Piktura e titulluar "Mësimi i Abetares", është realizuar nga mjeshtri Agron Dine, ku pasqyron një moment edukativ dhe figura historike. Vepra është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, "Vilson Kilica".
Agron Qani Dine lindi më 6 shtator 1948 në Tiranë. Studimet e tij artistike i nisi në vitin 1963 në Liceun Artistik të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Nga viti 1968 deri në vitin 1973, ai vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku u diplomua dhe filloi punën si asistent pedagog.
Në vitin 1974, Dine mori pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare dhe lokale të artit figurativ, duke shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për artin shqiptar.
Në vitin 2001, Dine hapi galerinë e tij private “ART-GALERI-DINE,” duke ofruar një hapësirë për të promovuar artin dhe për të prezantuar veprat e tij dhe të artistëve të tjerë.
Në vitin 2008, Dine u nderua me titullin “Mirënjohja e qytetit të Vlorës,” si një shenjë vlerësimi për kontributin e tij artistik në këtë qytet. Në vitin 2011, ai u bë anëtar i Akademisë Europiane të Artit, ndërsa në vitin 2012 iu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë titulli prestigjioz “Mjeshtër i Madh.”
Sot, Agron Qani Dine jeton në Vlorë dhe vazhdon të krijojë si artist i lirë, duke kontribuar në mënyrë aktive në kulturën dhe artin shqiptar.