
Një 20-vjeçar zviceran është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi i ka vjedhur me dhunë aparatin celular një 52-vjeçari.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Rrugën e Barrikadave. Ndërkohë blutë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale aparatin celular të 52-vjeçarit.
“I vodhi me dhunë celularin një 52-vjeçari, në rrugë, gjatë një konflikti, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular i 52-vjeçarit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, ditën e djeshme, pas informacionit të marrë se në Rrugën e Barrikadave, një shtetas, ka vjedhur me dhunë aparatin celular një 52-vjeçari, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i hetimeve të shpejta hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 është lokalizuar dhe arrestuar shtetasin e huaj zvicerian J. K., 20 vjeç.
Ditën e djeshme, ky shtetas ka ndjekur 52-vjeçarin gjatë kohës që po kthehej për në banesë, dhe pasi e ka ndaluar është konfliktuar fizikisht me të dhe i ka marrë aparatin celularin. Aparati celular u gjet gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 20-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e policisë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.