Pazari i Ri i Tiranës është portretizuar në këtë vepër artistike. Piktura me vlera jo vetëm artistike, por edhe historike gjendet aktualisht në Galerinë e Arteve në Tiranë.
Pazari i Ri, i krijuar në vitin 1931 për të përballuar shtimin e aktivitetit tregtar, mbeti qendra kryesore e tregtisë së mishit, peshkut, perimeve dhe frutave në Tiranë. Në vitin 2017, Pazari i Ri u rijetësua nga Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, duke u kthyer në një zonë të gjallë për blerje, kulinari dhe aktivitete kulturore.
Puktura është realizuar nga artisti italian Mario Ridola, drejtori themelues i Shkollës së Vizatimit të Tiranës, shkollë e cila do të luante një rol tepër të rëndësishëm në zhvillimin e arteve pamore të vendit tonë.
Para pak ditësh në Itali u botua një monografi për piktorin italian Mario Ridola, i cili jetoi për disa vite në Shqipëri në fund të viteve ‘30.
Siç paraqitet edhe në atë botim veprimtaria më e rëndësishme e artistit italian është drejtimi i Shkollës së Vizatimit në Tiranën e viteve ’30.
Monografia kushtuar drejtuesit të së parës Shkollës Arti në Shqipëri, shoqërohet me dy parathënie nga dy historianë të artit Antonio Falbo dhe Ferid Hudhri.