
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas marrjes së detyrës së Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj.
“Për hajër", shkruan Rama në rrjetet sociale, ndërsa poston edhe disa foto nga ceremonia e betimit të Begaj.
Begaj, gjatë fjalës së tij të parë pas marrjes së detyrës në presidencë tha se, do të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe interesit të Shqipërisë.
“I nderuar zoti Meta, e nderuar zonja Kryetare e Kuvendit, i nderuar zoti kryeministër, e nderuar zonja Osmani, të nderuar miq e të ftuar, të dashur qytetarë! Ju falënderoj për pjesëmarrjen. Falënderoj presidentin meta për përmbushjen e detyrës, komunikimin profesional që pata gjatë kohës që isha Shef i FA. Për mua sot është ditë e veçantë, dita më e rëndësishme e jetës time. Jam para jush, dhe drejtohem me nderin më të madh të një individi. Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve të Shqipërisë, partnerëve dhe familjes time. Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, për të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë. Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit kombëtar“, u shpreh Begaj.
Bajram Begaj u zgjodh president i ri i Shqipërisë më 4 qershor me 78 vota. Ai do të pasojë në detyrë presidentin Ilir Meta.