Një parfum më vlerë 3.700 lekë i lënë pa dëshirën e saj në zyrën e një prokuroreje të Elbasanit, është bërë strumbullar i një hetimi të SPAK, pas dyshimeve për një rast korrupsioni.
Por pas një viti hetim, ku SPAK ka pyetur personat pjesëmarrës, këqyrur telefonat e tyre, analizuar pamjet e kamerave të sigurisë të Prokurorisë së Elbasanit ka dalë në përfundimin së korrupsioni nuk ekzistonte dhe së çështja duhet të pushohej.
Kërkesa e SPAK për pushimin e çështjes është pranuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka vlerësuar se nuk ekzistonin indicie apo prova të mjaftueshme, ku të bazohej dyshimi për një aferë të paligjshme. Referuar vendimit të gjykatës, të siguruar nga A2, historia e ka zanafillën në 4 dhjetor 2023, ku Arben Kotollaku, oficer i Policisë gjyqësore të Elbasanit ka shkuar në zyrën e prokurores, Glenda Zeneli.
Oficeri ka nxjerrë një send nga xhepi, duke i thënë prokurores se e kishte nga Ismail Q., një qytetar që gati 2 muaj më parë ishte arrestuar për “drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe kishte dalë në “detyrim për paraqitje” më kërkesë të saj.
Pavarësisht se prokurorja ka refuzuar, nuk ka mundur t’i kthente sendin oficerit që është larguar nxitimthi, moment i regjistruar nga kamerat e sigurisë së Prokurorisë. Në vijim, i telefonuar prej saj, oficeri është rikthyer, ku ka marrë jo vetëm sendin, që rezultoi të ishte një parfum, por edhe një vendim të prokurores për refuzimin e dhuratës, bazuar në ligjin “përpara ndalimin e konfliktit të interesit” dhe ka kërkuar ndjesë.
Situata është pasuar me nisjen e një hetimi për korrupsion në këtë prokurori, i kaluar më pas për kompetencë në SPAK. Gjatë hetimit, oficeri ka deklaruar se parfumin, e blerësi pas tij 3700 lekë, ia ka dhënë prokurores për respekt dhe jo si favor për ndonjë çështje hetimore.
Ndërsa Ismail Q., ka pohuar se nuk i ka dhënë ndonjë parfum për prokuroren oficerit Kotollaku. Sipas vendimit, hetimi 1 vjeçar i SPAK, nuk ka provuar ndonjë marrëveshje mes të dyve, apo qëllim për ndikim të paligjshëm tek prokurorja për ndonjë çështje të caktuar.(A2)