Ai dhe bashkëmoshatarët i shohin me entuziazëm shkëmbimet studentore, nëpër universitetet e Europës, kryesisht me sytë nga ajo Perëndimore. Ne dimë për vendet e Europës Perëndimore, por është interesante të shkojmë edhe në vende të tjera, të Europës Lindore, do të shprehej Laurens Valk në një prej veprimtarive gjatë Javës Ndërkombëtare, që po organizohet në UET nga 25 deri më 29 prill. Valk shpjegoi më tej se ishte student i Shërbimeve Sociale Ligjore, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Saxion-it, në pjesën lindore të Holandës. Ai tha se pas një vizite të shkurtër vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, vendosi të vinte si student për një semestër, përmes shkëmbimit studentor Erasmus +, në Universitetin Europian të Tiranës. I riu tha se haset shpesh me pyetjen se përse ka zgjedhur Shqipërinë, duke u përgjigjur se jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe historia interesante e vendit e bënë të vinte në Tiranë. Kam dëshirë të di më shumë rreth historisë së Shqipërisë, tha Valk. Ai e vlerësoi eksperiencën në UET, shumë të bukur. Nuk ka shumë studentë ndërkombëtarë, jam i vetmi që po ndjek kursin dhe leksionet në gjuhën angleze bashkë me studentë shqiptarë, që e kanë zgjedhur, tha ai, me shpresën se përvoja e tij do të frymëzojë të tjerë studentë të huaj që do të zgjedhin Shqipërinë. Tirana është qytet i këndshëm, e vlerësoi Valk, ndoshta nuk ka arkitekturën më të bukur, por është interesante. Ka godina të ndryshme, që janë si fytyrat e ndryshme të historisë. Janë 11 studentë të huaj, që aktualisht studiojnë në UET, në kuadër të Erasmus+, ndërsa rreth 60 studentë të këtij universiteti kanë përftuar një përvojë semestrale në universitetet europiane, vitin e kaluar. Por ashtu 93 profesionistë nga stafi i institucionit kanë shkëmbyer përvojë në universitetet e huaja, me të cilat UET ka marrëveshje dhe 97 të huaj, kanë qenë në UET, vetëm për vitin e kaluar akademik. Që nga viti 2015, UET ka bashkëpunuar në programet Erasmus + ICM Mobility me shumë partnerë si; Universiteti i Uppsala, Universiteti Lappeenranta, Universiteti Malardalen, Universiteti Ludwigshafen, Universiteti Emden Leer, Universiteti i Valladolidit, Universiteti i Minho, Universiteti Obuda, Universiteti i Bolonjës, Roma 3, Universiteti LAquila, Universiteti Siauliai, UNIMED, Universiteti i Salzburgut, Universiteti i Pavias, etj. Një prej synimeve të hershme të UET ka qenë edhe ofrimi i diplomave të përbashkëta me universitetet partnere. Aktualisht, ky universitet ofron një diplomë të përbashkët master në Shkenca Politike POSIG, me Universitetin e Salzburgut dhe disa diploma të dyfishta me universitetin Ludwigshafen, Gjermani, Malardalen, Suedi, London South Bank University në Britaninë e Madhe dhe IMS Geneva, në Zvicër. Këto diploma janë si për nivelin bachelor, ashtu edhe master në degë si Administrim Biznes, Menaxhim, Financë, IT.
