Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Klementin Mile: Utopia e një universiteti pa filozofi

Shkruar nga Liberale
EKSPERTIZË nga Klementin Mile: Utopia e një universiteti pa filozofi

Klementin Mile

“Ekonomia parashikohet të rritet me 3% vitin e ardhshëm”. “SHBA rrëzon balonën kineze, reagon Pekini”. “Tërmeti e godet përsëri Turqinë”. “Grabitet aeroporti në mes të ditës”. “Ukraina pret një ofensivë të re ruse këtë muaj”. “Esenca e njeriut është ekzistenca e tij”.

Kështu raportohen lajmet në masmedia: na thonë çfarë ka ndodhur sot, në mënyrë që të bëhemi gati për të nesërmen. Dhe këtu qëndron dobia e tyre. Duke na folur për ekonominë, na sugjerojnë çfarë të bëjmë me të ardhurat dhe investimet; duke na folur për konfliktet ndërkombëtare, na ndërgjegjësojnë për rreziqet dhe përfitimet e përfshirjes në njërin nga kampet; duke na folur për tërmetin, na tregojnë vende të pasigurta për të jetuar dhe pushuar; duke na folur për grabitje, na sugjerojnë rritje të masave të sigurisë; duke na folur për luftën, na vënë në dukje nevojën për të patur një plan B.

Në masmedia i gjen të gjitha këto lajme, përveç pohimit “Esenca e njeriut është ekzistenca e tij.” Këtë pohim nuk e gjen në masmedia sepse ai nuk është lajm. Ai nuk është lajm sepse nuk është i dobishëm, nuk na thotë çfarë ka ndodhur sot, në mënyrë që të bëhemi gati për të nesërmen. Ai është një pohim filozofik. Këtë pohim mund ta gjesh në librin Qenia dhe Koha të filozofit gjerman Heidegger dhe në diskutimet e ndonjë klubi filozofik si psh Shkolla Kontekstualiste UET. Gjatë vitit që lamë pas kjo shkollë organizoi takime të përjavshme krejt të padobishme. Në ato takime nuk u prodhua asnjë lajm – nuk u fol për atë që ndodh sot, por për atë që ndodh gjithmonë; nuk u sugjerua marrja e masave për të nesërmen, por kuptimi i ekzistencës sonë në të gjitha dimensionet e kohës.

I vetmi lajm që prodhoi kjo shkollë është vendimi për ta vazhduar aktivitetin e saj të padobishëm edhe në të ardhmen, por me një format më të ndryshëm, me takime të përmuajshme. Por le të kthehemi te dobia. Dikur Lenini pyeste “Ç’të bëjmë?”. Më vonë filozofi slloven Zizek pyeste “Ç’të bëjmë me Leninin?” Ne sot pyesim “Ç’të bëjmë me filozofinë?” A është filozofia tërësisht e padobishme dhe, për këtë arsye, vlen vetëm ta injorojmë dhe hedhim në koshin e mbeturinave? A nuk na mjaftojnë shkencat me metodologjinë, konceptet dhe teoritë e tyre?

Problemi është se një universitet që nuk do të kishte vend për filozofinë, në mungesë të saj as nuk do ta kuptonte vendin ku ishte. Fizikisht, ky universitet do të ekzistonte si një ndërtesë materiale dhe funksionalisht do të prodhonte dije të re dhe transmetim të dijes tradicionale. Por ky universitet nuk do të ekzistonte në një topos, ai nuk do të mund të tematizohej si i tillë dhe as nuk do të mund ta tematizonte veten si universitet. Mungesa e filozofisë do ta dënonte “universitetin” me një ekzistencë utopike dhe do ta degdiste në rendin e së dëshirueshmes, por, fatkeqësisht, jo reales. Arsyeja për këtë gjendet në vetë karakterin e praktikës së filozofisë.

Heidegger e përcakton filozofinë si diçka që, në mënyrë imediate, është e padobishme. Filozofia nuk mund të reformojë drejtësinë, as të tregojë rrugët e rritjes ekonomike, as të rekomandojë se si fitohen zgjedhjet. E megjithatë, shkruan Heidegger, edhe pse ne nuk mund të bëjmë ndonjë gjë me filozofinë, a nuk mund të bëjë ajo diçka me ne?

Është e vërtetë që filozofia është e padobishme, por vetëm në mënyrë imediate është e tillë. Fjala “imediate” nuk duhet kuptuar në gjuhën shqipe sipas përkthimit të zakonshëm ‘e menjëhershme’, por në kuptimin ‘e pandërmjetësuar’. Pra filozofia mund të bëhet e dobishme, nëse ndërmjetësohet, nëse gjenden dhe përdoren mjetet për t’i lidhur idetë filozofike me fushën e praktikës, me praxis. Dhe historia ka treguar që këto mjete janë gjetur dhe përdorur për idetë filozofike të Hobbes-it dhe Machiavelli-t me praktikën politike, idetë filozofike të Adam Smith-it dhe Marx-it me praktikën ekonomike, apo idetë filozofike të Kelsen-it dhe Dvorkin-it me praktikën ligjore.

Nga ana tjetër, filozofia është e dobishme pasi mund të bëjë diçka me ne. Ajo mund të na transformojë, mund të na zhvillojë maksimalisht disa prej aftësive më të dobishme: mendimin analitik, mendimin kritik, arsyetimin e kujdesshëm, aftësinë për të zgjidhur probleme, dhe komunikimin. Studimet e kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konkluduar që studentët e filozofisë marrin pikë më të larta në testin GRE (testi kryesor që përdoret nga universitetet amerikane) se studentët e humaniteve dhe arteve, se studentët e shkencave sociale, se studentët e biologjisë, se studentët e edukimit, se studentët e biznesit, se studentët e fizikës dhe se studentët e inxhinierisë.

Në epokën teknologjike filozofia nevojitet më shumë se kurrë më parë. Reduktimi i gjithçkaje në përllogaritje dobiprurëse nuk duhet dënuar moralisht, duke thënë që është i keq, çnjerëzor apo i pashpirt. Përkundrazi, dobia duhet synuar. Vetëm se, ashtu sikundër gjithçka tjetër lind nga diçka e ndryshme prej vetvetes, duhet kuptuar që dobia mund të lindë vetëm atëherë kur shoqëria krijon kushtet për kultivimin e së padobishmes./Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH