Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka qenë sot në disa nga zonat më të populluara të kryeqytetit, në kuadër të një aksioni të koordinuar për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte private.
Ky operacion vjen menjëherë pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi që bizneset të lirojnë vullnetarisht trotuaret, sheshet dhe sipërfaqet publike.
Ai u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë hapësirat e zëna sa më shpejt dhe vullnetarisht, për të shmangur ndërhyrjen me forcë nga autoritetet.
“Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar. Mirënjohje për të gjitha strukturat që, pavarësisht temperaturave të larta, janë në terren dhe për qytetarët që mbështesin përpjekjet për rregull dhe bashkëjetesë,” shtoi Hoxha.
Ministri Hoxha, i shoqëruar nga drejtues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, inspektoi zonat e “Zogut të Parë”, “Pazarit të Ri”, pjesën pas Muzeut Kombëtar dhe kompleksin pranë zonës së “21 Dhjetorit”.