Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.
_______________________________________________
Kjo ishte gjendja në Jugosllavi dhe ky ishte pushteti i Milosheviçit atje, kur Aleanca Demokratike, duke e parë Luftën e Kroacisë dhe Luftën e Bosnjës, mendoi që të vendoste në programin e saj “bisedimet me Beogradin”. Një përcaktim i tillë programor kishte ngacmuar në fakt të gjithë shtypin shqiptar dhe unë e kisha menduar që si politikë e kishim në favor. Gjithsesi, aty nga muaji mars, partisë i erdhi ftesa që përmenda më lart dhe ne vendosëm që të shkojmë në vizitën që na kishin ofruar. Të gjithë ishin të vendosur, por brenda përbrenda kishte njëfarë ngërçi, sepse kuptohej që një takim me politikën e Beogradit në atë kohë ishte me shumë risk në politikën shqiptare. Por edhe unë, edhe Neritani edhe Arben Imami ishim të vendosur, dhe prandaj, në muajin maj vendosëm që të bënim vizitën në Beograd. E bisedova edhe me tim atë këtë vizitë dhe ai ndenji i heshtur në fillim kur e dëgjoi. Kishte qenë për shumë vjet në konflikt të hapur me Beogradin dhe deri në vitin 1972, nga regjimi i Tiranës, e kishte të ndaluar që të kalonte nga Beogradi qoftë edhe tranzit. Edhe Mehmet Sheu po ashtu, ndonëse Kiçoja e kishte shkelur ndonjëherë këtë rregull.
Por mua atë ditë më pa me njëfarë habie të brendshme që nuk donte që ta shfaqte së jashtmi, ndenji pak si menduar e mandej më tha: “Ky që po drejton Jugosllavinë aktuale është një brigand; dhe nuk e kuptoj sesi mendon se mund të flasësh me një njeri të tillë”. Por unë ia shpjegova se nuk kisha ndonjë qëllim që të takohesha me Milosheviçin, por vetëm të shihnim sesi ishin gjërat brenda tyre. Ndërkohë e dinim se do të takonim edhe opozitën, por kjo nuk i mjaftoi aspak Kiços, se sërish më tha: “Asgjë nuk do të arrish atje; ata janë njerëz pa asnjë vlerë dhe urrejtjen kundër shqiptarëve e kanë raciste”. Nuk po arrija dot të kuptoja se përse ishte aq i vendosur në këto që thoshte dhe ngulmova se tani nuk ka më ideologji, dhe nuk po flitet as për doktrinë dhe as për Enver Hoxhën. “Por, po flitet për dy milionë shqiptarë që po shtypen në Kosovë nga ushtarët nazistë të presidentit jugosllav”, më tha ngadalë dhe menjëherë.
E kuptova ndërkaq që im atë ishte ende i ngarkuar me armiqësinë e vjetër kundër tyre, por edhe ai më duket se ma pikasi këtë mendim, sepse menjëherë shtoi: Tregoju shumë i vendosur për mbrojtjen e interesave të popullit tënd aty”, dhe e vura re që nuk donte të zgjatej më. Po gjerbte një kafe turke që sapo ia kishin bërë, dhe po shihte përtej dritares së dhomës ku ishim ulur. Nuk donte që unë ta bëja atë vizitë, por nuk po dinte se çfarë të më thoshte për arsyen pse mendonte ashtu. Ndërkaq, nuk mu durua, dhe i thashë se kanë ndryshuar kohët dhe tani në këtë periudhë kapitaliste edhe nacionalizmi ka marrë ngjyra të tjera. Por ai qeshi hidhur e pa m’i ndarë sytë më tha: “Nacionalizmi është racizëm, kurse unë po të flas për patriotizëm dhe për interesin e shoqërisë sonë, domethënë për interesin e shqiptarëve kudo që janë”. “Nuk shoh se po vihen në lojë interesat e shqiptarëve, në një kohë kur unë s’jam në pushtet”. “Mundohu të takosh Milovan Gjilasin, më tha në fund të bisedës, sepse tani që kanë mbaruar interesat titiste atje, ai mund të të sqarojë shumë gjëra për historinë tonë me ta”. Të them të drejtën më habiti me këtë që më tha, por edhe më bëri që të mendoja shumë gjatë. Ndërkohë, nga senjoria e vjetër komuniste, të cilën e gjeta në Burgun e Burrelit, kisha marrë vesh se mendohej që Gjilasi kishte qenë në një vizitë inkonjito në Shqipëri disa ditë përpara sesa Enver Hoxha ta kishte eliminuar Sejfulla Malishovën. Sigurisht që kishte shumë mister në marrëdhëniet shqiptarojugosllave në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore, prandaj e vendosa me vete që, kur të isha në Beograd, të kërkoja të takohesha me Milovan Gjilasin. Gjithsesi brenda kësaj gjendjeje, duke e menduar se ky do të ishte një hap disi i çuditshëm për të gjithë shqiptarët, brenda ose jashtë kufirit. Me ndihmën e përfaqësuesve tanë, ne përgatitëm dhe bëmë edhe një takim me Rexhep Qosen.
Takimi me të na duhej sepse ai, jo vetëm që ishte një njohës i thellë i Jugosllavisë aktuale, por ishte edhe një njohës historian i vetë historisë së Jugosllavisë. Pastaj, Partia Aleanca Demokratike e kishte pasur që në fillim një bashkëpunëtor të vetin Rexhep Qosen dhe ai gëzonte një respekt të thellë në lidershipin e saj. Takimi u bë një natë para sesa delegacioni të nisej për në Beograd. Ne që të gjithë ishim të ulur përballë tij në një nga lokalet e Tiranës, aty, diku pranë shkollës Petro Nini Luarasi. Në atë kohë Jugosllavia ishte në luftë, dhe, ndonëse pushteti i Milosheviçit ishte ende në apogje, unë e dija se gjendja ekonomike ishte shumë e rëndë. Lufta e Bosnjës ishte në kulmin e vet, kurse gjendja në Kosovë ishte me represion, por gjithë po në pritje e në prag të luftës, sepse gjithkush e kuptonte se, sapo të mbaronte lufta e Bosnjës, Milosheviçi dhe nacionalizmi serb do të lante njëherë e përgjithmonë duart me Kosovën.
Por ishte kjo arsyeja kryesore që unë e shihja me njëfarë dobie vajtjen tonë në Beograd. Shqiptarët në këtë kohë kishin përkrahjen maksimale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo gjë, jo vetëm që dihej në Beograd, por gjithashtu edhe propagandohej nga qarqet antiamerikane aty. Gjithsesi, unë këtë gjë e shihja si forcën tonë politike, aq më tepër që edhe Berisha në Tiranë ende nuk i kishte shenjat që do të prishej me amerikanët, si pasojë e intencionit të tij, të cilin do ta shprehte hapur pas dy ose tre vjetësh. Gjithsesi, për të gjitha këto unë e dija se takimi dhe biseda me Rexhep Qosen nuk do të ishte aq e lehtë. Shpesh historia ka treguar se eruditët e mëdhenj nuk kanë mundësi që t’i analizojnë thellë lëvizjet e një politike imediate, sepse kultura e tyre aq e gjerë nuk i lejon që ta shohin çështjen në një sens pragmatik dhe vetëm imediat.
Megjithatë, takimi me të ishte i domosdoshëm, pavarësisht sesi do të dilte. Prandaj, në ora 20.00 të asaj mbrëmje ne u takuam. Unë kisha vendosur të mos flisja, sepse e dija se edhe Imami, edhe Ceka ishin të vendosur që të nesërmen ne do të udhëtonim për në Beograd; madje i kishim marrë edhe biletat me linjën jugosllave JAT. Por biseda me Rexhep Qosen nuk ishte dhe aq e lehtë sa mendohej. Ai na dëgjoi me vëmendje për vizitën në Beograd, për axhendën dhe për takimet dhe menjëherë ndërhyri me një ton thuajse armiqësor. Ai ishte kategorikisht kundër, sepse e mendonte këtë lëvizje si të qe e gjitha në favor të Sllobodan Milosheviçit.
Imami dhe Ceka e kundërshtuan lehtë, por ai ngulmonte që të ndalohej, sepse, sipas tij, “do të na krijonte një armiqësi me kosovarët”. Në fillim kundërshtimi i tij i lëkundi të gjithë ata që ishin atje, por unë nuk desha që të flisja. Megjithatë, dikur vendosa të flas dhe fola shumë pak. Kujtoj se thashë që, nuk ka ndonjë gjë në lidhje me Kosovën sepse ose ne nuk jemi përfaqësues të qeverisë shqiptare, dhe gjithçka është në një linjë politike të rangjeve të ulëta. Por Qosja nuk donte të reshtej aspak për këtë argument, sepse e shihte atë vizitë në një prizëm tjetër: ai e konsideronte Milosheviçin të izoluar, dhe një delegacion shqiptar me figura të spikatura të politikës së re shqiptare, do t’i jepte mundësi Milosheviçit të thoshte se me shqiptarët e Shqipërisë europiane, unë jam i hapur të bisedoj dhe bisedohet normalisht, sepse ata janë europianë. “Në një kohë, tha Qosja, kur i gjithë Perëndimi po kërkon që ta izolojë atë në këtë luftë të përgjakshme që po bën në Jugosllavi”.
Kjo ishte pikëpamja e Rexhep Qoses, e cila, ndonëse na lëkundi disi, nuk na frenoi dot, dhe ne, që të tre: Ceka, Imami dhe unë të nesërmen u nisëm me makinë për të shkuar në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të merrnim një avion të linjës JAT, për të mbërritur në Beograd.
Në Beograd arritëm aty rreth orës 12.00. Na akomoduan në Hotel Metropol. Ishte një hotel i vjetër, me stil klasik, emrin e të cilit unë e kisha dëgjuar që në fëmijëri nga im atë. Kishte qenë aty në delegacion me Sejfulla Malishovën nga fillimi i vitit 1946, për t’u takuar me udhëheqjen e lartë jugosllave. Por, pikërisht aty i kishte ngjarë në fakt çudia e parë me Malishovën. Ai kishte ikur vetëm në takimet e nivelit të lartë dhe e kish takuar të gjithë elitën politike të Beogradit: Kardelin, Rankoviçin, Gjilasin, madje kish takuar edhe Boris Kidriçin të cilin e mbanin si “kokën më të madhe të ekonomisë jugosllave”. Por, sapo ishte kthyer nga takimet e këtij niveli, në hotel i kishte thënë Kiços me njëfarë hidhërimi që dallonte se po i dilte së brendshmi: “E kemi kot Kiço, këta nuk paskan koka fare. Të gjithë nuk vlejnë asnjë grosh”.
Më habiti më ka thënë Kiçoja me këtë, sepse nuk i pati thënë asnjë gjë në lidhje me takimet. Një nënvleftësim të atij lloji nuk e kisha imagjinuar, më tregonte Kiçoja në burgun e Burrelit teksa po ma tregonte ngjarjen e ndodhur midis tij dhe Sejfulla Malishovës në Hotel Metropol në Beograd. Në këtë bisedë, Kiçoja më tha se, “Ka tepër mundësi që, duke e njohur nga afër në bisedë, jugosllavët dhe Titoja, siç duket në këtë kohë ia kanë vënë vizën Sejfullait dhe e eliminuan disa muaj pasi ishte kthyer nga Jugosllavia”. Po e mendoja me vete në dhomën time tek qëndroja në Hotel Metropol të Beogradit në atë ditë të mbërritjes sonë atje, dhe isha i bindur ndërkaq se Sejfulla Malishova ishte eliminuar prej tyre sepse iu kishte kërkuar që të ishin të barabartë si ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ndaj Amerikës dhe perëndimorëve. E pikërisht kjo gjë nuk i ka pëlqyer senjorisë jugosllave, e cila me siguri ia ka raportuar edhe Titos.
Në të vërtetë ky ka qenë gjithmonë fati ynë i trishtë dhe i dhimbshëm, sepse gjithmonë aleatët tanë kanë përkrahur në Shqipëri figurat retrograde: jugosllavët kishin rrëzuar Sejfulla Malishovën me një figurë të dyshimtë dhe pafarë kulture si Enver Hoxha. Kurse Kiçoja më kishte thënë në Tiranë që të takohesha me Milovan Gjilasin për të më zbërthyer misterin; në një kohë që Xhavit Qesja më pati thënë në Burrel se, Gjilasi ka qenë inkonjito në Tiranë dy ditë përpara sesa të eliminohej Sejfulla Malishova nga Enver Hoxha.