Reldar Dedaj
Miqve tanë demokrat të Facebook-ut, nëse do pranonin, mund t’u bënim një pyetje, e cila kërkon një përgjigje të qartë; çfarë do të bëni me PD-në? Ku do ta çoni atë, në Lindje apo në Perëndim? Këtë ende nuk e keni thënë haptas. Por mund ta marrim me mend, ta zëmë, se çfarë mendimi keni për përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, pra, duke e ditur se çfarë mendoni për të, nuk është e vështirë të nxirret edhe projeksioni i të ardhmes.
Saga e deklaratave dhe kundër deklaratave mes Sali Berishës, Yuri Kim dhe eprorëve të saj në departamentin e shtetit nuk ka të sosur. Ato kanë vazhduar edhe sot. Sali Berisha e sulmoi ashpër ambasadoren Yuri Kim sa i takon çështjes McGonigal, duke u shprehur se arriti të shkelmojë Kushtetutën e vendit të saj dhe, po ashtu, edhe atë të vendit tonë.
Ky përshkallëzim i konfliktit verbal tregon dy gjëra. E para, se Berisha nuk ka ndërmend të ndalet në qëndrimet e tij kundër atij që e konsideron si komplot i lobimit të Xhorxh Sorosit. E dyta, duke u shfaqur si një viktimë e këtij lobimi, Berishës i dha fryte ligjërimi që kundërshtarët e tij e quajnë antiamerikan, sepse duam apo s’duam ne, arriti që të shtojë gjithnjë e më shumë mbështetësit si për luftën e tij brenda partisë, ashtu edhe për të forcuar sfondin e kryetarit përballë amerikanëve.
Ju, demokratë të Facebook-ut, mbase nuk e dini, por shtetin e parë shqiptar në Ballkan e bënë fuqitë perëndimore, sigurisht ashtu siç e bënë, copë e grimë dhe me një mijë e një paudhësi. As shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën, nuk e bënë dot armët e heronjve tanë, sado që përkulemi thellë ndaj sakrificës së tyre, por e bëri mbështetja e botës perëndimore.
Pra, ju, demokrat të Facebook-ut, nuk duhet të harroni se problemi i parë që haset sot brenda PD-së, është një pamundësi e këtij subjekti politik që të dalë nga rrethi vicioz i zhvillimeve negative dhe e dyta është se PD-ja po përjeton një krizë të identitetit të saj politik. Dhe, e treta që është edhe më e rëndësishmja, është se PD-ja po përjeton një krizë të thellë sociale. Askush deri më tani këtë fakt, nuk e theksoi në masën e duhur, as Berisha, as Basha dhe as ndërkombëtarët. Tani, ky subjekt politik po gjendet në një kolaps total dhe kjo gjendje mund të prodhojë kriza të llojllojshme.
Ju, demokratë të Facebook-ut duhet ta kuptoni, nëse ende se keni kuptuar, se opozita shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti PD-ja si forca më e madhe e saj, rrezikohet si askush tjetër nga fytyrat e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar. Kjo klasë politike, duket se jeton në do ëndrra, sikur është shkëputur nga realiteti dhe ambiciet i ka shumë të madha, duke menduar se edhe pse është e izoluar dhe askush nuk e takon, përsëri gjykon se mund të zgjidhë një mori problemesh, por edhe ajo që është më me rëndësi, kjo klasë politike ka vendnumëruar për një kohë, duke mos nxjerrë asnjë fytyrë të re, me qëllim ngordhjen e çdo lloj nervi për ndryshim.
Pra, sikurse shihet Berishës i pëlqen dhe i konvenon ta mbajë ndezur këtë përleshje të Davidit me Goliathin dhe është i gatshëm që për çdo shkëndijë të përgjigjet me një lumë argumentesh. Mirëpo, askush, madje as Berisha, nuk u ka ofruar asgjë këtyre njerëzve, përveç retorikës sovraniste, shpesh pa asnjë vlerë, askush asgjë nuk u ka ofruar këtyre simpatizantëve prej një dekade dhe kjo mungesë e rezultateve të prekshme, mund të çojë nesër në shkatërrimin e kësaj partie dhe shkatërrimi i saj, në mungesë të një sistemi të drejt zgjedhor, në mungesë të shoqërisë së vlerave, mund të sjellë tek e fundit gjë, shkatërrimin e alternativës. Dhe, siç e dimë të gjithë tashmë, shkatërrimi i alternativës në fakt nuk është asgjë tjetër përveçse shkatërrim i demokracisë. /Liberale.al/