Letërsi

Elida Rusta - “Një mijë vjet Ajkunë”

Shkruar nga Liberale

Alisa Velaj

Ndikimi i oralitetit në letërsinë e kultivuar është një proces i kahershëm. Në letërsinë shqipe, Eposi i Kreshnikëve ka ndikuar jo pak. Lënda mitologjike që gjakon në epos ka ngjizur përmasën fantastike dhe legjendare në një numër të konsiderueshëm prozatorësh dhe poetësh.

Libri me poezi “Një mijë vjet Ajkunë” i Elida Rustës i përket një rasti jo shumë të zakontë, ku formulat e eposit, përshkrimet që gjenden në të, toponimet, koha mitologjike, fantastikja dhe legjendarja në krejt arealin epik, merren nga autorja (kupto frymëzojnë) për t’u rishpirtëzuar, ose të gatshme, ose të përpunuara, në funksion të një lirike më së shumti erotike.

Vëllimi është prej fillimi në fund një këngë dhimbjebukur për gjakun e dashnisë dhe “për muzikën e vetme që ia ka lexu shpirtin poetes”. Përhumbja nëpër stinë, qiej, bjeshkë, dritë që fiket kadalë, errësirë ndjellakeqe, apo kudo nëpër natyrën ashpërsisht e mrekullisht të dashur, është përhumbja e unit lirik që dëshiron ta shpallë ngado dëshminë e dashurisë së tij ëmbëlake e tmerrësisht pushtuese. Rusta nuk i këndon vetëm dashurisë së saj, por edhe dashurisë së të dashurit për të, përmes një dialogu të drejtpërdrejtë, ku femra merr përsipër të ngjizë botën e saj dhe të tjetrit, me veten pa tjetrin dhe me tjetrin pa dashurinë e saj.

Madje guxon të portretizojë veten në sy të botës, të dashurit dhe dashurisë. Në gjithë këtë shpirtëzim të lëndës epike në asht të poezisë lirike dhe në këtë procedim të unit lirik të dashuruar, poetja ka një brum poetik krejt të sajin. Atipike në mënyrën se si e krijon dialogun më të dashurin, a thua se kemi të bëjmë me një lloj komunikimi të dy heronjve në epos. Dialogim që nuk lë shteg për kurrfarë dyshimi apo aludimi të pikëllimës e mallit. Me ndryshimin se dialoguesit nuk janë dy, por është vetëm uni lirik që dialogon me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e dashurisë, sikur vetë ajo, dashuria, të jetë e metamorfizuar në një shkëmb dhimbje apo në një valë të tërbuar lumi pasioni.

Njëmijë vjeçe jam fëmijë e dalë dathë

Njëmijë vjeçe e re, zhytun në tinguj simfonish

U bije yjeve me za e i dirigjoj me frymë

Performoj melodi fatesh në lotin e paterun të Ajkunës.

Njëmijë vjet nata u nxi

Njëmijë vjet malli lisat i ka rrzu

N’Lugje t’Verdha m’kanë mbetë dashnitë

***

Mbi krye të Omerit të Ri i mësoj botës alfabetin

Rrahjet ia qepi njëjtë me zemër

Unë e bukura e Tokës që ngjaj me t’bukurën e qiellit. Unë e bukura e Tokës

Poetja vjen delikate dhe egërshane në ngjizjen e ndjenjave e epsheve, me një shpirt që luhatet mes kujes epike që rrok tokën, majat e maleve e krejt qiellin sipër tyre, dhe zemrën e ashtin e ligështuar sa më s’ka nga kujtesa e një qenieje të dashur, e cila rrokulliset e rrokulliset si shkëmb nëpër honet e një të tashmeje të patjetërsueshme. Egërshania pulson në përflakjen e imagjinatës erotike për kujtime të jetuara apo etshëm sërish të dëshiruara, ndërsa merr nuanca të atij dëshpërimi që nuk e duron dot mungesën. Një lloj dëshpërimi i mpiksur me mëri gërryese. Mëria plot mllef e Mujit në vargjet “Shtat'qind vjet kam për t’i djegur kullat/Do të t'i vras qentë shtat'qind vjet”, duket se ridimensionohet në këtë lirikë për të konfiguruar tri elementë thelbësorë të saj; të tashmen mitike si mpleksje e kohës së shkuar dhe asaj të ardhme për ta hymnizuar dashurinë në të tëra kohët, hiperbolizimin e kohës si funksion estetik të poezisë dhe shtrirjen e veprimit/ndijimit në një kohë mitologjike, si një lloj mospranimi se dashuria dikur, diku, ka sosur së qeni.

Ka do kohë

Nuk shkruaj për dashni.

Shkruj veç për ty.

Ka do kohë që t’gjuj me zogj

copash i baj po s’mbrrijnë te ti.

Ka do kohë që nadjeve të përhime

dergjem me t’pasë.

Poetja e shpalos të qenit femër në tërë thellësinë dhe gjerësinë e kësaj fjale. Ajo i këndon humbjeve me të tillë natyrshmëri si edhe përtëritjeve. E zbulon shpirtin deri në thelbin e tij, me një kumbim ku fjalët miklohen deri në kufijtë e lakuriqësisë së kuptimeve. Një eros i bukur që ndjell e përcjell emocione të thella. Eros ku e tejpashmja nuk është lehtësisht e prekshme, pasi merr një tjetër formë kur lexuesit i krijohet iluzioni optik se e ka “pronësuar” pamjen e gjallë. Është kjo lloj lirike erotike, diku në pragun mes ndjenjës së thellë dhe epshndjelljes, që e dallon dukshëm Rustën mes shumë poeteve të tjera shqiptare, të cilat rrokin ose përmasën e parë, ose të dytën në një kontekst shpeshherë banal.

Rusta sjell një lëndë shumë origjinale në këtë lumë botimesh, Që në rastin më të mirë, kur duket se poezia ka një lloj cilësie, ajo rreh më tepër të shkruhet sipas modelit të një tjetër autori. Origjinaliteti poetik dhe femërorja e trajtuar në një këndvështrim po aq përjashtimor, e bëjnë vëllimin “Një mijë vjet Ajkunë” një këmbanë të bukur që na kumton se poezia mund dhe duhet të shkruhet përmes një muze që i gjen natyrshëm gurrat e veta për të njomur buzët e saj.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH