që munda të nxjerr nga ministri i Jashtëm, kur ai iu përgjigj pyetjes sime konkrete, nëse Italia kishte kërkuar protektorat mbi Shqipërinë, ishte deklarata që m’u bë të hënën më 3 prill në orën 16:30: “Nuk është e vërtetë se Italia ka kërkuar protektorat mbi Shqipërinë deri në këtë çast.”(81)
Referenca
76. Ministri Grant e ka fjalën për mbledhjen e 12 shkurtit 1939 në shtëpinë e Jak Koçit, ku Giroja u përpoq të rekrutojë njerëz për të vrarë Mbretin.
77. Murat Kaloshi.
78. Telegram i ministrit Grant për Sekretarin e Shtetit, 4 mars 1939, NACP.
79.Shih kabllogramin e ministrit Grant nr. 832 të 28 shkurtit 1939. Shih gjithashtu telegramin nr. 52 të 11 shkurtit 1939, ora 11:00.
80. Hulusi Foat Tugay.
81. Nënvizimi është i ministrit Grant.
*Shkëputur nga “Pushtimi, Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” me autor studiuesin Ilir Ikonomi, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS