Reldar Dedaj
Çfarë prodhuan tetë vitet e qeverisjes së Edi Ramës? Kjo është një pyetje që çdo shqiptar, me siguri, e bën me vete gjatë përditshmërisë së tij. Ka edhe nga ata, të cilët, të ekzaltuar nga makiazhi brilant i qeverisë, shohin një lëvizje pozitive të gjërave, pjesa më e madhe e tyre janë ata që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Këta që ndodhen këtu e kanë kuptuar se gjërat nuk ecën ashtu siç edhe u premtuan, shumë zhgënjime, dështime dhe shpresa të kota.
Në një shoqëri si e jona, mungesa e shtetit është një formë që rëndon mbi të dhe që ia çrregullon gjithë sjelljet. Kur asnjë deputet i mazhorancës, asnjë autoritet i saj, asnjë institucion, asnjë personalitet i majtë, nuk mund të japë dot prova për një besueshmëri morale, kur njerëzit vazhdojnë e besojnë se bota është një xhungël ku sundon ligji i më të fortit dhe ku lejohet çdo goditje, s’ka se si mos të shkohet drejt dhunës, terrorit dhe frikës.
Nuk është rastësi fakti se qytetari shqiptar u bë dëshmitar i dorës së parë të ndërtimit të Kuvendit të Shqipërisë mbi kënetën e mediokritetit, i cili vuri re çastin kur në vend të një grupi njerëzish të ditur dhe me integritet moral e professional, Shqipërisë i blatuan një grup horrash që me siguri, Edi Rama, nuk e mendoi kurrë se pikërisht kriminaliteti do të ishte ai që do hakmerrej kundër tij.
Shqiptarët, nga ana tjetër, nuk besojmë se do të zgjidhnin sot këta politikanë, nëse, gjatë këtyre viteve nuk do të ishin të mërzitur. Po zgjedhjes së tyre i mungon durimi. Është mërzitja nga gjërat e përsëritura; e njëjta histori, e njëjta filozofi, e njëjta sjellje, të njëjtat fjalë. Është nga lodhja me ta, nga boshësia e të kuptuarit, nga gjithçka që përfaqësojnë.
Një panoramë e tillë, përveçse mbytëse është edhe imponuese, të rinjtë vazhdojnë të akuzojnë prindërit e ndershëm si të paaftë që s’arritën dot të merren me korrupsion dhe drogë. Ndaj kanë vendosur ta marrin vetë përsipër këtë histori me idenë se mund ta korrigjojnë këtë në gjeneratën e tyre.
Nisur nga kjo, qeverisja 8-vjeçare e Edi Ramës, më shumë se gjithçka tjetër ka arritur të shpartallojë legjitimitetin e saj. Me siguri, njëri prej mësimeve më të vyer që mund të pandehet që shqiptarët arritën të merrnin në këto dy mandate qeverisje socialiste, ishte se në këtë kohën e sotme, asnjë çoroditje morale, nuk mund të jetë e shkëputur plotësisht nga njerëzit, a, e lidhur ngushtësisht vetëm me partitë edhe në rastet kur ajo prek emocionet, perceptimin ndaj vetes dhe jetën e përditshme të qytetarit, ndërsa efektet e kësaj çoroditje fatkeqësisht vazhdojnë dhe ndjehen në të gjithë vendin.
Mund të pyetet pastaj se mos kjo pandjeshmëri ndaj krimit që ka çrregulluar qëndrimet e njerëzve dhe që po i shkakton më në fund mjaft telashe, mos ka dëmtuar edhe sistemin tonë të drejtësisë. Por po e bëjnë, do të thonë e stërthonë, në realitet njerëzit nuk po ja fusin kot, shtrëngimi i thonjëve po ndjehet nën lëkurë. Pa dyshim, por shumë pak nga ç’duhet.
Sepse, atëherë, duke parë se ç’ndodh, gjithkush ka të drejtë të pyesë se pse duhet ndjekur ende një punë e ndershme, pse një i ri duhet të bëhet profesor, mjek apo marangoz, kur më mirë, bëhet trafikant, vrasës, bandit etj dhe, në një mjedis të tillë moral, si t’ia bësh që të përcillesh dijet, idealet dhe si të mbash në këmbë një minimum indi shoqëror që të mund të mbijetojnë ato gjëra aq thelbësore dhe të brishta që e kanë emrin liri dhe demokraci.
Njeriu që të vendosë duke e ditur se ç’bën, sidomos në një vend ku orientimet përcaktojnë në një masë të caktuar fatin e gjithsecilit nga ne, ka nevojë të njohë, në thellësi dhe me mendjemprehtësi, botën që e rrethon. Të gjesh karar me kriminelët, është të mohosh demokracinë, është ta katandisësh në një gjoja demokraci./Liberale.al/