Një zonjë tiranase me kostum popullor. Një pikturë e bukur nga Sali Shijaku (1952).
Figura e artistit Sali Shijaku (12 mars 1933 - 24 shtator 2022) është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare
Ai krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.
Piktori i popullit Sali Shijaku hyri në art me dëshirën për të përshkruar dhe tejkaluar atë akademizëm perëndimor dhe ja doli me sukses kur jetoi dhe tejkaloi edhe një akademizëm të ndryshëm, atë lindor.
Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze” , “Kostum tiranseje”, duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj. Veprat e Sali Shijakut, karakterizohen nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura.
Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike. Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”.
Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2022, në moshën 89-vjeçare.