Aktualitet

Konstitucionalizmi, mes dijes dhe oratorisë

Shkruar nga Liberale

Kolana UET Press- 15 vjet

Titulli: Pesë leksione për konstitucionalizmin

Autor: Spartak Ngjela

Kristaq Traja

Sot kam nderin të paraqes një përmbledhje të pesë leksioneve të avokatit Spartak Ngjela, rreth disa çështjeve qendrore të konstitucionalizmit. Për shumë njerëz tema të tilla krijojnë njëfarë bezdie, veçanërisht, ndër ata që merren përditë me të tilla. Por kur ato vijnë nga pena e avokatit, besoj, se të gjithë bëhen kuriozë të dinë se ç’do të na thotë ai. Është në stilin e avokatit t’i tërheqë dëgjuesit, e di ai sesi fakte dhe argumente serioze teorike, t’i paraqesë si një lojë interesante. Pesë leksionet e këtij libri do t’i lexoni si një temë të përpunuar nga oratoria, për të cilin avokati shquhet në radhë të parë.

Mos prisni arsyetime pedante, përkundrazi, do të gjeni një ngjeshje idesh e parashtrimesh origjinale. Avokati ka aftësinë të ringjallë dhe ide që dikush mund t’i quajë të vdekura, ose aty afër. Mund të mos jeni dakord me të, por nuk mund të mos ngacmoheni nga drita e fortë që ai hedh, mbi vendet e errëta të filozofisë konstitucionaliste.

Edhe një temë e stërdëgjuar, siç është, p.sh. teoria e kontratës sociale, tek ai merr kumbim tjetër. Avokati nuk mund dhe nuk duhet kuptuar lehtë; ja p.sh., teoria e kontratës sociale si bazë e konstitucionalizmit nuk duhet marrë, sikur njerëzit janë bashkuar dhe marrë vesh mes tyre për të firmosur një pakt, ku përcaktojnë të drejtat dhe liritë e tyre, nga njëra anë dhe kufizimet e pushtetit shtetëror, nga ana tjetër. Kjo nuk është kontratë civile, siç mund ta kuptojnë juristët e degëve të ngushta të së drejtës. Ky është një fiksion juridiko-politik nga më të mëdhenjtë e më të mistershmit. Njerëzit  nuk kanë qenë të vetëdijshëm për këtë dhe as e kanë realizuar me një akt vullneti të ndërgjegjshëm. Por, si në fusha të tjera të jurisprudencës e të politikës, këto teza ose premisa parake, shërbejnë për të shpjeguar dhe, sidomos, për të legjitimuar pushtetin dhe përdorimin e forcës sipas rregullave, në respekt të lirive qytetare. Dikush mund ta kuptonte avokatin ndryshe, unë e kuptoj kështu dhe, pikërisht, në këto variacione e dritë-hije të mendimit të tij, do të gjeni interesanten dhe ngacmuesen.

Që teoria konstitucionale është e mbushur me paradokse, kjo dihet. Avokati flet për kushtetutën dhe për konstitucionalizmin. Cila vjen e para? Pa kushtetutë s’ka konstitucionalizëm, por, edhe pa këtë të fundit nuk ka kushtetutë realisht të denjë për këtë emër. Gjithashtu, paradoksal është dhe raporti ligj-e drejtë. Pa ligj s’ka të drejtë, por edhe ligji mund të jetë i padrejtë. Këto janë fusha, ku përzihet kultura me institucionet juridiko-politike dhe shtetërore. Janë njëkohësisht teza dhe argumente, synime dhe arritje.

Po ashtu, interesante është ta lexosh avokatin kur shkruan për legjitimimin e pushtetit gjyqësor, në censurimin e vullnetit të organit përfaqësues në një shoqëri demokratike. Me të vërtetë, ku e gjen bazën teorike, kontrolli gjyqësor mbi ligjet e parlamentit?  Asnjë teori nuk është e kënaqshme, por jeta shkon në rrugën e vet dhe e drejton veten me mjetet e saj. Një gjë është e sigurt, shumicat parlamentare, ashtu si dhe ekzekutivi priren drejt pushtetit eksesiv dhe ky pushtet duhet mbajtur nën fre, për të mos cenuar të drejtat dhe liritë e individit. Një ligj i përgjithshëm nuk mund t’i garantojë këto të drejta.  Konfliktet janë të pashmangshme dhe zgjidhja e tyre është fusha natyrale e gjykatës. Nëse gjykata do të ishte zbatuese e thjeshtë e ligjeve, sikurse kuptohet shpesh kështu, atëherë konflikti do të zgjidhej, apriori, në favor të pushtetit të shumicës. Por konstitucionalizmi, sipas avokatit, parakupton një kontroll të këtyre ligjeve, sipas parimeve dhe kritereve kushtetuese. Dy janë mënyrat e të bërit të kësaj gjëje: anulimi i ligjit nga gjykata (zakonisht kushtetuese) dhe moszbatimi nga gjykata i ligjit antikushtetues, pa e anuluar atë, por duke e bërë praktikisht të pavlefshëm për zbatim.  Kjo mënyrë e dytë është për mua, besoj dhe për avokatin, rruga më e pajtueshme me natyrën reale të pushtetit gjyqësor.

Të nderuar miq, Spartak Ngjela është nga ata njerëz, idetë e së cilit zor se mund t’i përmbledhësh në mënyrë akademike, sepse stili i tij është oratorik, se natyra e tij është kontroversiale dhe debatuese. Risia e këtyre leksioneve nuk qëndron aq në prekjen e problematikës kushtetuese, sesa në  leximin e tij personal të historisë konstitucionale. P.sh. liberalizmin politik dhe atë ekonomik, ai e sheh si regjimin e bazuar mbi individualizmin, në rastin e parë, në atë të bazuar në kolektivitetin, në rastin e dytë. Pikëpamja është interesante dhe e debatueshme, por avokati kështu shkruan. Ai nuk ka qejf të konstatojë, por të sfidojë dhe si sfidant është gati i pashoq.

Nëse do më pyesnin, se ku qëndron natyra origjinale e avokatit, do të thosha: ai e bën teorinë dhe filozofinë arenë aktorësh të gjyqit të mendimit. Ai mendon, kur shumë të tjerë thjesht përsërisin; që këtej buron edhe njëfarë “ekscentrizmi” i tij si mendimtar. Stili i tij polemik e bën jo-tradicional, por kjo, besoj unë, sot është më se e nevojshme, për të tërhequr vëmendjen mbi tema të bëra tashmë tradicionale deri në apati. Avokati ka aftësinë t’i rizgjojë temat e përgjumura. Ja p.sh. tema e racionalizmit, e cila është e rrahur prej qindra vjetësh dhe që jepet si bazë e qytetërimit, te avokati vjen jo vetëm si arsye e kulluar, por edhe si arsye procedurale.

Kjo gërshetohet në planin e teorisë së drejtësisë. Ç’raport ka e vërteta me drejtësinë ? Kërkohet thjesht e vërteta, si në një laborator të shkencave natyrore, apo drejtësia është diçka më shumë, pikërisht, zgjidhja e konflikteve duke përdorur të vërtetën? Meqë drejtësia presupozon, para së gjithash, konfliktin, është e natyrshme, racionale të shohësh në të instrumentin e zgjidhjes së konfliktit, por, këtu ndërhyjnë jo vetëm faktorë logjikë, silogjistikë, por sidomos ato me natyrë sociale, që determinojnë zgjidhjet nga pikëpamja e efeciencës, përshtatshmërisë, qëllimit dhe politikës. Konflikti nuk zgjidhet për të zbuluar të vërtetën, por e vërteta zbulohet për të zgjidhur konfliktin. Avokati i thotë këto gjëra me lehtësinë e tij të zakonshme, sepse i sheh sipas fushës që ai e ka predileksion, pikërisht, në optikën e oratorisë dhe teorisë së tij të pozicionimit të lirë me konceptet themelore juridike.

Këtu, megjithëse avokati nuk e përmend shprehimisht, ai ka qejf të dekonstruktojë, d.m.th. të habisë mendjet e dëgjuesve me interpretimet e tij, ndonjëherë gati heretike për shkencën e jurisprudencës. P.sh. avokati lë të kuptosh, kur flet për pozicionin eminent të gjykatës dhe për precedentin gjyqësor, se gjykata krijon ligj. Teoria e pranuar te ne thotë të kundërtën, se gjyqtari është thjesht zbatues i ligjit. Pak juristë te ne, ku përfshihem edhe unë, e pranojnë rolin ligjkrijues të gjykatës. Çështja, sikurse thotë avokati, nuk qëndron te arsyetimet teorike, por te realiteti i fakteve, te logjika e hekurt e vetë jetës. Juristët krijojnë sisteme mbi logjikën formale, por realiteti është i ndryshëm, shpesh i kundërt me konstruksionet formale-juridike. Për të reformuar drejtësinë nga pikëpamja e konstitucionalizmit duhet guxim intelektual dhe, në këtë pikë, avokati shkëlqen si rrallëkush.

Demokracia dhe shteti i së drejtës, sipas tij, janë në njëfarë tensioni, ndonëse supozojnë njëra-tjetrin.  Sundimi i shumicës moderohet në favor të pakicës me rregullat themelore të së drejtës e jo thjesht të ligjit, që është produkti i shumicës. Këtu avokati sheh një nga tiparet e spikatura të konstitucionalizmit dhe ne nuk mund të mos jemi të një mendjeje me të. Në fund të fundit, ai na thotë të gjithëve se konstitucionaliteti është bazë juridike, për zbatim të drejtpërdrejtë të normave konstitucionale. Kjo ka implikime të thella në praktikë dhe në natyrën e institucioneve.

Nëse kushtetuta zbatohet direkt, dhe avokati argumenton se kjo është tipike për konstitucionalizmin, atëherë gjykata natyrshëm mund dhe duhet të lërë mënjanë ligjin antikushtetues, duke iu kundërvënë kështu vullnetit të shumicës politike. Por, kjo është njëkohësisht edhe arma më e fortë e pavarësisë së gjyqësorit. Ekzistenca e gjykatës kushtetuese është një kompromis i moderuar, për të zgjidhur konfliktin objektiv ndërmjet gjykatës dhe parlamentit. Sipas avokatit, republika parlamentare nuk është omnipotenca e parlamentit, por ndarja dhe balancimi i pushteteve që është tipar themelor i konstitucionalizmit. Merita e avokatit është se ai i ngre troç këto dilema dhe i zgjidh sipas realitetit modern. Ai flet për modernizmin si karakteristikë e kohës së sotme dhe këtë e formulon në tezat e tij të guximshme.

Dobia e këtyre leksioneve, që janë më shumë se leksione, qëndron në kurajën e tij intelektuale. Shumë juristë dhe politikanë mendojnë me klishé, me koncepte të parafabrikuara dhe e shtrydhin realitetin e ri brenda kllapash të ngushta. S’është për t’u çuditur që avokatin e marrin shpesh për refraktar ose heretik. Por unë jam i bindur nga vetë përvoja ime se, sikur të paktën disa nga tezat e tij të merreshin më seriozisht, reformimi i shtetit dhe, sidomos i drejtësisë, do të ecte më lehtë e më natyrshëm. E tillë është teza e tij për rolin e precedentit gjyqësor, si faktor bazë për realizimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e korpusit të gjyqtarëve. Avokati është anglo-sakson në mendimet e tij, si për drejtësinë, ashtu dhe për tregun. A është ky pozicion i tij ekskluziv apo jo, këtë mund ta thotë ai vetë. Unë konstatoj, se sistemet sot po afrohen, por ajo që avokati shpreh me të drejtë është fakti, që ky afrim po bëhet më shumë në drejtim të sistemit anglosakson. Një fakt kurioz: ju e dini, se shumica dërrmuese e vendeve të KE zbatojnë sistemin kontinental të bazuar në ligjin parlamentar, por GJEDNJ aplikon kontrollin e saj mbi këto vende, sipas parimit anglosakson të precedentit. Kjo është një provë e fortë institucionale në dobi të pozicionit të avokatit.

Një tipar tjetër i konstitucionalizmit, sipas tij, është proceduralizmi, që paraqitet si metodë veprimtarie e institucioneve ligjzbatuese. Prirja për ekses pushteti e tyre drejtohet, kontrollohet dhe zhvillohet sipas kriteresh dhe etapash me natyrë garantuese. Ky është një rregullim juridik i hollësishëm dhe i nevojshëm. Shkelja e procedurave mund të çojë në kontaminimin e të gjithë procesit politik ose juridik dhe të ndikojë në saktësinë dhe drejtësinë e rezultatit të kërkuar. Pushteti shpesh i neglizhon procedurat, i sheh si pengesa e barriera të tepërta kundrejt efeciencës së zgjidhjeve të shpejta, i quan formale dhe formaliste. Avokati jo, ai e sheh proceduralizmin në themel të procesit demokratik. Zhvillimet e sotme flasin në favor të këtij qëndrimi.

Avokati ka nerv në të shkruar dhe prandaj shpesh i ngjesh mendimet. Pra, ai duhet lexuar ngadalë dhe disa herë. Një nga zakonet e tij është, se ai nuk para të lë të flasësh. Nuk ka gjë, edhe sikur mendimet e tij të kenë defekte, elokuenca e tij është një vlerë. Me të duhet matur, pikërisht, me armët e tij. Në fund të fundit, mënyra e të folurit është si procedura kundrejt thelbit, lëndës. Në këtë aspekt, për ta mbyllur po perifrazoj një personazh të Shekspirit, te Antoni dhe Kleopatra ; kur Oktaviani qortonte Mark Antonin, ai tha, se të metat e Antonit ngjajnë si yjet, ato shkëlqejnë më shumë sa më e dendur errësira e natës.

Parathënie nga Spartak Ngjela

Nuk ka më dyshim se konstitucionalizmi është filozofia moderne e demokracisë kushtetuese dhe, për këtë arsye, ka pasur dhe ka opinione të ndryshme në lidhje me karakterin e saj. Të gjithë këtë lëndë, jemi munduar ta japim në pesë leksione, të cilat duket se rrokin pjesën më të madhe të saj. Nuk e kam përshtatur termin “konstitucionalizëm” në gjuhën shqipe si “kushtetutshmëri”, pasi në fakt kjo do të na largonte disi nga spektri real i këtij koncepti. Konstitucionalizmi, para se të jetë doktrinë apo filozofi, është koncept i ndërkombëtarizuar. Nisur edhe nga fakti që është i kuptueshëm edhe pa termin e shqipëruar, nuk do të ishte shumë e arsyeshme që t’i shmangeshim këtij ndërkombëtarizmi, sepse fjala “kushtetutshmëri” nuk i përmban brenda vetes të gjitha karakteret që përmbledh kjo doktrinë.

Gjatë pesë leksioneve është përdorur një metodë e qartë, duke u mbështetur në teoritë më të fundit për konstitucionalizmin dhe duke dhënë, njëherësh, edhe një vështrim historik të ecurisë së demokracisë, ligjit dhe kushtetutës, në një rrjedhë kohore që vjen qysh nga Greqia e lashtë e deri në ditët tona.

E gjithë lënda është ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë titullohet “Hyrje në konstitucionalizëm”; në Pjesën e dytë trajtohen konceptet kryesore të konstitucionalizmit; ndërkohë që në pjesën e tretë do të gjeni një përmbledhje të detajuar të “Teorisë rreth konstitucionalizmit”.

Konstitucionalizmi është filozofia e mbrojtjes së minorancës në sistemin politik të demokracisë liberale kushtetuese, ndërsa vetë leksionet paraqesin njëherësh trajtimin e saj brenda koncepteve të formimit të shtetit dhe, përderisa vetë shteti është ndërtuar si pasojë e një marrëveshje të madhe shoqërore, kontrata shoqërore është trajtuar gjerësisht duke u konsideruar si teoria kryesore e formimit të shtetit.

Në këtë rast trajtohet konstitucionalizmi liberal, i cili vijon drejt sqarimit të rolit të veçantë që ka autoriteti, por gjithmonë brenda tagrit ligjor që mbron të drejtat. Ky tagër është legjitimiteti, i cili në konceptin konstitucional kupton gjithmonë legjitimitetin politik.

Që në fillim të modernitetit çështja e legjitimitetit politik u bë kërkesë për të trajtuar burimet e vërteta të sovranitetit. Liberalizmi i sheshoi, rast pas rasti, të gjitha kontradiktat që kanë lindur për këtë çështje, prandaj e kemi trajtuar liberalizmin si pjesë të pandarë të demokracisë dhe të konstitucionalizmit; madje edhe të vetë autoritetit shtetëror.

Çështjet që janë ngritur për t’u trajtuar kanë qenë këto: Cila është ajo forcë që, një diçka të çfarëdoshme e kthen në legjitimitet kushtetues? Ku e gjen forcën një ligj që konceptualisht është ndërtuar si të gjitha ligjet e tjera, i cili mund t’i imponohet gjithë legjislacionit dhe vetë shoqërisë si ligj suprem? Pse vetë autoriteti buron nga Kushtetuta dhe përse duhet kontrolluar autoriteti? Pse është abuzuar vijimisht me autoritetin shtetëror dhe si mund të kufizohet qeveria? Të gjitha këto janë trajtuar rast pas rasti dhe në mënyrë të përsëritur, pasi janë çështjet thelbësore të konstitucionalizmit.

***

Konstitucionalizmi është filozofia e mbrojtjes apo e garantimit të të drejtave të individit përballë pushtetit politik që ka maxhoranca në një demokraci. I gjithë ky garantizëm është i sanksionuar me anë të normës kushtetuese, prandaj doktrina që përmbledh konstitucionalizmin tregon rrugën sesi mund të arrihet që norma kushtetuese të mbetet e pacenuar nga forca që mund të ushtrojë abuzivisht kundër saj një maxhorancë parlamentare apo edhe vetë qeveria. E gjithë kjo lloj filozofie mund të përcaktohet si një e drejtë kushtetuese për të kufizuar qeverinë. Në fakt, ne nuk do të kishim nevojë që demokracia si sistem politik të shoqërohej edhe me konstitucionalizëm, por në këtë pikë na sjell nevoja që kemi për të kufizuar qeverinë. Vetë kushtetuta për këtë arsye është formuluar dhe është konceptuar si një kontratë shoqërore; sepse vetë shoqëria, duke qenë se kërkon të garantojë të drejtat e individit, i është drejtuar një kontrate shoqërore, e cila duhet të jetë e sigurt se nuk do të shkelet. Kjo është arsyeja që demokracia dhe vetë konstitucionalizmi shihet si kontraktualizëm; sepse ndryshe nuk do të kishim një arsye të vërtetë juridike me anë të së cilës do të strukturonim institucionet. Prandaj, brenda frymës kontraktuale të shikimit së gjërave, kuptohet se, domosdo duhet të ketë një arbitër, i cili ka autoritetin të gjykojë nëse palët e kanë respektuar ose jo kontratën që kanë nënshkruar. E gjithë çështja është rënduar në kohë, sepse pikërisht te kjo kontratë është mbërthyer raporti midis shtetit dhe individit dhe më saktë: midis pushtetit politik dhe individit... /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH