
Prej vitesh tashmë në vendin tonë është bërë praktikë që universitetet të masin kënaqësinë e studentëve kundrejt pedagogëve, lëndëve dhe universitetit në përgjithësi. Matje të tilla të përvitshme dhe semestrale të kënaqësisë bëhen përmes formularëve që u shpërndahen studentëve e që përmbajnë pyetje të tipit: “A e bën pedagogu lëndën interesante e të këndshme?” apo “A e shpjegon pedagogu lëndën me pasion?” dhe “A e përdor pedagogu humorin në masën e duhur kur shpjegon?”.
Në themel të matjes së kënaqësisë qëndron ideja se sa më të kënaqur të jenë studentët me universitetin aq më shumë do të preferojnë të vijojnë studimet aty dhe aq më shumë do t’ua rekomandojnë këtë universitet të tjerëve, pra studentëve potencialë të së ardhmes. Dhe universiteti do të shtonte në këtë mënyrë prestigjin dhe të ardhurat.
Kjo ide, megjithatë, është e gabuar. Fokusi te matja e kënaqësisë e trajton universitetin sikur të ishte një operator ekonomik i rëndomtë në sektorin e argëtimit, ose shërbimit, dhe që synon t’i mbajë klientët të kënaqur që të rikthehen aty për të bërë blerjen e radhës. Por universiteti nuk operon në sektorin e argëtimit dhe studentët nuk mund t’i konsiderojmë thjesht klientë, edhe atëherë kur paguajnë shuma të mëdha parash.
Që kënaqësia është ide e gabuar bëhet e qartë nga një eksperiment mendor. Le të supozojmë se duam të maksimizojmë kënaqësinë e studentëve të universitetit, pasi kështu besojmë se universiteti do të ketë sukses. Në emër të rritjes maksimale të kënaqësisë universiteti do të duhet të marrë disa masa. Për shembull pedagogëve nuk do t’u lejohet të flasin për gjëra abstrakte, të vështira për t’u kuptuar, por vetëm për gjëra të thjeshta dhe mundësisht t’i rrëfejnë ato në formën e një përralle, si ato që u tregohen fëmijëve për t’i vënë në gjumë. Në universitet nuk do të ketë më asnjë rregull që ndalon kopjimin në provime, pasi këto rregulla i stresojnë studentët dhe i largojnë nga kënaqësia. Gjithashtu studentëve nuk do t’u jepet asnjë lloj literature e detyrueshme për ta lexuar, do t’u thuhet se kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan gjatë orës së mësimit, të kërcejnë dhe mbi banka po deshën. Në emër të maksimizimit të kënaqësisë universiteti mund t’i marrë këto masa, por sa studentë do të dëshironin të diplomohen nga një universitet i tillë? Sa prej tyre do t’ua rekomandonin këtë lloj universiteti të tjerëve?
Në fakt, i transformuar kështu, ky nuk do të ishte fare universitet, por një operator ekonomik në sektorin e argëtimit. Ky “universitet” jo vetëm që do të tradhtonte misionin e tij të shpallur publikisht dhe prandaj do të dështonte ta realizonte e nuk do të kishte më arsye publike për të ekzistuar, por as nuk do të arrinte të kishte sukses material, pra më shumë studentë dhe të ardhura në vijim.
Në vend të kënaqësisë, universitetet duhet të masin respektin e studentëve për institucionin, punonjësit dhe aktivitetet mësimore që zhvillohen aty. Ndërsa kënaqësia na barazon me kafshët, respekti na dallon si njerëz. Niveli i respektit është faktori që e mban universitetin brenda misionit të vet dhe po ashtu kontribuon më së shumti te prestigji i tij. Nëse studentët i respektojnë zyrat me të cilat ndërveprojnë në universitet, nëse i respektojnë pedagogët me të cilët zhvillojnë mësim, nëse i respektojnë procedurat dhe rregullat universitare, atëherë universiteti është në rrugën e duhur./Liberale.al