Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore u kremtua në IKTK përmes një ekspozite fotografike , si homazh për ata që punuan për zbulimin, restaurimin, promovimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ata që e vijojnë sot këtë mision. Ministrja Margariti theksoi rëndësinë e konservimit dhe restaurimit, ndërsa tha se tashmë trajnimet do të bëhen përmes Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore
Ka qenë më shumë se një çast dokumentimi ai i fotografit ndërsa mbërthente në lente dritën që derdhej nga kubeja e Kishës së Shën Kollit në Mesopotam dhe lante kryet e një burri, i cili ngjante se sapo kish marrë një detyrë të shenjtë e niset të dalë nga një portë, e ngjyer me dritë edhe më të fuqishme...Ishte viti 1969 dhe Shqipëria kishte dy vjet që i kishte shpallur luftë besimeve fetare e objekteve të kultit, por ai dhe kolegët e tij kishin nisur një tjetër luftë: për t’i mbrojtur.
Në të dhënat e arkivit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore fotografia mbante autorësinë e R.Veselit, por asgjë rreth subjektit që shfaqte. U përzgjodh si një nga ndoshta më emblematiket për ekspozitën “Brez pas Brezi” dhe stafi i IKTK-së iu drejtua për një informacion më të hollësishëm një prej njerëzve që është histori e gjallë e punës për trashëgiminë kulturore. Pasi e këqyri mirë, profesor Aleksandër Meksi tha: ky burri jam unë!
Me këtë episod, drejtoresha e IKTK-së, Klesta Qirici çeli ekspozitën me fotografi, në hollin e Ministrisë së Kulturës, organizuar më 2 tetor. Një ekspozitë për ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë, e cilësoi Qirici. “Ata që janë midis nesh, ata që nuk janë midis nesh”, shtoi ajo.
Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore u kremtua këtë herë përmes një ekspozite, që erdhi si homazh për të shkuarën dhe frymëzim për të ardhmen, duke kujtuar rëndësinë e ruajtjes së thesareve kulturore.
Ata që punuan për zbulimin, restaurimin, promovimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ata që e vijojnë sot këtë mision, në një rrugëtim imazhesh që shtrihet në gjashtë dekada punë.
Fotografi nga çaste pune të stafeve dhe ekipeve ndër vite të Institutit të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, por edhe imazhe të disa prej pasurive materiale – site, ura e kisha mesjetare. Foto nga Ura e Mesit në Shkodër, ajo e Katiut në Përmet, e Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë, Kisha e Shën Kollit Mesopotam, ajo e Labovës së Kryqit apo e Shën Gjon Vladimirit dhe shumë e shumë pasuri të tjera materiale.
Në një prej fotografive shfaqet edhe Gani Strazimiri, arkitekti dhe themeluesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, në vitin 1965. Një tjetër foto shfaq stafin e këtij Instituti në vitin 1966, një vit pas krijimit.
Ekspozitën e përshëndeti edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila hapi dyert dhe u bë mikpritësja e kësaj ekspozite në mjediset e ministrisë. Ajo tha se kjo hapësirë ka shërbyer jo rrallë herë për të promovuar artistë që nuk gjejnë hapësira në galeri të mëdha. Ky rast shërbeu për të celebruar jo vetëm pasurinë dhe trashëgiminë kulturore, por edhe punën e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Ministrja Margariti theksoi rëndësinë e specialistëve të fushës, ndërsa tha se tashmë trajnimet do të bëhen përmes Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. E miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në korrik të këtij viti, kjo qendër do të formojë dhe përditësojë njohuritë e restauratorëve dhe subjekteve të licencuara, sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore, si edhe do të hartojë e zbatojë programe për kualifikimin e specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale.
E shtrirë në të gjithë republikën e Shqipërisë, kjo qendër do të ofrojë programe, trajnime, seminare, kurse të formimit profesional në fushën e trashëgimisë kulturore, po edhe do të ofrojë programe të formimit fillestar si fizikisht, ashtu edhe nëpërmjet platformave digjitale, paketës e-learning. Krahas hartimit dhe zbatimit të programeve të kualifikimit në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, administrimit të procesit të marrjes së krediteve për përfitimin e licencave profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore, kjo qendër synon të rritë edhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me trashëgiminë kulturore, teknikat e konservimit, restaurimit, si dhe menaxhimit të pasurive kulturore materiale.
Në vitin 2003, u caktua që Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore të ishte 29 shtatori. Ditë që përkujton aktin patriotik të ushtarakëve Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apolonisë, në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ata që IKTK i cilëson si kujdestarë të trashëgimisë kulturore, specialistë dhe profesorë të shquar si Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Valter Shtylla e Zef Çuni ishin të pranishëm në ekspozitë.
Profesorët Meksi e Thomo ndanë me të pranishmit histori nga puna e tyre në terren, kushtet e vështira me të cilët punohej dikur, pasionin me të cilin i kushtoheshin misionit të tyre, si edhe episode mes kolegësh. Profesor Meksi theksoi rëndësinë e botimeve të fushës, ndërsa të ekspozuara ishin edhe disa botime ndër vite mbi arkitekturën apo monumentet në Shqipëri.