Viti 2023 ka qenë mjaft produktiv në fushën e publicistikës, biografisë dhe estetikës për shtëpinë botuese UET Press. Këtë e tregojnë mjaft qartë edhe kandidaturat për Çmimin “Lumo Skëndo”, ku gjysma e autorëve të përzgjedhur në garë janë nga kjo shtëpi botuese.
Ilir Ikonomi me “Fan Noli, apostulli”; Blendi Fevziu me “Takimet e mia me…”; Migjen Kelmendi me “Unë jam Kosovë”; Natasha Lako me “Njeriu si një tjetër”; Namir Lapardhaja me “Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit”, janë autorët e UET Press që juria i ka përfshirë në 10 kandidaturat për veprën publicistike e studimore më të mirë të vitit 2023.
E në fakt, janë libra dhe autorë që kanë bërë mjaft bujë jo vetëm në Panairin e Librit, por edhe në media e rrethe letrare. Studiuesi Ilir Ikonomi solli vëllimin e parë për biografinë më të re për veprimtarin, politikanin e përkthyesin Fan Noli, duke zbuluar përmes dokumenteve e fakteve të reja detaje të panjohura të një prej figurave më me impakt gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar.
Gazetari Blendi Fevziu përmblodhi në një libër për lexuesit takimet e tij me 39 personalitete të shquara shqiptare, disa prej të cilëve nuk jetojnë më. Libri është një rrëfim i thjeshtëzuar për karrierën dhe jetën që këta personazhe kanë pasur, parë nga optika dhe përshtypjet e gazetarit.
Libri “Unë jam Kosovë”, i rrokerit dhe shkrimtarit Migjen Kelmendi është një përmbledhje shkrimesh të botuara në gazetat Koha Ditore dhe JAVA, gjatë viteve 1999- 2008, ku autori parashikonte një identitet kombëtar qytetar në një kohë kur kjo ishte ende e paimagjinueshme brenda vendit.
Natasha Lako sjell në librin e saj “Njeriu si një tjetër” ese për vepra të teatrit apo personazhe të mëdha të tragjizmit grek, për piktorë, shkrimtarë si Ismail Kadare, Arshi Pipa e Betim Muço, poezia e Agim Matos, gegnishtja e Migjen Kelmendit e shumë të tjerë.
Në përmbledhjen “Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit” Namir Lapërdhaja botoi një koleksion të shënimeve personale mbi autorët dhe veprat e tyre, me interpretime tërësisht personale nga përvoja e tij vetjake.
Autorët e tjerë në garë për Çmimin “Lumo Skëndo” janë: Thomas Frashëri, “Frashëri i shquar, i panjohur”; Ardit Bido, “Beteja për 20 përqindëshin”; Artan Fuga, “Zbulimi i erosit në antikitet”; Astrit Lulushi, “Dëshmi dhe kujtesë; Erion Kristo, “Publicistikë e zgjedhur”.
Çmimi, i cili mban emrin e intelektualit dhe figurës poliedrike Mit’hat Frashëri, u rikthye në vëmendje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në 2021, pasi më parë është dhënë nga Biblioteka Kombëtare.
Gjatë këtyre dy viteve janë shpallur fitues Ben Blushi me “41 Sekrete” dhe Lea Ypi me librin “Të lirë”.
Fituesi i edicionit të tretë do të bëhet i ditur më 25 mars, në ditën e lindjes së mendimtarit të rrallë shqiptar Mit’hat Frashëri. Gjykimi për veprën më të mirë të vitit të kaluar i është besuar jurisë së përbërë nga Uran Butka, Arlinda Dudaj, Ardit Gjinali, Belina Budini dhe Bledar Kurti.