Letërsi

PROLOGU i librit “Rugovën, si e kam njohur”, botim i UETPRESS: Lideri-intelektual që i mungon shtetit shqiptar

Shkruar nga Liberale

PROLOGU i librit “Rugovën, si e kam njohur”, botim i UETPRESS:

E ndërsa Kosova i afrohet 17 shkurtit dhe 17 vjetorit të pavarësisë, është me rëndësi të rikujtomë se lirinë dhe mëvetësinë nuk ia dhuroi kush. Ajo u sendërtua falë vullnetit, sakrificës, vetëmohimit, patriotizmit dhe atdhedashurisë së qindra e mijëra jetëve që luftuan me forma e mënyra të ndryshme. Një prej atyre kontributorëve të pashoq ishte edhe Ibrahim Rugova, presidenti i parë dhe më jetëgjatë i Kosovës.

Njeriu i letrave dhe gjuhës shqipe mori në dorë politikën dhe partinë e parë shqiptare të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të rrugëtuar në kohët më sfiduese të këtij shteti, përmes betejave politike e ushtarake, deri në shpalljen e pavarësisë.
Pavarësisht se u nda nga jeta një vit para se të shpallej Pavarësia e Kosovës, ai tashmë kishte shtruar rrugën e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës rajonale e evropiane.

Autori kosovar Gani Mehmetaj, fitues i Çmimit Kadare, sjell në librin “Rugovën, si e kam njohur”, botim i UETPRESS, takime, përjetime, ngjarje, copëza historie e rrëfime mbi rrugëtimin aspak të zakontë të Ibrahim Rugovës.

ISMAIL KADARE: RUGOVA, KOLOSI I BRISHTË I KOSOVËS

“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. Presidentë të tillë, pa armë, pa zyrë, pa ushtri, mund të nëpërkëmben nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtetë, serbëve u ka pëlqyer gjithmonë të tallen kësisoj. E megjithatë, ky president është pritur prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota diçka ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit… Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet. ...Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij, menjëherë pas luftës; ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq”. (RTK, Zëri, KultPlus)

TONI BLER: RUGOVËS IA DHASHË BESËN TIME, FJALËN E NDERIT, QË E MBAJTA

Më kujtohet në vitin 1998, një vizitë e Ibrahim Rugovës në Dauning Strit. Ishte një person i heshtur dhe modest. Erdhi me një dhuratë të vogël, me një kristal të bardhë dhe të purpurt. E mbajta gjatë gjithë kohës që shërbeva në Dauning Strit, në tavolinën time. Tani e kam në këndin e suvenirëve në shtëpinë time. Më tha të vërtetën për Kosovën, për luftën e popullit të vet, për nevojën që bota ta dëgjojë këtë popull, dhe të veprojë. Nuk bërtiti, nuk foli me slogane ose me gjeste ekstravagante. Foli vetëm butë, mirëpo me sinqeritetin më mbresëlënës. Dhe teksa po dilte, më tha: “Të lutem, një gjë po e kërkoj: Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë më. Ndjej për ta, atë që do të ndjeje për popullin tënd”. I thashë se Britania do të ndihmonte, ia dhashë besën time, fjalën e nderit, që e mbajta. (Nga fjala e Toni Bler, në Kuvendin e Kosovës)

PROLOGU I LIBRIT NGA AUTORI GANI MEHMETAJ

Ibrahim Rugova nuk ishte figurë rastësore. Nuk ishte as meteor, që ndriçon me farfuri e shuhet në heshtje. Personaliteti i tij u krijua në një kohë të gjatë. Student i Prishtinës, specializant i Parisit, shkolla franceze e shquante me risitë e qasjes letrare, me frymën Perëndimore, e kundërta e shkollës jugosllave që ishte një përzierje mes zhdanovizmit sovjetik dhe diktaturës së socializmit “vetëqeverisës”- socializëm tinëzar që të shtypte në heshtje.

Ishte i pazakontë interesimi i Rugovës për Pjetër Bogdanin, kolosin e letërsisë shqipe dhe prijës i kryengritjes më të madhe shqiptare kundër Perandorisë Osmane, pas Gjergj Kastriotit.

Koha e nxori në sipërfaqe, por Rugova nuk priti, i priu kohës. U shqua me angazhimin, guximin, largpamësinë dhe maturinë, që nuk i kishin prijësit e tjerë para tij.
Djalë jetim nga i ati, Ukë Rugova - që ia pushkatuan partizanët serbë, sepse ishte në krahun e nacionalistëve, - ai u rrit në ambientin e nderë të terrorit, vrasjeve të pas Luftës së Dytë Botërore, dëbimit të shqiptarëve në Turqi dhe ndjekjeve të UDB-së. Shkollimin e kreu në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar në Parisin e Roland Barthes.

Pas demonstratave të marsit 1981, nisi terrori i dytë ndaj shqiptarëve. Të drejtat dhe liritë kombëtare u shkelën me tanke, u shpërbë dyfytyrësia e pushtetit “të moderuar” jugosllav, shkriu demagogjia e vëllazërim-bashkimit. Sulmet ndaj çdo gjëje kombëtare-vendëse, nisën me furi: lumenj urrejtjeje, armatë diferencuesish komunistë që dëbonin intelektualë nga puna, akuzonin të tjerët dhe bënin gati fletë-arrestet për të tretët. Ndërkohë, policia federale jugosllave kishte vrarë qindra studentë e të rinj, arrestuar mijëra të tjerë. Një armatë të rinjsh shqiptarë vendës ia mbathën përtej kufijve, nga frika e terrorit.

Koha u bë e rëndë, e papërballueshme, mizore, por edhe epike me shembuj të shumtë të flijimeve e të qëndresës. Gjatë kësaj periudhe dramatike, më takoi shpeshherë të jem në të njëjtat përpjekje me Ibrahim Rugovën, personalitetin më të madh politik që patën shqiptarët në shekullin XX. E ndoqa kur ishte në ndriçimin e fuqishëm të prozhektorëve të medieve botërore, kur kishte simpatinë e popullit dhe kërcënimet e vazhdueshme të Beogradit. Isha dëshmitar edhe kur kalonte situata të rënda, që zor se do t’i përballonte ndokush tjetër. Ai e përjetoi Golgotën si shumica e shqiptarëve të Kosovës, shkeli këmbëzbathur nëpër prushin e ndezur, por u ngrit thuajse nga hiri, mu si populli i tij, atëherë kur zemërligjtë menduan se nuk do të ngrihej më.

Njëra ndër meritat kryesore të Ibrahim Rugovës ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, miqësia me burrështetasit më të fuqishëm të botës, mençuria e maturia në udhëheqjen e popullit që i besonte.
Ndërkaq, përtej alpeve shqiptare, shkrimtari i famshëm Ismail Kadare doli në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, si asnjë shkrimtar tjetër shqiptar.

Në shenjë hakmarrjeje, me urdhër të Beogradit, librat e Kadaresë u tërhoqën nga plan programet shkollore dhe nga libraritë, në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi.
Ibrahim Rugova, kritik letrar, kritikoi qëndrimin e Pleqësisë Krahinore për heqjen e veprave të Kadaresë dhe të Mark Krasniqit. Në debatin që zhvilloi në tribunë, ai tha se të krijosh kulturën tënde nuk është provincializëm, siç preferojnë disa kozmopolitë, që në të vërtetë duan të ruajnë provincializmin e vet. Të merresh me veten, njëherësh është individualizëm dhe universalizëm dhe se pa individualitet, nuk ka universalitet.

“Në të gjitha teoritë estetike e filozofike të sotme, vepra e shkrimtarit çmohet në këtë raport dhe nuk vendoset njëanshëm për të në bazë të personalitetit qytetar të shkrimtarit, sepse vepra e mirë gjithmonë e kapërcen personalitetin qytetar të shkrimtarit. Si duket, për shumë probleme ne nuk jemi në gjendje ose nuk kemi guxim të diskutojmë në formë demokratike e me përgjegjësi, të cilën më së shumti e do kultura.

Është e natyrshme që programi shkollor të pasurohet me vlera të reja dhe të përparohet, por jo të cungohet duke u nisur nga teza aprioriste dhe politiciste, siç është rasti i heqjes së një vepre të mirë të Mark Krasniqit dhe i gjithë krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Po të vepronim kështu, atëherë duhen hequr edhe shkrimtarë të tjerë, si bie fjala Andriqi, i cili më 1939 ka bërë një elaborat për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë; po ne e mësojmë, sepse me veprën e tij ai ka tejkaluar personalitetin e vet qytetar dhe politik. Për vepra të shkrimtarëve të tillë, ne kemi nevojë.
Pra, këmbëngul për një dialog demokratik e të lirë për kulturën, pa etiketime, pa abuzime politiciste e pseudoshkencore e pseudopolitike, dhe për një respektim e barazi të kulturave kombëtare, sepse demokracia dhe liria e bëjnë kulturën kulturë, krijim dhe nevojë shpirtërore të njeriut.”
Atmosfera ishte e nderë, gjendje shtetrrethimi.

2.

Herën tjetër u shqua në mbrojtjen e vlerave kulturore dhe dinjitetit kombëtar në takimin e shkrimtarëve shqiptaro-serbë në Beograd, më 26 e 27 prill, të vitit 1988. Në atë takim, ku kishte edhe shumë mysafirë e gazetarë të huaj, Ibrahim Rugova u paraqit me një referat, ku zbardhte strategjinë e përpunuar antishqiptare që zhvillonte propaganda serbe.

“Fatkeqësisht, sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita-ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë në shkallën më të ulët të mundshme”, tha Rugova para shkrimtarëve serbë në Beograd. Ai mendonte se ishte një strategji antishqiptare, së cilës tash e shtatë vjet po i printe shtypi i Beogradit, pastaj institucionet kulturore e shkencore.
Po ngjallej logjika e veprimi UDB-ist, e cila synonte t’i gjunjëzonte shqiptarët në ish-Jugosllavi, që elementi shqiptar të rrudhej.

Paraqitja e Rugovës, në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte dinjitoze, e guximshme, e pazakonshme, ndryshe nga sa ishin mësuar të hasnin serbët me shqiptarë, në kryeqytetin e Jugosllavisë. Aty u shqua dhe nisi shkëlqimi i yllit të tij, që do të ndriçojë kohë të gjatë. U prit me entuziazëm paraqitja në Beograd, “në gojë të ujkut”, ndërsa u ngjallën shpresat se nuk jemi të humbur, se kemi njerëz që mund të na mbrojnë, se me shkrimtarë të zotë e intelektualë kulmorë nuk ishim prapa serbëve etj.
Kthimi i tyre në Prishtinë ishte fitimtar. Shkrimtarët shqiptarë ishin e kundërta e udhëheqjes politike shqiptare të Kosovës. Politikanët serbë dhe shkrimtarët e tyre prisnin diçka tjetër, ashtu ishin mësuar nga paraqitja e padinjitetshme e politikanëve tanë. Por në vend të falënderimit, politikanët tanë servilë e të shitur nisën sulmet kundër shkrimtarëve e pedagogëve universitarë, duke i akuzuar për nacionalistë e irredentistë.
Veçimi i Ibrahim Rugovës nga intelektualët e shkrimtarët nuk ishte rastësi, më shumë qe e paracaktuar. Ai u shqua me guximin intelektual e vetëdijen kombëtare, shumë kohë më parë.

Shkrimtarët e të dy kombeve ishin në armiqësi të vazhdueshme. Shkrimtarët serbë ishin në armiqësi me të gjithë shqiptarët, (ishin në armiqësi me të gjithë kombet jo serbe), u vunë në shërbim të Millosheviçit e shovinizmit, duke e mbrojtur platformën e D. Qosiqit, I. Andriqit e I. Garashaninit për zhdukjen e shqiptarëve.
Në Beograd qe atmosferë linçimi, tregojnë ata që ishin të pranishëm. Paraqitja e shkrimtarëve shqiptarë nga Kosova u bë me dinjitetet. Meqë ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës i ra fati historik të përballej drejtpërdrejt me eksponentët e Millosheviçit.

Ky studiues i Pjetër Bogdanit, i heshtur nga natyra, paksa i zymtë, me syze dioptrie, të cilat s’do t’i heqë kurrë, me shallin karakteristik, pallton e gjatë e qeshjen ndonjëherë shpërthyese, karakteristikë që do ta ndjekë gjatë gjithë jetës, u bë intelektuali më i përfolur ato ditë. Mediet serbe e sulmonin me egërsi, mediet shqiptare të Kosovës e prezantonin me maturi e simpati.
Rugova me shkrimtarët shqiptarë i takonte brezit tjetër, me të kaluar të pastër, të arsimuar, që jetonin me hallet e gjakimet e kombit të vet. Ata nuk kishin apartamente e shtëpi në Beograd, sikurse shumë zyrtarë shqiptarë, që ua kishte dhuruar pushtuesi për shërbimet që i bënë.

3.

Fjalimi i Rugovës në Beograd shpërtheu si bombë. Tjetër prisnin e tjetër u doli. Ata besonin se shkrimtarët shqiptarë të Kosovës erdhën për t’u kërkuar falje, ashtu sikurse vinin politikanët shqiptarë të Kosovës në Komitetin Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë e të Jugosllavisë, për kërkim faljeje. Prandaj, kur dëgjuan qasjen tjetër u tërbuan, shkumëzonin, flisnin si në delir.

Bulatoviç, një shkrimtar shovinist, i cili profesion të dytë bëri shkrimet kundër shqiptarëve të Kosovës, nisi sërish të turfullonte nëpër revista e gazeta. Mllefin ndaj Rugovës e shprehte në çdo shkrim, duke u përpjekur ta fyente edhe për fizikun e tij.
Ylli i Rugovës vezullonte, ishte në ngjitje, ndërsa besimi i popullatës ndaj intelektualëve shtohej. Populli i braktisur shpresonte se shkrimtarët e intelektualët do ta çonin përpara çështjen e tyre, sepse nga politikanët nuk prisnin asgjë. Kështu, personaliteti i Rugovës vijëzohej gjithnjë e më dallueshëm: intelektual fjalëpakë, i heshtur, i vendosur, i pakompromentuar, pa poste e privilegje, i tërhequr në botën e tij të shkrimeve. Njerëzit e natyrës së tillë, rrallë i patëm.

Ato ditë të sulmeve të medieve serbe ndaj tij, ai vizitonte kafe-ëmbëltoren “Elida”. Vinte edhe në gazetën “Rilindja”, në redaksinë e kulturës, ftonte Ramadan Musliun, kritik letrar e poet, dilnim unë e Sami Piraj me të dhe pinim kafe e bisedonim për Shkup e për Shkodër, sikurse thuhej në popull. Na bashkohej Mustafë Statovci, gazetar i Radio Prishtinës. Ndjesia se ishim nën vrojtim të vazhdueshëm nuk na shqitej, por të gjithë silleshim sikur nuk na bëhej vonë. Njerëzit në rrugë apo në kafene nuk e fshihnin simpatinë ndaj tij. Populli nuk bënte kalkulime.

4.

Serbia pastaj organizoi takimet mes shkrimtarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe shkrimtarëve serbë nga Serbia, që ishte ndryshe nga takimet me shkrimtarët shqiptarë nga Kosova. Këtu nuk pati fërkime acaruese, nuk pati madje as tone zemërake; çdo gjë shkonte sipas një protokolli thuajse shtetëror. Takimet u mbajtën në qytetin industrial-provincial Bor, të Serbisë. Morën pjesë dy shkrimtarë të njohur nga Tirana, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Takimet i ndoqi edhe gazetari i Rilindjes, Xhemail Mustafa, kurse gazeta botoi pjesë nga kumtesat dhe nga debatet.
Shkrimtari M. Bullatoviq shkroi në revistën serbe “Duga” (Ylberi), (Beograd), se shkrimtarët nga Shqipëria ishin ndryshe nga shkrimtarët nga Kosova, se Kadareja ishte më i arsyeshëm se nacionalisti Ibrahim Rugova, se ata na donin, nuk na urrenin si shqiptarët e Kosovës etj. Kur fliste për Rugovën, nuk e frenonte urrejtjen.

Takimet në Bor e Majdanpek, dy qytete industriale serbe të tipit të qytetit Stalin (Kuçovë) a Memaliaj, ishin organizuar në dy qytete pa peshë, që nuk shquheshin për asgjë në historinë serbe a në kulturën e tyre, prandaj s’ta kapte mendja pse duhej të trajtoheshin temat serbo-shqiptare këtu. Serbët donin të krijonin një paralelizëm, por nuk kuptohej ç’donte shteti shqiptar. Një ndenjë e pakëndshme u krijua në qarqet letrare-artistike të Kosovës.

Ndërkohë, shkrimtarin Ibrahim Rugova e takoja në rrugë, në kafenenë e famshme “Elida”, e përshëndesja shkurt, me ndonjë pyetje rasti.
U njohëm më mirë në debatet në redaksinë e revistës kulturore “Fjala”, kur unë dhe dy miq të mij patëm polemikë të ashpër publike me “parashutistët” nga Beogradi, sikurse i quanim dy-tre emra të përcaktimit jugosllav që shkruanin shqip, ndërsa paraqiteshin të moderuar, luftëtarë kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar. Mua me quajtën serbofob (Sh. Maliqi, Is. Berisha, A. Xhaferi etj). Ata dolën në sipërfaqe duke sulmuar “nacionalizmin shqiptar”, që mëtonin ta “zbusnin”.

Rugova, kryetar i këshillit redaktues të “Fjalës”, ishte arbitri mes nesh: një grupi të gazetarëve të “Rilindjes” e kineastëve të Kosovës, dhe atyre që luftonin nacionalizmin shqiptar. Përpiqej t’i qetësonte gjakrat, sepse ata kishin pas vetes Komitetin Krahinor të Lidhjes Komuniste. Por ai ishte në anën tonë.

Ëmbëltorja “Elida” u bë qendra e elitës intelektuale të Prishtinës dhe të Kosovës; ndodhej mes Pallatit të Shtypit dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Përftonin edhe sigurimsat jugosllavë, që përpiqeshin të mos u shpëtonin bisedat nëpër tavolina.
Ndërkohë, ne diskutonim konceptet për peticionet që do t’ia drejtonim institucioneve krahinore, federale dhe ndërkombëtare. Prapë, Rugova ishte më i zëshmi dhe ‘e gjuante gurin më larg’. Televizionet dhe shtypi francez e merrnin në intervista. Na tregonte pastaj se si i shmangeshin gazetarët francezë përcjelljes së policisë së fshehtë serbe. “Ishin mësuar me shtetet diktatoriale ata”, tregonte Rugova. Intervistat me gazetarë i bënte kryesisht në periferi të Prishtinës, ku e dërgonin gazetarët francezë, larg syve të Shërbimit të Sigurimit jugosllav.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH