Letërsi

Fituesi i Çmimit Kadare 2024, Dionis Prifti: "Dy javë nën balonë" është një roman satirik

Shkruar nga Liberale

 

Fituesi i Çmimit Kadare 2024, Dionis Prifti: "Dy javë nën

Ky nuk është panairi i parë për Dionis Priftin shkrimtar. Më herët ai ka ardhur me librin me tregime “Bar Sahara”.

Por është panairi i parë që vjen si autor i shtëpisë botuese UET Press dhe si fitues i Çmimit Letrar Kadare. Në korrik të 2024 ai u shpall fitues i një prej çmimeve më të rëndësishme të letërsisë shqipe, që ruan prej 10 vitesh koherencën dhe vijimësinë.

Pas Nurie Emrullait në 2023, Prifti u bë autori i dytë në moshë të re që vlerësohet, duke treguar se mbështetja e çmimit nuk shkon vetëm për eksperiencën apo për vitet, por shkon për talentin, me synimin për t’i nxitur më tej në të shkruarit shqip.

Fituesi i Çmimit Kadare 2024, Dionis Prifti: "Dy javë nën

Indicien për të shkruar romanin “Dy javë nën balonë” e mori nga një pikturë e veçantë e piktorit francez Odilon Redon, që ai e kishte bërë si një homazh për poetin Edgar Allan Poe. Dhe mbi këtë imazh, të syrit gati njerëzor që qëndron dy javë mbi një qytet, ai rrëfen, analizon, përshkruan reagimin njerëzor përballë të panjohurës, frikës, habisë, mosbesimit, anormalitetit etj.

Prifti tregon se lexuesit që i vijnë në panair nuk janë rastësorë. Janë ata që e kanë lexuar veprën e parë dhe tashmë arrijnë të evidentojë stilin e tij të shkruarit. Siç edhe ai e pranon, ka një evolim nga libri i parë.

“Kjo është e vërtetë dhe më vjen mirë që edhe atyre iu ka shkuar kjo gjë. Ndoshta është arritur të krijohet një stil origjinal, që bën këtë ndërthurjen mes reales dhe fantastikes, ose interpreton fenomene shoqërore por jo haptazi, gjithmonë me një ironi dhe sarkazmë. Edhe këtë roman mund ta quaj satirik. Më ka ardhur mirë për opinionet që kam marrë pasi ka qenë ajo çfarë kam synuar”, shprehet Prifti.

Fituesi i Çmimit Kadare 2024, Dionis Prifti: "Dy javë nën

Për të panairet e librave janë momente të rëndësishme për të promovuar librin, krijimtarinë, por mbi të gjitha për të njohur lexuesin. Por nga ana tjetër shprehet se është i vetëdijshëm që sot është gjithmonë e më vështirë të bëhen takime të shpeshta me lexuesin pasi ka shumë autorë.

“Ka shumë autorë të huaj të cilët janë përkthyer, ka autorë shqiptarë që kanë promovimet e tyre, por e shoh si një mundësi të mirë panairin, që të ndash preferencat e tua për librat, të sugjerosh e të bëhesh pjesë e një komuniteti libërdashës. Është momenti më i mirë në Shqipëri.”

Nga eksperienca e tij me panairet e tjera jashtë Shqipërisë, siç ka qenë ai në Lajpcig, më i madhi në Gjermani, ka vënë re se ata vijnë më inovacione, qoftë në formë, në organizim, paraqitje etj. Nga ana tjetër vlerëson faktin që ende në Shqipëri ka botime me vlera dhe nuk janë ‘mbytur’ nga librat komercialë siç po ndodh jashtë në panairet ndërkombëtare të librit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH