Aktualitet

Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, Apeli i Posaçëm merr vendimin për fatin e Fredi Belerit

Shkruar nga Liberale
Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, Apeli i

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i arrestuar për shitblerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Në këto kushte betimi i Belerit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Në rast se ai do të dënohet me vendim gjykate, në Himarë mund të përsëriten zgjedhjet lokale.

Të pranishëm ishin edhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, ndërsa avokatët e tij kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Më 14 shtator Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Në seancën paraprake prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audio-përgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i zotit Beleri, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme.

Por gjykata mësohet se e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor. Avokati Dema, tha pas seancës se është e pakuptimtë që Beleri të vijojë të mbahet në arrest me burg, aq më tepër tani që hetimet janë mbyllur. Ai deklaroi se nuk është kërkuar gjykim i shkurtuar. “Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të thërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi ai.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Por Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njëjtën kërkesë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Greqia ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instance të ndryshme ndërkombëtare.

Qeveria shqiptare është kundërpërgjigjur duke pretenduar se kjo është një çështje e Drejtësisë e duke refuzuar kategorikisht çdo lloj ndërhyrjeje ndaj sistemit gjyqësor. Ndërsa kryeministri Rama, jo më larg se një ditë më parë tha se Shqipërisë askush nuk mund t’i japë leksione për trajtimin e minoriteteve, duke lënë të kuptohet se në Greqi nuk njihet komuniteti shqiptar.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH