Arte

SHIFRA E DITËS: 29.5% e përfaqëson Europa, si ndahet dhe funksionon tregu global i muzikës

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: 29.5% e përfaqëson Europa, si ndahet dhe

Industria e muzikës po sheh rritje që 'shumë sektorë të tjerë do ta kishin tepër zili', por çfarë e nxit një të tillë?

2024 ishte një vit i mbarë veçanërisht për femrat në muzikë. “Eras Tour” një tur global i divës së muzikës, Taylor Swift, u bë turneu me fitimet më të larta në histori. Beyonce u bë artistja më e nominuar për Grammy (99) dhe 3 albumet më të mira të vitit globalisht ishin nga Taylor Swift, Billie Eilish dhe Sabrina Carpenter.

'Industria e muzikës' nuk është vetëm një industri e vetme - ajo përbëhet nga shumë pjesë të ndryshme të cilat nga ana e tyre ndikojnë në industri të tjera siç janë udhëtimi, mikpritja, moda – apo siç edhe tregohet nga fenomeni 'Swiftonomics ' i vitit 2024.

Pra, nuk janë vetëm turnetë dhe koncertet ‘live’ ato që sjellin të ardhura. Publikimet, tekstet e këngëve, muzikë e  filmave, muzika për reklama. Muzika është kudo tregti. Është i gjithë ky ekosistem mënyrash të ndryshme në të cilat artistët arrijnë dhe depërtojnë te fansat e tyre duek shtuar të ardhurat. Sipas Raportit Global të Muzikës 2025 të IFPI, vetëm nga një sektor i tij, muzika e regjistruar globale, u rrit 4.8% në 2024 dhe u vlerësua në 29.6 miliardë dollarë (27.1 miliardë euro).

Megjithëse rritja e industrisë mund të jetë ngadalësuar vitet e fundit, ajo është ende duke tejkaluar shumë të tjera dhe dukshëm është më e lartë se rritja mesatare e PBB-së globale në 2024 – që është 3.2% sipas OECD.

Evropa përfaqëson 29.5% të shifrës globale dhe u rrit me një normë prej 8.3%, shifër kjo dukshëm më e lartë se +2.1% e tregut të SHBA-së dhe Kanadasë. Kjo përkundër faktit se SHBA-të janë tregu më i madh muzikor në botë, i ndjekur nga Japonia, Britania e Madhe. Pas tyre vjen Gjermania.

Transmetimi i abonimeve u rrit me 9.5% dhe numri i përdoruesve në të gjithë globin u rrit 10.6% në 752 milionë njerëz në 2024.  Në fakt, të ardhurat nga transmetimi tejkaluan 20 miliardë dollarë për herë të parë në 2024 (18.6 miliardë euro) dhe përfaqësonin 69% të të ardhurave totale të regjistruara nga muzika.

Për ta kuptuar më mirë rritjen, 20 miliardë dollarë janë më shumë se të gjitha të ardhurat e regjistruara të industrisë muzikore për çdo vit midis 2003 dhe 2020. Ndërsa transmetimi është shtytësi kryesor, nuk është faktori i vetëm në rritje.

Megjithëse CD-të janë ende të suksesshme në Japoni, formatet e përgjithshme fizike u ulën me 3.1%. Të ardhurat nga “Vinyl” vazhduan të rriteshin në vitin 2024, me 4.6%, që ishte viti i 18-të radhazi i rritjes.

15 deri në 20 vjet më parë, duhej të këndoje në anglisht për të arritur majat. Prandaj muzika nga Amerika, Britania, Kanadaja shkoi jashtëzakonisht mirë në shumicën e vendeve.  - Por nuk ndodh më kështu, - shprehen ekspertët.  

Në fakt, çdo vend evropian në përgjithësi dëgjon muzikë në gjuhën e tij dhe kështu sfida është rritja e eksporteve në tregje të tjera. "Kush do ta kishte menduar dhjetë vjet më parë se çdo adoleshent në të gjithë botën do të dëgjonte K-pop? Dhe nëse Koreja e Jugut mund ta bëjë këtë më mirë, nuk ka asnjë arsye që të besojmë se vetëm ajo dhe askush tjetër nuk mund ta bëjë."

Është pak më e ndërlikuar nëse muzika është në një gjuhë që flitet nga shumë pak njerëz në mbarë botën. Rritjet më të mëdha të tregut në vitin 2024 u shënuan në Amerikën Latine (+22.5%), Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (+22.8%) dhe Afrikën Sub-Sahariane (+22.8%).

Ndër historitë interesante për sa i përket muzikës latino-amerikane është se si ajo po arrin të zgjerohet, ndoshta duke zënë një vend të merituar në skenën globale. Ekspertë shprehen se ka një numër vendesh që presin të kapin momentin e tyre në industrinë e muzikës në vitet e ardhshme.

Ajo që do të ndodhë në Kinë dhe ajo që do të ndodhë në Indi mbeten të pasigurta, por këto janë tregje të mëdha me diversitet dhe larmi të madhe si në ofertën e tyre të muzikës ashtu edhe në atë që konsumojnë. Dhe janë dy tregje që gjatë viteve të ardhshme mund të përmbysin gjithçka theksojnë me bindje drejtues të industrisë dhe ekspertë.

Shqipëria mbetet një treg i papërfillshëm muzikor, në tregun botëror. Ashtu si çdo me çdo treg tjetër muzika shqiptare do të mbijetojë nëse do të mund të përshtatet me audiencën që dëgjon dhe konsumon muzikë shqip, çka do të thotë se ajo duhet t’i përshtatet shijeve të publikut dhe të sfidojë nga ana tjetër konkurrencën ndërkombëtare. Vetëm cilësia do të mund të bëjë diferencën, në të ardhmen.   

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH