Kryesore

Kupe Danja dhe kronika poetike

               Publikuar në : 10:21 - 11/01/21 liberale

Gëzim Puka

“T’u këndoftë kanga, o burrë!” Kështu e uronin njëri-tjetrin burrat ndër malet tona, kur kryenin ndonjë akt trimërie apo faljeje. Kënga do të thoshte hyrje në histori apo të shumtën në historinë e letërsisë gojore. Atje mbeteshe gjithmonë. Atje ishte lavdia.

Në Shkodër u krijua një këngë folklorike, e cila më pas u botua tek “Zana popullore”, nën kujdesin e mbledhësit të zellshëm të folklorit Kasem Taipi. Më vonë u shkrua një poemë nga Arshi Pipa. Tek fototeka “Marubi” është ruajtur një fotografi, ndërsa në një lagje të vjetër, njëra nga rrugët mban emrin e një personazhi, që kreu një akt të rrallë për historinë e qytetit. Magjepsja ndaj kësaj bëme dhe këtij personazhi mundësoi romanin më të mirë të Fadil Krajës “Britma e një gruaje”, që do ta kishte këtë ngjarje si fabul të tijën.

Vepra monumentale qytetase “Shkodra dhe motet” e rrëfyer thjeshtësisht dhe mjeshtërisht nga autori i asaj kujtese të vyer, Hamdi Bushati, nuk kishte se si të harronte një personazh si Kupe Danja.

“Në atë kohë Kupja ishte burrë në moshë të thyer, por me zemrën e një djaloshi të guximshëm, siç e tregoi me aktin e tij. Ai banonte në lagjen Perash. Ishte kohë zhegu. Ai po dilte nga shtëpia e tij. Në moment pa dy gra katolike, të mbuluara me çarçafë, sipas zakonit të kohës, që po nxitonin në rrugën e Qafhardhisë. Ato po vinin nga lagjja Tepe. Thuhet se kanë qenë dy punëtore duhani. Pikërisht këto dy gra, po ndiqeshin nga dy ushtarë turq për qëllime të ulëta. Për fat ata vunë re se një burrë shkodran u duk rrugës, para tyre: Të dyja njëherit i thirrën me zë të lartë: “Në dorën tande, se po na merret erzi sot!” Në këtë moment Kupja e mbodhi veten para asaj situate të vështirë dhe “e bani mendjen okë”, siç thotë populli, që të vepronte me guxim e vendosmëri. Për të ishte me mirë vdekja me nder se me koritë veten dhe Shkodrën. Ushtarëve të hazdisur, ndofta nuk ua merrte mendja se plaku do të shtinte kundër tyre, ata nuk e vlerësuan aspak burrin e Shkodrës, por u vërsulën mbi gratë. Atëherë për Kupe Danen nuk mbetej gjë tjetër veçse atyre të paturpve, t’ua ndizte koburet që kishte në brez. Koburja e Kupes rrëzoi njërin nga ata, tjetri e mësyu Kupen, por ky qe më i shpejtë dhe me koburen e dytë e shtiu për tokë. Dy gratë katolike shpëtuan të pacënueme nga thonjtë e të epshuemve”.

Marubi ka fiksuar në fotografi një burrë të plakur dhe të imët. Kupe Danja i fotografisë në moshë pleqërie, me veshje të thjeshtë popullore, duket se ka ruajtur shikimin e papërkulur të rinisë. Imazhi i tij vijon të përçojë sigurinë e aktit burrëror. Një hero është një njeri normal, që bën gjënë më të domosdoshme në rrethanën më të vështirë.

Përjetësimi erdhi me vargje. Krijimi i kuptimit të kësaj figure del më qartë përmes vargjeve popullore për njeriun që kreu një akt heroizmi. Përpjekja për çnderimin e gruas ishte shkaku i vrasjes. Ajo nuk ishte një vrasje e paramenduar, as e paralajmëruar, por plotësisht e merituar. Ndërkohë kontakti me tekstin letrar popullor ndërton në imagjinatën tonë personazhin Kupe Danja, si mishërim i plotë i cilësive romantike, që mbart ky hero. Kënga dhe melodia e saj e ëmbël ka vijuar të transmetojë ngazëllimin e krenarisë.

Kupe Danja thotë i mjeri

Më xue rreziku pa e mendue

Tuj shkue rrugës ka dalë asqeri

Nji grue të kështenësh për m’e marrue

Kupe, tye të plaçin syt,

Ç’i pruene telashe vedit,

Bâna kabullë me lanë kryet

Me i pështue erzin vilajetit.

Katil-llekun s’e kam dashtë

Por kismet kështu paska kenë

Se erzin e kena bashkë

Si bullë ashtu e kështenë

Me nji kaq i dhashë mbarim

Për rrezik që m’ka qillue

Si për dekë ashtu për pështim

Në store me u diftue

Në të njëjtën gjatësi vale, poema e Arshi Pipës e shkruar në vitin 1950 në burgun e Gjirokastrës, ka vijuar të përçojë mesazhin human të bashkëjetesës. Kupe Danja e ka sublimuar këtë lidhjen tonë kombëtare. Personazhi epik i poemës së Pipës është shkodrani që ata të mjerë zaptues s’e kishin parë kurrë me sy…

Kupe Danja n’ato fjalë

vên tarabat, shkon me u-falë.

E qet rruga andej me rá,

shef me sŷ, nuk don me pá.

Shef me sŷ, vjen tue u-ndezë:

« Turp e mârre! faqe e zezë!

Kaq u-bâna, kët hatá

s’e kam ndie as s’e kam pá! »

Kupe Danja llafepaku

tha nji fjalë, e ndjeu sokaku:

« S’âsht për búrr me ngucë çarçafë,

me i rá kot të vorfnit n’qafë! »

Nuk pat sosë kur briti grueja:

« Mjera vetë qi ndodha e hueja!

Mjera vetë ndër gjithkta njerz

qi m’la turku sot pa erz! »

Kupe Danja hodhi krahun:

« Mosni burra, pashë Allahun! »

« Dashke gjobën ti daí?

Kthen çaushi si n’mahí:

Kû po t’hiqet ashkel tye? »

Gjimon trimi tue shpërthye:

« Páç nishane, ngrì qofsh n’ár

i thonë erz, s’blehet n’pazár!

I thonë erz, nuk i thonë krande…»

« Kupe Danja, n’dore tânde!»

Kupe Danja doren n’brez:

« A po shkoni, faqezez? »

Vrret çaushi shokut t’vet:

« Bjeri qenit se na mbet! »

Mâ s e ngjati, i hoqi gisht…

« Ndihmo Zojë e Jezu Krisht! »

Krisi pushka, u kuq kalldrâmi:

Kupe Danes i mbet nami.

Në poemën e Arshi Pipës, personazhi ynë romantik ngrihet në shkallën e simbolit. Ai bëhet simboli i njeriut të lirë në mbrojtje të lirisë së vet dhe të të tjerëve, që lufton pa kompromis, si personazh i jashtëzakonshëm në kushte të jashtëzakonshme, për dinjitetin dhe vlerat më të larta njerëzore.

Mbase jo për rastësi në rrethana të tilla do të gjendej edhe vëllai i Arshi Pipës, avokati martir Myzafer Pipa, i cili do të mbronte në mënyrë vetëmohuese klerikët katolikë në gjyqet famëkeqe komuniste. Duke ecur në gjurmët e Kupe Danes dhe idealizmit, ai do të kishte një fat tragjik. Falë mbrojtjes së shkëlqyer, me fjalë, në gjyq, ai do të bëhej pjesë e ndëshkimit gjakatar.

Harresa vepron çdo ditë dhe ndoshta lexuesi i sotëm ka një njohje minimale për personalitetin historik të Kupe Danes, megjithatë kjo nuk e zhvesh aspak interesin tonë për këtë personazh, që si vend poetik ka mbledhur aq bukur idealet e lirisë, të bashkëjetesës, të cilat nuk i vesh dot e vetme asnjë përkatësi fetare në Shqipëri.

Duke bërë një digresion, kur ndodh që Evropa dhe bota zgjohet e përgjakur padrejtësisht nga intoleranca fetare, nuk mungon evokimi për mbarëvajtjen dhe bashkëjetesën në këtë vendin tonë të vogël. Në Parisin e revistës “Charlie Hebdo”, më kujtohet duartrokitja e gjatë të pranishmëve të cilët mbushnin rrugët, ndërsa  parakalonin të përqafuar klerikët shqiptarë ngushëllimtarë. Besoj se duartrokitja e gjatë evropiane nuk ishte një përjetim i çastit, por ishte një reflektim i thellë për bashkëjetesën tonë historike.

Kronika “Shkodra dhe motet” më tej na rrëfen se Kupe Danja u arratis, u strehua ndër miqtë e tij, të cilët e pritën me shumë bujari, sepse kishte “qitë pushkë për nder”, e me të i kishte zbardhur faqen gjithë Shkodrës e gjithë Shqipërisë. Nuk e dimë datën e saktë të ngjarjes, por ajo që dimë me siguri është që jeta iu fal dhe shtëpia e djegur iu rindërtua. E megjithatë nderi më i madh që iu bë, është se ai u përjetësua përmes artit të fjalës. Iu këndua kënga…

Ky është një episod që për vetë dramaticitetin e tij ka hyrë në historinë e qytetit duke legjitimuar paprekshmërinë e bashkëjetesës, e cila është varur tek paprekshmëria e nderit.

Po sot?! Fundi i lumtur i kësaj kronike shekullore nuk mund të njolloset nga ata pak gjakprishur, që përpiqen ta trazojnë këtë harmoninë e bashkëjetesës së fituar edhe nga plumbat e Kupe Danes. Falë edhe këtij personazhi kemi një qytet e një vend ku mbizotëron butësia ndërfetare. E kur në ndonjë rast nxjerr kokën ndonjë “asqer” apo “ushtar” i mosqofshëm, që kërkon të na prekë të paprekshmen, që nga kupa e qiellit duket se na vështron edhe Kupja, pikërisht atëherë kur në të rrallë kënga e tij këndohet. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back