
Luhatjet e forta të kursit të këmbimit midis Lekut dhe monedhave të huaja (Euro, Dollar, etj.) kanë qenë thuajse çdo ditë lajmi kryesor në fushën e ekonomisë, dhe jo vetëm. Kjo nuk ka se si të jetë e rastësishme, nëse kihet parasysh shpejtësia e madhe me të cilën është zhvlerësuar Euro në raport me Lekun; konkretisht vetëm gjatë vitit 2023 Euro është nënçmuar mbi 12%, ndërkohë që brenda një viti kalendarik ky nënçmim, në ditë të caktuara ka arritur deri në 15%. Kjo situatë e nënçmimit të thellë të Euros nuk është e re në Shqipëri, pasi ajo ka ndodhur edhe më parë, por ajo që e dallon këtë radhë është shpejtësia me të cilën ky nënçmim ndodh, pra brenda një viti kalendarik. Sigurisht, kjo nuk është një situatë normale dhe dukshëm nuk vjen nga ndonjë “mrekulli” e ekonomisë shqiptare, në terma të kalimit të saj si ekonomi eksporti, nga rritja spektakolare e investimeve të huaja, apo rritja thelbësore e produktivitetit të punonjësve dhe sipërmarrjes shqiptare.
Tashmë janë më se familjare për të gjithë shpjegimet dhe argumentet e shumta që janë artikuluar nga instanca të ndryshme të qeverisë, Banka e Shqipërisë, por dhe ekspertët apo specialistët e ekonomisë dhe sistemit apo tregut financiar, lidhur me këtë nënçmim kaq të fortë dhe të shpejtë të Euros në raport me Lekun.
Nga këndvështrimi makroekonomik, sigurisht që një pjesë e këtij nënçmimi shpjegohet me fondamentet ekonomike, pra ato elemente dhe faktorë të ekonomisë reale, përmirësimi i të cilëve kanë ndikuar në një forcim relativ të Lekut ndaj monedhave të huaja, të tilla si:
Përmirësimi relativ i bilancit tregtar (paçka se Shqipëria vijon të mbetet një vend me bilanc tregtar negativ),
Rritja e vazhdueshme e investimeve të huaja nga jo-rezidentët (të huajt), kryesisht në pasuri të paluajtshme,
Fluksi gjithnjë në rritje i turistëve të huaj, me efekte gjatë gjithë vitit dhe jo sezonale,
Vijueshmëria në nivele të larta të dërgesave të emigrantëve dhe të ardhurat që sjellin rezidentët (qytetarët shqiptarë me banim faktik në Shqipëri), por që largohen përkohësisht me kontrata pune jashtë Shqipërisë.
Duhet pranuar që ekonomia shqiptare, përtej problematikave dhe deformimeve të shumta që ka në formë dhe strukturë, ka arritur gjatë 4-5 viteve të fundit të sigurojë përmirësime dhe rritje (në këto elemente), duke ndikuar pashmangshmërisht në forcimin relativ të Lekut në tregun vendas. Gjithsesi, shpejtësia me të cilën është nënçmuar Euro ndaj Lekut gjatë vitit të fundit (kalendarik) dhe atij aktual, në kushtet kur ekonomia vendase nuk ka rritje të qenësishme të produktivitetit, apo nuk është një ekonomi me orientim eksporti, lë shteg për konsiderimin e të tjerë faktorëve, të cilët drejtpërdrejt apo tërthorazi shpjegojnë këtë nënçmim të shpejtë të Euros ndaj Lekut. Sigurisht që, për ta bërë panoramën më të qartë, ose për të shpjeguar të gjithë efektin nënçmues që ka përjetuar Euro në treg, duhet të evidentohen edhe elemente, apo faktorë të tjerë, përpos fondamenteve ekonomike të mësipërme, që për fat të keq lidhen me:
shkallën relativisht të lartë të ekonomisë informale në Shqipëri,
hyrjen masive dhe të pandërprerë të flukseve të parave nga veprimtari të dyshimta dhe kriminale, apo të ashtuquajtuara “paratë e pista” në ekonominë kombëtare.
Teknikisht ndikimi i këtyre dy elementeve të fundit është i vështirë të matet, apo të jepet një shifër e saktë, por prania e tyre në treg është evidente dhe i jep shpjegimin dhe formën e plotë mozaikut nënçmues të fortë e të shpejtë të Euros në ekonominë kombëtare. Konkretisht, një lakmus cilësor që evidenton praninë gjithnjë e në rritje të këtyre parave janë rritja galopante e dhënies së lejeve të ndërtimit kudo në Shqipëri, që nuk mbështetet realisht në kërkesën e brendshme për strehim (nga një popullatë gjithnjë e më shumë në rënie dhe largim nga Shqipëria) dhe as në rritjen e kërkesës nga jo-rezidentët. Gjithashtu, rritja jashtë realitetit dhe logjikës normale të çmimeve të pasurive të patundshme (përtej rritjes së kostos së punës, materialeve të ndërtimit dhe lëndëve të para) dëshmon për një kërkesë jo-natyrale të ekonomisë, por një kërkesë joelastike, që vjen nga paratë informale, të cilat kërkojnë me çdo kusht e çdo çmim të pastrohen dhe të zyrtarizohen.
Problematikat e nënçmimit të fortë të Euros në ekonominë kombëtare
Në parantezë, duhet theksuar se sipërmarrja në çdo ekonomi të hapur kapitaliste ndeshet me një mori rreziqesh sistematike dhe jo-sistematike, afatshkurtra dhe afatgjata, gjatë rrugëtimit të saj në biznes dhe ekonomi, ku rreziku i kursit të këmbimit mbetet një prej rreziqeve me ndikim të përhershëm, shumë kompleks, i shtrenjtë e i vështirë për t’u menaxhuar. Përballja me këtë rrezik dhe ndikimi i tij në grupe të ndryshme interesi dhe operatorësh ekonomikë është i ndryshëm në kohë dhe situata të ndryshme.
Konkretisht, importuesit dhe eksportuesit ndikohen në mënyra të ndryshme nga mbiçmimi ose nënçmimi i monedhës vendase, madje ata ndikohen në mënyrë asimetrike nga këto luhatje, ku situata është përherë më e vështirë dhe e kushtueshme të menaxhohet nga eksportuesit sesa nga importuesit, të cilët (importuesit) kanë mundësinë dhe fuqinë që, kostot e këtij rreziku, t’i transferojnë relativisht më lehtë te konsumatorët finalë. Aq më tepër që, në një vend si Shqipëria, ku për shumë mallra importi mungojnë zëvendësuesit e afërt, importuesit janë thuajse në pozita monopol për të diktuar çmimet sipas luhatjeve të kursit të këmbimit, pa marrë përsipër asnjë lloj ekspozimi ndaj këtij rreziku. Për më tepër, në kushtet e një ekonomie të deformuar dhe me mungesë të theksuar konkurrence, siç është ekonomia shqiptare, importuesit e kanë shumë të lehtë të aplikojnë një kurs shumë të lartë dhe jorealist këmbimi për mallrat e importuara (p.sh.: në Shqipëri është fakt që importuesit për mallrat finalë (te tregtarët e pakicës) aplikojnë aktualisht një kurs fiks këmbimi dukshëm më të lartë sesa ai aktuali (pavarësisht se këtu e 7-8 vjet rresht kursi ka qenë më poshtë se ky nivel), duke siguruar abuzivisht një fitim ekstra në kurriz të konsumatorit.
Po cilat janë problematikat që shoqërojnë një nënçmim kaq të fortë dhe të shpejtë të Euros në ekonominë kombëtare?
Natyrisht që, përtej kostos padrejtësisht të lartë me të cilën ngarkohen konsumatorët nga abuzivizmi i importuesve, të tjera probleme madhore krijohen nga ky nënçmim i shpejtë dhe i fortë i Euros në ekonominë kombëtare, si:
Absorbimi i humbjeve nga kursi i këmbimit prej eksportuesve, si problemi kryesor i identifikuar në ekonomi, ku pikërisht eksportuesit kanë fare pak mundësi, apo aspak, për të minimizuar efektet e tij brenda një periudhe të shkurtër kohe, qoftë kjo edhe një vit. E këto humbje nuk janë humbje kontabël, por reale. Humbjet e tyre përforcohen edhe nga fakti i mungesës së plotë të përdorimit të kontratave financiare “forward” apo “futures”, kontrata këto që mund të amortizonin humbjet e forta dhe të vazhdueshme të tyre, por që fatkeqësisht nuk janë përdorur thuajse fare (në fakt kanë thuajse zero përdorim) nga eksportuesit, pasi në praktikën e biznesit shqiptar këto instrumente, apo këshillat profesionale mund të jenë konsideruar si kosto të tepërta dhe të pakuptimta. Sot e mot eksportuesit po marrin leksionin e hidhur të mospërdorimit prej shumë vitesh të tyre dhe të angazhimit të ekspertizës në këtë drejtim. Situata e tyre duket se ka arritur vërtet në një pikë shumë problematike, nisur nga reagimet e tyre te forta kohët e fundit, duke arritur deri në ultimatum ndaj qeverisë për protesta, nëse kjo e fundit nuk i kompenson për humbjet e një viti kalendarik, si dhe shkresa më e fundit zyrtare, drejtuar FMN-së dhe Bankës Botërore, lidhur po me këtë problematikë.
Familjet e emigrantëve dhe kursimtarët në monedhë të huaj duket se janë humbësit e tjerë të mëdhenj nga ky nënçmim i fortë dhe i shpejtë i euro-s, të cilët po shohin se kursimet e tyre (nëse do të mund të përdoreshin) do të pësonin një humbje vlerë të konsiderueshme.
Ofruesit e shërbimeve të mikpritjes, një tjetër kategori që po përjeton në mënyrë disi më të tërthortë, por të sigurt, humbjen nga ky nënçmim, të cilët janë të detyruar të blejnë mallra dhe shërbime në tregun vendas kryesisht me Lek, duke e këmbyer atë me një euro gjithnjë e më të dobët.
Cilët janë përfituesit neto nga ky nënçmim i Euros?
Përfituesit nga një Lek kaq i fortë në ekonomi janë disa grupe interesi, ku padyshim Qeveria, jo vetëm ka ulur (kontabilisht) madhësinë e borxhit të jashtëm (i cili merret në monedhë të huaj, por kontabilizohet në Lek), por ka ulur edhe koston e shërbimit të tij, po për të njëjtën arsye. Zvogëlimi me mbi 12% i madhësisë së borxhit publik dhe i kostos së shërbimit të tij është një avantazh dhe mundësi e artë për çdo qeveri, sidomos në kushtet kur për këtë zvogëlim nuk janë bërë përpjekje dhe sakrifica buxhetore, ekonomike dhe politike, madje mund të marketohet dhe trumbetohet si një arritje e qeverisë, falë punës së saj të mirë (!)
Grupi tjetër i madh i interesit që përfiton nga një situatë e tillë janë Importuesit, për ato arsye që u listuan pak më lart. Ky grup shpreson dhe uron që një nënçmim i tillë jo vetëm të vijojë, por edhe të thellohet sa me shumë, duke rritur kështu proporcionalisht fitimin prej kursit të këmbimit, pasi çmimet finale të mallrave dhe shërbimeve faturohen gjithmonë me një kurs tejet më të lartë sesa ai aktuali. Tërthorazi dhe heshturazi, ky është dhe një shërbim që i bëhet qeverisë, e cila ka mundësi të arkëtojë TVSH dhe akciza më të larta, për shkak të mbajtjes së çmimeve në një nivel të lartë gjatë gjithë kohës. Me fjalë të tjera, importuesit janë të detyruar të ndajnë këtë fitim që vjen nga nënçmimi i Euros me qeverinë, duke u bërë partnerët dhe ndihmësit më të mirë të saj, natyrisht duke futur edhe më thellë dorën në xhepat e konsumatorit shqiptar, pa ofruar asnjë lloj përmirësimi në ekonomi, mirëqenie dhe të bërit biznes.
Së fundi, po jo më pak të rëndësishëm, janë kategoria e huamarrësve që kanë marrë hua në monedhë të huaj dhe që të ardhurat e tyre kryesore i kanë në Lek. Kjo kategori po përjeton një lehtësim thelbësor të madhësisë së kësteve të huave, duke amortizuar kështu thuajse krejtësisht rritjet e shpeshta të normave të interesit të huave të tyre në monedhë të huaj. Shpresat e këtyre huamarrësve janë që Leku të mund të forcohet sa më shumë të jetë e mundur, për të vijuar të gëzojnë avantazhin e kursit të këmbimit.
Pasojat mbi eksportuesit
Përtej evidentimit të humbësve dhe përfituesve nga ky nënçmim i monedhave të huaja, duhet theksuar se, një situatë e tillë në tregun e brendshëm valutor ka dhe do të vijojë të ketë pasoja afatgjata në mënyrën dhe formën e të bërit biznes në Shqipëri, pozicionimin e sipërmarrjes në treg, modelet e biznesit dhe ato të ndërtimit të kostos. Pashmangshmërisht eksportuesit, si humbësit neto më të mëdhenj, do të duhet të ripozicionojnë qasjen e tyre në biznes, ku një pjesë e tyre, nëse një zhvlerësim i tillë vijon, ose nuk stabilizohet, do të dalin nga biznesi, ose do të jenë jokonkurrues në tregjet ndërkombëtare dhe në afatgjatë do të dalin nga biznesi. Kjo do të bëjë që ata të kenë vështirësi në planet e reja të biznesit për zgjerimin e tyre, aplikimet për hua dhe blerje teknologjish të reja, e sigurisht për akordimin e pagave më të larta për punonjësit, duke humbur kështu aftësitë e fuqisë punëtore aktuale dhe rritur kostot e trajnimit dhe përgatitjes së fuqisë së re punëtore, e cila do të jetë dukshëm më pak profesioniste, por do të pretendoje dhe negocioje paga më të larta, që nuk lidhen në përpjesëtim të drejtë me produktivitetin e punës së saj.
Gjithashtu, do dekurajohet veprimtaria prodhuese dhe eksportuese, pasi dukshëm i vetmi biznes që jo vetëm nuk përjeton humbje, por dhe nuk kërkon kosto shtesë, është ai i IMPORTIT. Kjo do të asgjësojë dhe zhbëjë të gjithë përpjekjet ndër vite për rekrutim të fuqisë punëtore në veprimtaritë prodhuese me orientim eksporti, duke e shtyrë atë drejt shërbimeve dhe tregtisë.
Logjikshëm ky nënçmim i fortë i Euros ka frenuar nivelin e inflacionit në ekonominë kombëtare, por për arsyet e cekura më lart, konsumatori shqiptar asnjëherë nuk ka përjetuar ndonjë ulje të çmimeve të produkteve finale (atyre të importit) gjatë këtyre 5-6 viteve të fundit, që kur filloi nënçmimi i pandalshëm i Euros, përkundrazi ato vetëm janë rritur, nën pretendimin e rritjes së përgjithshme të çmimeve në vendet nga ku importon Shqipëria. Ndërkohë, kur çmimet e këtyre mallrave bien në vendet nga ku importon Shqipëria, kjo jo vetëm nuk pasqyrohet në Shqipëri, por mbajtja në nivele të larta të tyre justifikohet me pretendimin e rritjes së pagave në ekonomi (a thua se vetëm në Shqipëri janë rritur pagat –pagat e punonjësve shqiptare që nuk kanë të krahasuar në madhësi dhe rritje me ato të punonjësve në vendet nga importon Shqipëria!) Pra argumenti i ndikimit pozitiv të Lekut të fortë në ekonomi, si amortizues i inflacionit të importuar, i ngjan pretendimit të mbylljes së dritares për të mos hyrë ajri i ftohtë, por i lënies së derës hapur (!), ose “humbasim 10 lek nga kursi, por kemi fituar 3 lek nga inflacioni”!
Euroizimi i njëanshëm – varkë shpëtimi apo skenar fantastiko-shkencor?
Në këtë mjedis ekonomik kaq acid, të përjetuar nga humbësit prej nënçmimit të Euros, janë hedhur për diskutim disa manovra ekonomike, por jo vetëm, lidhur me evitimin apo minimizimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Përtej kërkesave jo fort të argumentuara dhe serioze të eksportuesve, drejtuar Qeverisë (ku më e habitshmja dhe më joseriozja ishte kërkesa ultimative për kompensim nga buxheti i shtetit të humbjeve vjetore të eksportuesve në masën 15%) dhe Bankës së Shqipërisë, për të ndërhyrë në çdo kohë dhe pa objektiv të synuar kursi këmbimi (pra vetëm që të mos bjerë kursi i këmbimit – në fakt cili nivel do ishte optimal sipas eksportuesve dhe ekspertëve të ekonomisë!?), propozimi që po artikulohet më shumë është ai i Euroizimit unilateral (të njëanshëm) të ekonomisë shqiptare, si lëvizja që do shpëtonte eksportuesit dhe ekonominë shqiptare nga përballja dhe efektet negative të kursit të këmbimit.
Në dukje, një lëvizje e tillë mund të duket interesante dhe efikase, nisur dhe nga fakti se ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë të euroizimit, konsumatori është familjarizuar me përdorimin e Euros, tashmë e kemi paguar “haraçin” e adoptimit të saj në ekonominë kombëtare dhe nëse ajo aplikohet do të zhdukim menjëherë përballjen me rrezikun e kursit të këmbimit. Kjo qasje është interesante dhe e bukur…por vetëm në nivel teorik, konsum mediatik dhe debat propagandistik, pasi në praktikë një lëvizje dhe masë e tillë, euroizimi i njëanshëm, nuk mund të ndërmerret nga Qeveria dhe Banka e Shqipërisë, për arsyet e mëposhtme:
Shqipëria ka pasur dhe ka një monedhë kombëtare, si dhe sovranitet monetar, si para ashtu dhe pas hyrjes së Euros në sistemin financiar europian dhe atë ndërkombëtar. Eksperienca e euroizimit të njëanshëm nga Mali i Zi dhe Republika e Kosovës, apo prej minishteteve europiane (Vatikani, Andorra, Monako dhe San Marino), sipas marrëveshjes monetare me BQE-në, që sillet si argument apo si rast për ndjekje nga Shqipëria, nuk mund të krahasohet me situatën e Shqipërisë, pasi të gjitha këto shtete, para hyrjes së Euros fizike në qarkullim, ose nuk kanë pasur një monedhë të tyre kombëtare dhe kanë përdorur monedhën e një shteti të Bashkimit Evropian dhe të Eurozonës (konkretisht Markën gjermane, Frangën franceze, Pesetën Spanjolle), ose e kanë pasur të lidhur/ankoruar monedhën vendase me një prej monedhave të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës (Liretën italiane), kështu që teknikisht heqja e këtyre monedhave kombëtare do i linte ekonomitë e tyre pa një monedhë funksionale dhe zgjidhja më e natyrshme do ishte adoptimi i Euros, qoftë me marrëveshje, ose unilaterale, por pa e ndaluar atë (nga BQE), si në rastin e Malit të Zi dhe Kosovës (që në fakt ishte një zgjedhje e detyruar gjeopolitike nga ana e BE-së dhe SHBA-ve, për të shmangur destabilitetin ekonomik dhe politik të këtyre vendeve nga Serbia gjatë procesit të shkëputjes së tyre nga ish-Jugosllavia). Pra, ofrimi i këtij modeli bie si argument, pasi nuk ka bazament dhe logjike funksionale.
Shqipëria ka hapur tashmë negociatat me Bashkimin Evropian. Ky proces kompleks nuk lejon teknikisht ndërmarrjen e hapave që konsistojnë në adoptimin e Euros si monedhë kombëtare, pasi vet procesi i integrimit e vendos integrimin në Eurozonë, vetëm pasi një vend kandidat bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, Kriteret e Konvergjencës drejt Euros (të njohura edhe si kriteret e Mastrihtit), janë kritere që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të plotësojnë për të hyrë në fazën e tretë të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar (EMU) dhe për të adoptuar Euron si monedhën e tyre kombëtare. Sigurisht ky proces nuk është i detyrueshëm (pra mund të jesh vend i BE-së, por nuk ke detyrim të adoptosh Euron si monedhë kombëtare), por e kundërta nuk mund të funksionojë: pra nuk mund të adoptosh Euron si monedhë kombëtare, pa qenë më parë vend i BE-së. Kjo është e panegociueshme në procesin e integrimit në BE dhe eksperienca e çdo shteti që i është bashkuar Eurozonës pas vitit 2000 nuk ka bërë euroizim të njëanshëm, por ka ndjekur procesin e gjatë të anëtarësimit në BE dhe më pas atë të hyrjes në ERM dhe më pas adoptimin zyrtar të Euros si monedhë kombëtare. Në kushte të tilla, BE, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane nuk kanë asnjë argument teknik, juridik dhe historik që të pranojnë ndonjë kërkesë zyrtare të Qeverisë Shqiptare, apo Bankës së Shqipërisë, për euroizim të njëanshëm të ekonomisë shqiptare, pasi Euro në Shqipëri është nënçmuar fort gjatë një viti dhe se disa grupe interesi po përjetojnë humbje nga një fakt i tillë, ndërkohë që ata nuk duan të përballen me rrezikun e kursit të këmbimit (!) Këto argumente, përveçse joserioze, janë të pakuptimta dhe të papërshtatshme për institucionet evropiane, në kuadër të procesit të integrimit në BE. Sigurisht duhet të jetë e qartë se, nëse Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë vendosin euroizim të njëanshëm pa marrëveshje me BQE-në, është e sigurt se procesi i filluar i negociatave me BE-në do të rrezikohet, për thyerje dhe moszbatim të kushteve të vendosura nga BE! Biznesi dhe sipërmarrja private në Shqipëri mund të vendosë për përdorimin e njëanshëm të Euros në të gjithë transaksionet Business-to-Business dhe Business-to-Person, por Qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk mund ta ndërmarrë një hap të tillë kurrsesi.
Ekonomia kombëtare shqiptare është larg përmbushjes së kritereve të konvergjencës që mundësojnë adoptimin e Euros në ekonominë kombëtare dhe do të duhet kohë që ajo të jetë gati për një kalim të tillë. Shqipëria ka ende shumë punë për të përmbushur në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme (e jo pjesërisht) të gjithë këto kritere (1. Stabiliteti i Çmimeve, 2. Financa Publike të Shëndosha dhe të Qëndrueshme, 3. Stabilitet të Kursit të Këmbimit dhe 4. Norma Interesi Afatgjata të Qëndrueshme)
Pra, Shqipëria, për të gjitha arsyet e mësipërme, pa përmendur edhe arsye të tjera, që lidhen me ekonomi tregu funksionale, etj., nuk mund të bëjë euroizim të njëanshëm, me gjithë dëshirën e mirë për një gjë të tillë.
Çfarë mund të bëhet për amortizimin e rrezikut të kursit të këmbimit dhe dëmeve në ekonominë kombëtare?
Masat dhe hapat që kërkohen të ndërmerren, apo që mund t’i vijnë në ndihmë ekonomisë dhe grupeve të interesit të prekur drejtpërdrejt nga një nënçmim i fortë dhe i shpejtë i Euros variojnë nga ato më të thjeshtat e më të shpejtat, deri te ato më komplekset dhe strategjiket. Këto masa janë thelbësisht të ndryshme nga ato të kërkuara nga eksportuesit, apo të propozuara nga qeveria, të cilat fatkeqësisht deri më sot dëshmojnë jo vetëm një mungesë njohurish profesionale në këtë fushë, por zbresin në nivel mungese serioziteti. Konkretisht masat që mund të konsiderohen në këtë drejtim janë:
Përdorimi i instrumenteve derivate, të tilla si: kontratat ne afat (forward) dhe ato të së ardhmes (future), apo dhe të mundësive (options). Instrumente të tilla përdorin masivisht të gjithë eksportuesit në të gjithë botën, por në Shqipëri ato ose nuk njihen ose nuk përdoren thuajse fare nga eksportuesit. Tashmë ka ardhur koha që këto instrumente të përdoren dhe të kërkohen nga eksportuesit për t’u përdorur në kuadër të biznesit të tyre. Lënia e biznesit krejtësisht të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit është joprofesionale dhe e dëmshme për biznesin. Dëmet e përjetuara nga vet këto biznese, në nivel qindra miliona euro, janë të pallogaritshme përballë kostove modeste të aplikimit të tyre. Sigurisht që kjo kërkon përgatitje profesionale dhe këshillim financiar, i cili mendohet se nuk mungon në tregun financiar shqiptar.
Marrja e disa masave teknike dhe rregullative nga Banka e Shqipërisë, si:
De-euroizimi rregullativ, e konkretisht dekurajimi i mëtejshëm i huamarrjes nga subjektet që i kanë të ardhurat në monedhë të ndryshme nga ajo e huas, përmes rritjes së shkallës së mbulimit me kolateral të huave në monedhë të huaj.
Emetimi i obligacioneve në Euro/Dollarë, si pjesë e ndërhyrjes së saj në tregun valutor dhe sterilizimit të prurjeve valutore në ekonomi. Një instrument i tillë amortizon më mirë trysnitë zhvlerësuese mbi monedhat e huaja dhe rrit pritshmërinë nga aktorët e tregut rreth luhatjeve të kursit të këmbimit, duke siguruar një stabilitet relativ më të madh sesa ndërhyrjet e drejtpërdrejta në treg. Si praktikë e mirë në këtë drejtim mund të përdorej ajo e Bankës së Sllovenisë gjatë viteve ’90.
Kufizimi i madhësisë së transaksioneve të këmbimit pranë zyrave të këmbimit. Këto zyra duhet të kufizohen fort në drejtim të kryerjes së transaksioneve në vlera të mëdha, duke ndaluar kategorikisht ato mbi një vlerë të caktuar, pasi roli dhe qëllimi i tyre është tregu i pakicës dhe individi e jo biznesi, pra transaksionet e biznesit duhet të dekurajohen të realizohen pranë këtyre zyrave dhe të kryhen vetëm pranë sporteleve të bankave, apo institucioneve financiare jo-banka.
Kontroll më i rreptë dhe mbikëqyrje më efektive nga DPPPP dhe organet e tjera ligjzbatuese, mbi të gjitha transaksionet e individëve dhe biznesve, kryesisht në fushën e ndërtimit, në monedhë të huaj. Veçanërisht sektori i ndërtimit duhet të jetë në një mbikëqyrje shumë të rreptë, pasi rezulton kanali më i përdorur i kanalizimit të parave dhe flukseve informale në ekonomi. Kjo masë duhet parë në kuadër më të gjerë të luftës pa kompromis ndaj shkallës shumë të lartë të ekonomisë informale, që megjithë procesin e fiskalizimit përsëri mbetet në nivele të larta dhe kërcënuese për ekonominë kombëtare dhe përbën një shtrat pjellor për flukset jashtëzakonisht të larta të qarkullimit të monedhave të huaja në ekonomi.
Konsiderimi në afatmesëm dhe afatgjatë, nga ana e Qeverisë, i anulimit dhe bërjes NUL të çdo lloj transaksioni në monedhë të huaj (Euro, etj.) në tregun e pasurive të paluajtshme dhe shitblerjen e produkteve, apo shërbimeve me vlerë të madhe (makineri, pajisje, autovetura, shërbime spitalore, etj.), në tregun e brendshëm dhe ekonominë kombëtare, duke de-eurozuar kështu defacto një pjesë të mirë të ekonomisë kombëtare. Kjo masë de-euroizuese, paçka se mund të duket si hap prapa në drejtim të lehtësisë së kryerjes së transaksioneve në ekonomi, apo integrimit me tregun evropian dhe ekonominë evropiane, është thelbësore për të kufizuar përdorimin masiv e madje kriminal të monedhave të huaja në ekonominë kombëtare, të cilat japin pikërisht këto efekte të padëshiruara për ato grupe interesi që preken negativisht nga kursi i këmbimit.
Përmbledhtazi, nëse duam që ekonomia kombëtare të mos përballet me goditjet e rrezikut të kursit të këmbimit, nëse duam një politikë monetare më efikase, brenda sovranitetit monetar që ka Shqipëria, e mbi të gjitha nëse duam ekonomi të hapur kapitaliste, duhet të pranojmë trilemën Mundell-Fleming (modelin Mundell-Fleming), që racionalisht thotë se: në një ekonomi (kryesisht të vogël dhe të hapur) nuk mund të aplikosh njëkohësisht:
një kurs këmbimi fiks,
lëvizje të lirë të kapitalit dhe
një politikë monetare të pavarur.
Ekonomia shqiptare, qeveria, Banka e Shqipërisë dhe të gjithë grupet e tjera të interesit, në punën dhe veprimtarinë e tyre të përditshme, duhet ta dinë se ekonomia dhe institucionet mund të aplikojë njëkohësisht vetëm dy nga këto tri elementë, por asnjëherë të tre njëkohësisht. Kjo do të thotë që nuk mund të përdorim avantazhet dhe lehtësitë që siguron Euro, pa pranuar edhe kostot që shoqërojnë përdorimin e saj në ekonominë kombëtare. Nëse duam të minimizojmë kostot, duhet të përgatitemi të kufizojmë edhe përftimet. Fatkeqësisht nuk mund të kufizojmë kostot dhe rrisim përfitimet njëkohësisht!!!