Aktualitet

Gjysma e shqiptarëve ka ikur prej '90, pse duan të largohen mbi gjysma edhe e atyre që kanë mbetur?

Shkruar nga Liberale
Gjysma e shqiptarëve ka ikur prej '90, pse duan të largohen mbi

Nga Aranit Muraçi

Për të mësuar shkaqet se përse shqiptarët largohen masivisht nga vendi, që prej 1991 dhe vazhdojnë dhe largohen edhe sot e kësaj dite, kërkohej së pari që ndonjëra prej qeverive që ka qeverisur vendin në këto tri dekada të kishin financuar një studim. Dhe pasi të kishte përgjigjen e duhur, të ndërmerrte hapat e duhura për të frenuar fenomentn e emigracionit, një ndër plagët më të vjetra të shoqërisë sonë gjatë 30 viteve të fundit.

Në një mungesë të një studimi, kemi shifrat dramatike. Çdo vit largohen me mijëra shqiptarë, kryesisht të rinj. Të dhënat tregojnë se largimet më masive kanë ndodhur pas krizave politike dhe ekonomike, siç ishte viti 1991, 1997, 2008. Pas pandemisë, raportohet për një tjetër fluks largimesh, kryesisht të të të rinjve dhe fuqisë më të kualifikuar të punëtorëve drejt vendeve të BE-së. Gjermania është kthyer gjatë viteve të fundit në një treg joshës për të rinjtë shqiptarë.

Sipas shifrave zyrtare, më shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë do të dëshironte të transferohej në vende më të pasura për t’u punësuar, ose për një shkollim më të mirë, tregoi një studim i fundit.

Ndërsa një studim i tre viteve më parë, i kryer nga nga Universiteti i Sussex”, zbuloi se migrimi i mundshëm i vendit ishte rritur nga 44 përqind në 2007 në 52 përqind në 2018. Pas një rënie prej pandemisë, pasi u bllokuan kufijtë, të dhënat tregojnë se tendenca në muajt e e fundit ka pësuar sërish rritje.

Që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin në 1991, më shumë se 1.4 milionë shqiptarë, gati gjysma e popullsisë aktuale të vendit, ka emigruar kryesisht në Italinë dhe Greqinë fqinje dhe pjesa tjetër në Britani, Gjermani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara.

Studimet e huaja tregojnë se motivet ekonomike mbeten ende faktori kryesor.

Rreth 65,000 shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani në vitet 2015-2016, por shumica e tyre u refuzuan pasi vendi me ekonominë më të madhe të kontinentit filloi të mirëpresë sirianët që ikin nga lufta. Gjermania që atëherë ka filluar të mirëpresë mjekë dhe infermierë shqiptarë, pothuajse të gjithë të sapodiplomuar, si dhe më të kualifikuar në profesionet e tjera për të cilat tregu i saj ka nevojë.

Ndërsa kriza globale dhe ekonomike që nga viti 2008 goditi ekonomitë e Italisë dhe Greqisë, ku jetojnë rreth një milion shqiptarë, dërgesat në Shqipëri, çelësi që ndikonte për zbutjen e varfërisë, u tkurrën me një të tretën. Kjo tkurrje vazhdon ende dhe kjo shpjegohet me faktin se shumë shqiptarë kanë tërhequr ose kanë krijuar familjet e tyre gjatë viteve të fundit, në vendin ku ata kanë krijuar stabilitet, ndryshe nga 15 vitet e para të demokracisë.

Më shqetësues është fakti se më të rinjtë dhe më të kualifikuar janë grupi kryesor që vazhdon të largohet nga Shqipëria.

Tendenca për t’u larguar ka njohur rritje që nga viti 2008. Të dhënat tregojnë se 52% e popullsisë shqiptare 18-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa më shumë se një dekadë më parë kjo shifër ishte 44%.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian, në vitin 2020, në tregun e punës të BE-së ishin të punësuar 8.6 milionë qytetarë jashtë BE-së, nga 188.6 milionë persona të moshës 20 deri në 64 vjeç, që përkon me 4.6% të totalit. Shkalla e punësimit në BE në popullsinë në moshë pune është më e lartë për qytetarët e BE-së (73.1%), sesa për qytetarët jo-BE (57.5%) në 2020.

Ndër vendet kryesore të atyre që urdhërohen mesatarisht çdo vit që të largohen nga vendet e BE ishin:

Algjeria (8.6% e totalit)

Maroku (8.5%)

Shqipëria (5.8%)

Ukraina (5.4%)

Pakistani (4.8%)

Për banorë, Shqipëria mban vendin e parë. Në vitin 2020, 70,200 shtetas jo-anëtarë të BE-së u kthyen në shtëpi. Kufizimi i udhëtimit i vendosur në vazhdën e pandemisë dhe disponueshmëria e kufizuar e fluturimeve e bëri të vështirë kryerjen e kthimeve në 2020.

Ndër vendet kryesore të  atyre që u kthyen nga BE në vendin e origjinës për vitin 2020 ishin:

Shqipëria (13.9% e të gjithë kthimeve)

Gjeorgjia (8.2%)

Ukraina (7.9%)

Mungesa e një vizioni për të orientuar ekonominë drejt prodhimit dhe zhvlerësimi i vlerës së punës besohet se janë shkaku kryesor që i detyron shqiptarët të braktisin masivisht vendin e tyre vit pas viti, që kur nisi të frynte era e ndryshimeve të mëdha politike. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH