
Një biznes në qytetin e Lushnjes, ka rënë pre e një grabitjeje gjatë natës.
Policia bën me dije se persona të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e një thertoreje në Njësinë Administrative të Golemit, ku kanë marrë kasafortën dhe një nga furgonat e kompanisë për të transportuar sendet e vjedhura.
Gjatë largimit, autorët kanë humbur kontrollin e mjetit dhe kanë dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal kullues. Pas incidentit, ata kanë braktisur automjetin dhe janë larguar me një tjetër mjet në drejtim të autostradës Lushnje-Rrogozhinë.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer veprimet hetimore, duke dokumentuar provat e mundshme që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar mjetin me të cilin hajdutët kanë mbërritur në vendngjarje. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.