Kolana UETPRESS- 15 vjet
Titulli: Edhe një shqip
Autore: Rudina Xhunga
Dritan Hila
Unë nuk e mbaj mend telefonatën e parë që më ka bërë Rudina Xhunga. Në fakt, klisheja e marrëdhënies burrë-grua, e klasifikon si më të paharrueshmen dhe unë duhej të mos e kisha harruar, pasi ishte dera që më hapi njohjen me gruan, e cila do të bëhej njeriu i jetës sime. Por tani që bëj një analizë, mendoj se shkak i kësaj harrese janë ditët e mëpastajme me gruan time. Në telefonatën e parë ishte një femër. Më pas ishte Rudina Xhunga, e cila çdo ditë të jetës ma ka kthyer në një kënaqësi shpirtërore dhe intelektuale. Nuk e kisha për herë të parë që dilja në transmetime televizive, por ishte dalja ime në emisionin e saj “Shqip”, e cila më ktheu nga një prej figurave anonime që gëlojnë aq shumë në eter, në personazh publik të identifikueshëm. Dhe këtë ia di për nder asaj. Ka një intuitë të lindur për të vlerësuar nëse njeriu që ka përballë vlen apo jo; instiktivisht ndan mediokren nga vlera; e ftohtë në gjykimin e veprimeve të politikanëve, sa dhe pasionante në kapjen e kauzave të drejta; pëlqen apo shmang njeriun, gjestin, vendin, gjithçka që i ofrohet, duke gabuar rrallë në përcaktimin që jep; naive deri në habi për gjëra të thjeshta që i di çdo femër e zakonshme. Është ky zhbalancim nga e zakonshmja që e bën të jashtëzakonshme. Por ashtu si unë, që jam një ndër shumë zbulimet e saj, ajo ka sjellë emra ku e ku më të mëdhenj: Arbën Xhaferin, kur ai dhe shqiptarët e Maqedonisë me problematikat e tyre ishin ende enigmatikë për shqiptarët e Shqipërisë; Rexhep Qosjen, në gjithë kompleksitetin e tij; Erion Veliajn dhe aktivistë të Mjaft-it kur këta nuk ishin më shumë se një bezdi për policinë e Tiranës; Edi Ramën, kur mendohej se qenia.
Kryetar Bashkie ishte një aksident i historisë, përballë Fatos Lubonjës që ishte ashtu siç është; shqiptarë të njohur në botë si Jaho, Pirgu, Sala, Paci, Preljocaj, por që kalonin pa vëmendje në vendin nga vinin; Gideon Levy-n, gazetarin kontrovers izraelit që përkrah palestinezët; gazetarë investigativë amerikanë që operojnë në Ballkan dhe gazetarë ballkanas që ndeshen çdo ditë me mafien; Michel Houellebecq, shkrimtarin francez që përzuri CNN- in dhe pranoi Rudinën vetëm se i dukej ekzotik vendi i saj i panjohur, nga ku ajo i dërgonte maile për katër vite rresht. Ka sjellë politikanë të Shqipërisë me debatet e tyre, ku në klishenë logoritëse, kanë edhe shkëndija qytetarie, të cilat mendoj se vinin nga studioja ku flisnin. Por, kjo është ajo që do të lexoni në këtë libër. Ajo që unë kam parë pas kuintave dhe në shtëpi, është një nënë e cila në një dorë mban kompjuterin apo librin, dhe njëkohësisht bisedon me Alanën duke i zbuluar botën. Dhe të dyja i bën me të njëjtin seriozitet, ndaj jo më kot në zemrën e Alanës nuk ka vend për të tjerë. Pas çdo interviste me shkrimtarë, qëndron gjithë kolana e tyre e lexuar në orët e vona të natës, pasi ka vënë vajzën në gjumë. Para çdo interviste me politikanë janë qëndrimet e tyre të mëparshme të përgatitura nga Sonja, Dorina apo Elira. Fat që politikanët tanë nuk shkruajnë. Dikur, Dino Buzzati, në fund të romaneve dhe tregimeve të tij, vinte një tufë me shenja pikësimi dhe i thoshte redaktorit që t’i vendoste ku e shikonte të nevojshme. Në shkrimet e mia e bën Rudina. Është kritikja dhe redaktorja e parë e shkrimeve të mia, njeriu që më futi në morsën e shkrimit të shkurtër të stilit amerikan. Dhe kjo është një punë shtesë e paditur e gruas sime. Jo pak e vështirë dhe shpesh herë pa rezultat, kur nuk ia del të më ndryshojë mendjen për qëndrimet politike ndaj njerëzve të cilët për mua janë politikanë, ndërsa për Rudinën miq të hershëm. Kur Ron Howard bëri film librin e Dan Brown “Kodi i Da Vinçit”, kritika ishte dyshuese nëse do të ndiqej nga publiku diçka e thënë një herë në një bestseller. E njëjta pyetje vlen për përmbledhjen me intervista të Rudinës të ndjekura një herë në emisionin më të shikuar të së hënës. Unë mendoj se ia vlen, së pari, sepse leximi na jep të gjithë kohën e nevojshme që aparati ynë i analizës të bluajë çfarë i intervistuari ka dashur të thotë dhe nënkuptojë. Së dyti, për shkak se shumë njerëz që kanë folur në këtë libër, janë personazhe botërorë që e njihnin (nëse) në mënyrë sipërfaqësore vendin tonë. Pas kësaj, kanë folur shqip me një shqiptare. Dhe kjo bën diferencën. Pasi tashmë shumë njerëz që shkruajnë librin e botës dhe bëjnë historinë e saj, jo vetëm i njohim, por edhe na njohin. Falë gruas sime, Rudinës.
Nga biseda me Ismail Kadarenë
Ismail Kadare, autor shqiptar me talent të rrallë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX dhe XXI. Shumë prej librave të tij janë ndërtuar rreth të shkuarës historike dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, si dhe denoncojnë shtypjen e regjimeve totalitare që vazhdonin në Shqipëri.Ismail Kadare, autor shqiptar me talent të rrallë, një nga shkrimtarët më të
Historitë pasionante që rrëfen Ismail Kadare janë servirur me një shkrim thumbues, të rrethuara nga një bukuri e madhe poetike dhe stil mbresëlënës. Karakterizohen nga personazhe të pasura, me shumë zëra, me përshkrime të bollshme peizazhesh, me një mendjehollësi të fuqishme, rrëfim që endet shpesh midis ndërgjegjes së brendshme dhe të jashtme të personazheve. Ismail Kadare përdor perspektiva të ndryshme, ikje dhe kthime të ndryshme në kohë dhe hapësirë dhe zbulon pa ndërprerje kufijtë e depërtueshëm të realitetit dhe imagjinatës, të komikes e të tragjikes. Ismail Kadare shkruan mbi fajin kolektiv e, në veçanti, mbi kërkimin e të vërtetës. Ai kërkon të zbulojë duke e mbuluar qasjen e tij nëpërmjet miteve e metaforave, pyetje të mbetura pa përgjigje e krime të pafalshme. Edhe pse subjektet dhe heronjtë e preferuar të Kadaresë janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre janë pa dyshim universale.
Struktura mahnitëse e veprave të tij karakterizohet nga larmia e zërave, një bashkim kontradiktash e paradoksesh që ndikojnë fatin e kolektivit dhe shprehin mjerimin e individit.
Duke qenë të ndërgjegjshëm për karakterin unik të angazhimit e tij humanitar, vendosëm t’i japim këtij autori Çmimin e Jerusalemit, për të vlerësuar lirinë e njeriut, e cila është nën kërcënim të vazhdueshëm në shoqërinë bashkëkohore.
Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit në YMCA, Jerusalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve të tjera që ju keni marrë?
Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës ishte gjithashtu, njohës dhe mik i letërsisë. Unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida” u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë do ta kryesojë vet Shimon Perez. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. Domethënë, në këtë vend ka një traditë shumë të bukur, çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë.
Më ka bërë përshtypje kur kam intervistuar dy shkrimtarë izraelitë Amos Oz dhe David Grossman dhe të dy flisnin për ju. Madje nuk harroj fjalën e Amos Oz, “Ka hapur një dritare për mua. Shqipërinë e kam njohur nëpërmjet tij”.
Çfarë bisede bën një shkrimtar me një shkrimtar tjetër?
Është shumë e lehtë kur niveli i shkrimtarëve është pak a shumë i njëjtë, psikologjia e tyre është pak a shumë e ngjashme. Tjetër gjë është kur një shkrimtar është tepër i njohur, ndërsa tjetri më pak i njohur, e që dëshiron të njihet dhe të bëjë karrierë, por nuk e ka arritur ende.
Jeni ju i pavëmendshëm ndaj çmimeve? I keni marrë të gjithë çmimet që keni dashur?
Në botë ka shumë çmime, por njeriu nuk mund të dalldiset pas çdo çmimi që merr. Çmimet kryesore dihen kush janë, unë kam marr disa, ndoshta shumicën e çmimeve kryesore që janë Man Booker Prize, i cili jepet nga Britania e Madhe, çmimi që jep Spanja, Princi Asturias, ka disa ditë që është bërë Princesha Asturias ngaqë princi u bë mbret. Çmimi tretë më i rëndësishëm është ky i Jerusalemit, megjithëse nuk mund të thuash se është aq i njohur sa këta të tjerët në planin e përditshëm, por është shumë i fuqishëm, i theksueshëm nga ana morale, edhe temën e ka të bukur, jepet për lirinë në letërsi. Një çmim që e çmojnë shumë, sidomos shkrimtarë që vijnë nga një botë problematike, nga një botë ende e pasqaruar mirë, siç është bota ish-komuniste, ende me arkiva të mbyllura. Unë e thashë dje
edhe në fjalim, që Shqipëria është shteti i fundit në hapjen e dosjeve sekrete. Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje, qëndron mbi vet njerëzimin. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka, kjo vjen se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë.
Ka një debat të madh për hapjen e dosjeve. Gjithmonë përsëritet ky debat, duket sikur je afër dhe asnjëherë nuk ndodh.
Është një turp, që kjo nuk po ndodh. Nuk ka asnjë arsye objektive, që mos të ndodhë. Ka shumë avokatë të mos hapjes së dosjeve, që gjejnë nga mënyrat më meskine për ta përligjur. Disa fillojnë nga një frazë që duhet ta keni dëgjuar shpesh; ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve e kanë mizën nën kësulë. Kjo është një mënyrë shumë dinake, vulgare dhe meskine për ta bllokuar procesin. Njerëzit thonë; prit se unë nuk po flas, mos kujtojnë të tjerët se kam ndonjë dosje?! Janë mënyra të ulëta, dekurajuese. Pse t’i hapësh, ato janë prishur të gjitha, janë vjedhur, thonë të tjerë. Asnjëherë nuk ka hapje dosjesh dhe arkivash, pa nxjerrë të vërteta të mëdha, pa nxjerrë të vërteta të hidhura për një shoqëri. Mirëpo, bllokimi që i ka bërë Shqipëria vite me radhë, justifikimet që kanë bërë pseudo- analistët, ndonjëherë mediet, akademikët kanë një marrëveshje dinake të përgjithshme që kjo gjë të mos ndodhë. Kjo gjë na turpëron, sepse vendet e tjera, mirë apo keq, sidoqoftë, i kanë hapur. Ne jemi në gradën më të fundit në Evropë dhe nuk vazhdohet me arsyetime boshe për të kryer një gjë që duhet kryer. Shqyrtimi i ndërgjegjes njerëzore është absolut. Nuk është një luks, por është një domosdoshmëri, nuk është një trill a kapriço. Jo, është i detyrueshëm. Hapja e dosjeve nuk është kuriozitet. Çdo vend që ka shkuar përpara, falë kësaj ka shkuar.
Ju mendoni që mund ta çojë përpara Shqipërinë, hapja e dosjeve?
Vetvetiu e çon përpara. Nuk është siç thonë disa, se do ndodhë tragjedi, do të ndodhë armiqësi, do të ndodhë ftohja e madhe. Jo, nuk është e vërtetë. E vërteta, sado e hidhur të jetë, ka logjikën e saj, ka një gjë pozitive brenda.
Ju folët për dosjet, ashtu siç pranuat edhe faktin, se vepra juaj ka një problem me lirinë, për shkak se është vepër e shkruar në robëri. I ktheheni shpesh shpjegimit të veprës suaj, e ndjeni ju të nevojshme ta shpjegoni veprën, veten, Ismail Kadarenë?
Ke disa detyrime kur je person publik. Unë mund të them mos më çani kryet, merruni ju, bëni ç’të doni, unë jam shkrimtar e nuk merrem, por herë pas here duhet të merresh, kur mashtrimi bëhet kaq publik, kur kalon çdo kufi, saqë është mëkat ta lësh të përhapet akoma më shumë. Më vjen turp ta përmend si shembull, se është fare vulgar, por është hapur një legjendë sikur unë paskam sharë refugjatët shqiptarë. U bë gati gjë zyrtare, u detyrova të ndërhyj dhe nuk ia dola. Mashtrimi ishte aq i fortë, saqë e mundi të vërtetën. Kohët e fundit ndodhi një ngatërresë me një revistë të huaj, i doli emri dikujt, e ky mashtrim u vu në revistë ndërkombëtare. Revista më pas kërkoi ndjesë. Është mirë kur ka raste të tilla, të ndërhysh. Rasti i shkrimtarëve që kanë krijuar në mungesë të lirisë, në robëri, kjo është gjithashtu, një nga rastet e mashtrimeve, që kanë prirje të bëhen zotëruese. Thuhet, se ne që kemi shkruar në atë kohë, vetvetiu kemi bërë letërsi të keqe, ose letërsi që s’ka pse të jetojë më. Ky problem duhet sqaruar. Letërsia është absolutisht shpërfillëse nga regjimi shoqëror. Regjimi mund t’i bjerë në qafë, mund ta fusë në burg, ta pushkatojë shkrimtarin, ta torturojë, por s’ka ç’i bën letërsisë, nuk e ndryshon dot letërsinë. Fakt që në kohën e Stalinit, në ish-Bashkimin Sovjetik janë bërë tmerret më të mëdha dhe prapë shkrimtarët më të shquar të shekullit janë ata, që kanë jetuar nën presionin stalinist. Letërsia është kundërshtim i tiranisë. Nëse është letërsi normale, është antitiranike. Vetëm letërsia e keqe nuk është as antitiranike, nuk është asgjë në të vërtetë.
Në fakt nuk kanë dashur të thonë se letërsia juaj ishte e keqe, kanë dashur të thonë se letërsia juaj, ju bën juve përfaqësues të realizmit socialist.
Kjo s’ka asnjë kuptim. Çfarë kuptimi ka termi realizëm socialist? Realizmi i kohës së socializmit është fare normal. Letërsi e kohës së komunizmit, letërsi e realizmit socialist është letërsia që u krijua në atë kohë. Kjo fjalë as e dëmton, as e justifikon, as e lavdëron, nuk bën asgjë, është thjesht një term që e tregon, asgjë tjetër. Këto janë thjesht spekulime të pafundme që bëhen. Disa thonë se na mbytën këto shkrimtarët e realizmit socialist, disa thonë se këta shkrimtarë kanë mbetur po ata korifenj edhe sot. Po kush i cakton këta si korifenj? Letërsia ka ligjet e saj, s’ke ç’i bën ti si shtet. Letërsinë nuk e prish dot regjimi, letërsinë e prishin vet shkrimtarët. Pra, nëse një regjim fabrikon shkrimtarë të pandërgjegjshëm, vetëm ata mund ta prishin letërsinë. Ashtu si një mur; nuk ke nevojë ta rrëzosh duke e goditur me top, me artileri, por i vë tulla të këqija, që kur të kalojë pak kohë, të rrëzohet vetë. Pra, po ne mund ta prishim letërsinë, po ne mund ta ndreqim. Ne jemi përgjegjës për të këqijat e saj, ne kemi meritën për të mirat e saj, ne shkrimtarët. Askush tjetër… Letërsia nuk ka asnjë detyrim për të shpjeguar gjëra, absolutisht. Mjerë ajo letërsi që është e detyruar të krijohet për të shpjeguar.
Mua më bëri shumë përshtypje mbyllja, dedikimi ndaj vajzave, por atyre vajzave të cilat ne nuk i përmendim. Një poezi më vete për ato, vajzat e rrugës.
Unë e kam pasur gjithmonë këtë, s’do ta quaj obsesion, këtë ndjeshmëri për vajzat dhe gratë shqiptare, të cilave kombi shqiptar iu ka një detyrim të madh moral. Do të vazhdojë një kohë të gjatë derisa ta shlyejë në art, duke rikujtuar fatin e tyre, gjithmonë më të vështirë sesa pjesa tjetër e kombit. Për shembull, po flitet në Kosovë, por është folur shumë pak për atë barrë që u ra vajzave dhe grave shqiptare, barra e përdhunimit, u mbajt heshtje, e dëmtueshme kjo për lirinë e Kosovës. Gjithmonë ka qenë një barrë, që vajzat shqiptare dhe gratë shqiptare e kanë mbajtur në heshtje dhe prandaj, unë kam shkruar atë version në fund të librit, atë version të Urës së Qabesë. S’kam ndonjë merak që të ruaj nderin e kombit ose ta përlyej duke përmendur prostitutat shqiptare. Madje, në një studim për Dante Aligierin e kam mbyllur me një prostitutë shqiptare që e ka emrin Beatriçe, që duket paradoks i madh, figurën më të hyjnueshme në letërsinë botërore, një klient italian me një prostitutë shqiptare që e pyet si e ke emrin, e ajo i thotë Beatriçe. E di çdo të thotë Beatriçe? E di, i thotë ajo, e kam mësuar në shkollë. Duket kuriozitet, por është një tragjedi, tregon një ndriçim të brendshëm të një populli.
16 shkurt 2015 /Gazeta Liberale