Intervistoi: Aranit Muraçi
Jetona Koçibelli, gazetarja dhe producentja e njohur e emisionit Artkand në Top Channel, prej shtatorit 2024 është emëruar drejtuese e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD). Ajo fitoi besimin e Kryeministrit Rama për të udhëhequr këtë qendër të rëndësishme të kulturës, në Kryeministri. Jetona në një kohë të shkurtër dha një tjetër provë se kur drejtimin e marrin njerëzit e duhur e të aftë, në çdo fushë suksesi është i garantuar. Nën drejtimin e Jetona Koçibellit, COD ka zgjeruar për një kohë të shkurtër misionin dhe, siç shprehet vetë ajo, - “jo vetëm me publikun e gjerë, por edhe me grupet e interesit, organizatat e shoqërisë civile, komunitetin akademik dhe të rinjtë, të cilët e kanë gjetur gjithnjë e më shumë këtë qendër si një vend mikpritës për ide dhe ndërveprim.”
Vetëm pak ditë më parë COD festoi 10 vjetorin e e themelimit. - "10 vjet më parë ishte një nismë, sot është një rrjet i gjallë lidhjesh njerëzore dhe krijimtarie, - thotë Jetona.
Së fundmi, COD në bashkëpunim me UET Press, mbështeti idenë për të përkujtuar figurën e Ismail Kadaresë përmes artit figurativ. Albumi dhe ekspozita sollën për publikun një koleksion të rrallë me mbi 100 punime.
Liberale në ‘Rrëfimin e Javës’ foli me Jetona Koçibellin e cila, edhe si gazetare në profesion, dhe me përgjegjësinë e drejtimit të një institucioni të rëndësishëm kulturor në vend, lehtësoi në realizimin e intersvistës me po aq profesionalizëm:
1. Jetona, prej shtatorit të vitit të kaluar jeni emëruar Drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Gati një vit në detyrë, cilat janë disa nga ngjarjet të themi më të spikatura që janë përcjellë nga institucioni i drejtuar prej jush?
Ky vit në drejtimin e COD ka qenë intensiv, krijues dhe sfidues njëkohësisht. Që në fillim, synimi im ka qenë të vendos këtë hapësirë në funksion të qytetarit – jo vetëm si vizitor, por si bashkëkrijues i përmbajtjes, pjesëmarrës aktiv në dialogun institucional dhe kulturor.
Ndër momentet më të spikatura mund të përmend ekspozitën madhore “Nga bohemizmi tek përjetësia”, një nga ngjarjet më të rëndësishme që kemi realizuar ndonjëherë në COD, e cila trajtoi në mënyrë të thelluar raportin ndërmjet artit dhe kohës, përmes veprave ikonike dhe një kurimi konceptual të guximshëm. Modigliani, Degas, de Lempicka, van Dongen etj, i dhanë hapësirës një tjetër dimension. Një tjetër jehonë të veçantë ka marrë libri. Kemi pasur bashkëpunime pothuaj me të gjitha shtëpitë botuese në Shqipëri, përfshirë edhe UET Press. Por edhe me botime ndërkombëtare. Si për shembull libri “Bosco Verticale” i arkitektit të mirënjohur Stefano Boeri, një simbol i arkitekturës urbane të gjelbër dhe vizionit bashkëkohor për qytetet e së ardhmes, i cili e solli COD-in në vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Kemi pasur nderin të presim artistë të njohur ndërkombëtarë, i fundit Enzo Cucchi, por edhe të nxisim dialogë mes artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj, duke vendosur COD-in si një urë lidhëse në nivel rajonal dhe më gjerë. Këto përvoja nuk kanë qenë thjesht artistike, por edhe sociale dhe institucionale.
Gjithashtu, kemi zgjeruar misionin e COD-it si hapësirë për dialog të hapur jo vetëm me publikun e gjerë, por edhe me grupet e interesit, organizatat e shoqërisë civile, komunitetin akademik dhe të rinjtë, të cilët e kanë gjetur gjithnjë e më shumë këtë qendër si një vend mikpritës për ide dhe ndërveprim.
E gjithë kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të vëmendjes mediatike, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, me raportime dhe mbulim të veçantë nga media kulturore ndërkombëtare që vlerësojnë formatin unik të COD-it si një model bashkëkohor të transparencës, artit dhe angazhimit qytetar. Është bërë një markë e qëndrueshme COD, sidomos kur këtë javë sapo ka festuar ditëlindjen e 10. Nëse do ta thoja pak me ‘cool’; është pa dyshim ‘the place to be’.
2. Albumi “100 Portrete, Kadare në artet figurative” u promovua një vit pas ndarjes nga jeta më 1 korrik në ambientet e COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, në nder të shkrimtarit të madh. A mund të na thoni si lindi kjo ide dhe çfarë solli për publikun?
Ideja për të përkujtuar figurën e Ismail Kadaresë përmes artit figurativ lindi si një nevojë e natyrshme për të kthyer në kujtesë jo vetëm veprën, por edhe ndikimin që ai pati në ndjeshmërinë estetike dhe krijimtarinë e shumë brezave artistësh shqiptarë dhe të huaj. E pamë të arsyeshme që një vit pas ndarjes së tij fizike nga kjo botë, të sillnim një “portret të shumëfishtë” të Kadaresë – jo vetëm si shkrimtar, por si simbol kulturor. Në bashkëpunim me UET press zgjodhëm që atë promovim madhështor me shumë personalitete të pranishëm ta bënin më Bibliotekën e Kryeministrisë, pranë qendrës COD.
Albumi dhe ekspozita sollën për publikun një koleksion të rrallë me mbi 100 punime – portrete në vizatim, pikturë, grafikë dhe teknikë të përzier – realizuar nga artistë të njohur të vendit dhe të rinj premtues. Kjo ngjarje nuk ishte thjesht një promovim arti, por një përulje kulturore ndaj një figure që ka ndikuar në identitetin tonë kombëtar përmes fjalës dhe mendimit. Kujtoj që në dhjetor të 2024, po në bibliotekë ne sollëm një instalacion të rrallë dhe ekzkluziv me dorëshkrimet e tij.
3. Si gazetare e kulturës, sa ju ka ndihmuar profesioni në përmbushje të detyrës ose të përgjegjësisë së postit që mbani aktualisht?
Profesioni i gazetarisë më ka formuar si një vrojtuese e mprehtë, por edhe si një ndërmjetëse mes fakteve dhe emocioneve. Si gazetare e kulturës kam pasur privilegjin të intervistoj njerëz të mendimit, të analizoj tendenca sociale përmes artit, dhe të mësoj sesi një mesazh përçohet me efekt te publiku. Kjo eksperiencë më ka ndihmuar shumë në drejtimin e COD-it, sepse më ka dhënë aftësinë të përzgjedh projekte që jo vetëm të duken mirë estetikisht, por që ngjallin debat dhe reflektim.
Gjithashtu, si gazetare kam mësuar të dëgjoj – një aftësi që është thelbësore në çdo pozicion drejtues, sidomos kur drejtimi ka të bëjë me hapësira dialogu siç është COD.
Karriera ine më shumë se një dekadë me artistët dhe puna e përditshme me ta patjetër më ka mësuar shumë dhe mbi të gjitha më ka mprehur aftësinë të gjej më lehtë gjuhën e bashkëpunimit, çka më ka ndihmuar për të arritur rezultate më të mira. Gjithashtu puna ime në televizion më ka skalitur në një ritëm të ngjeshur dhe në aftësinë për të menaxhuar kohën e problematikat më lehtësisht.
4. Ndërkohë, ka shumë pretendime që thonë se libri dhe kultura e leximit në vendin tonë është në krizë? E shihni me vend një konstatim të tillë?
E vërteta është se jemi në një epokë ku leximi konkurrohet nga përmbajtja vizuale, e shpejtë dhe e fragmentarizuar. Nuk do ta quaja një krizë në kuptimin klasik të fjalës, por më tepër një sfidë për përshtatje. Leximi sot kërkon formate të reja, prezantim ndryshe dhe, mbi të gjitha, një edukim të hershëm e të vazhdueshëm për rëndësinë e tij.
COD, për shembull, përpiqet ta trajtojë librin jo vetëm si objekt kulture, por si përvojë të përbashkët – përmes klubeve të leximit, takimeve me autorë dhe ekspozitave të veprave të rralla. Nëse e përshtatim përvojën e leximit me mënyrën se si gjenratat e reja konsumojnë informacion, libri mund të rigjejë vendin e vet qendror.
5. Në planet e së ardhmes, nisur edhe nga pozicioni që ju mbani, çfarë shihni me vend se mund të ndryshohet ose çfarë do të donit që të ndryshonte me qëllim që aktivitetet kulturore të merrnin rëndësinë dhe vëmendjen që meritojnë?
Do të doja të shihja një reformim të qasjes institucionale ndaj kulturës – ku aktivitetet artistike nuk shihen si “shtesë” protokollare, por si pjesë e pandashme e zhvillimit shoqëror dhe politik. Është shumë i rëndësishëm bashkërendimi – midis institucioneve, artistëve dhe publikut. Më shumë partneritete publike e private, më shumë financim të qëndrueshëm për projekte, dhe më shumë edukim kulturor që nga niveli shkollor janë disa prej ndryshimeve që do të dëshiroja të shihja.
Në COD, kemi si synim të jemi shembull i kësaj qasjeje duke inkurajuar projekte ndërdisiplinore, duke i dhënë zë edhe artistëve të rinj e të pavarur, dhe duke e vendosur qytetarin – si vizitor, bashkëbisedues, apo kritik – në qendër të aktivitetit tonë.