Filip Guraziu
Po asht e vertetë edhe Liqeni i Shkodrës përjeton endemi, por kjo nuk ka lidhje me pandeminë e Covid-19, mbasi i përket nji lloji tjeter endemie. Realiteti i trishtë dëshmon se Liqeni i Shkodrës vuen me kohë prej nji sëmundje, tashma kronike me temperaturë të naltë e vështirësi në "frymëmarrje" që për çdo ditë e ma tepër e lodhë dhe e plakë.
Formimi i Liqenit të Shkodrës ( Lacus Labeatus, simbas romakëve) asht pasojë e levizjeve tektonike në formë depresioni të strukturave karstike të terrenit gjatë periudhës (gjeologjike) Terciare, rreth 65 milion vjetë ma parë e në vazhdim.
Burimet ujore që furnizojnë liqenin vijnë rreth 62% prej pruemje të lumit Moraça ( MN), kurse 38% prej burimeve të tjera e nën tokësore. Reshjet që depërtojnë mbrenda strukturëns karstike të maleve që rrethojnë liqenin, zbresin poshtë ( ligji i " Randesës") nëpër zgavrrat dhe kanalet nëntokësore që funksionojnë si " enë komunikuese" të cilat simbas parimit të "ligjit Stevin" dalin mbi tabanin e fundit të liqenit. Uji i pastër dhe i pasun me minerale që buron prej fundit të liqenit ndikon ( përveç të tjerave) që mjedisi ujor i liqenit të jëtë shumë i përshtatshëm për jetesën e florës dhe faunës ujore. Liqeni i Shkodrës njihet prej botës shkencore botnore si " thesar natyror", mbasi asht mjedis shumë i pasun në drejtim të biodiversitetit ( 850 specie bimore dhe 600 specie shtazore)
Niveli minimal ( në verë) i pasqyrës ujore të Liqenit të Shkodrës asht 5m. ma i ultë se në periudhën dimnore ! Temperatura ujore në muejin gusht rezulton rreth 20° C. ma e naltë se ajo e muejit janar !
Në fundin e vjetëve 80-të ( shekulli i kaluem) në mjedisin ujor të liqenit u manifestuen sheja shqetësuese ; specie të rralla filluen me hupë prej habitatit të tyne liqenor si blini, pelikani, etj., si dhe nji sasi e konsiderueshme njalash, por edhe lloje peshqish u gjetën të ngordhun në brigjet e liqenit. Në vjetin 1993, kjo dukuni u përsërit, por kët radhë njalat ( dhe peshqit) e ngordhuna ishin në sasi aq të madhe, sa "Ndërmarrja e peshkimit" vendosi djegien e tyne (për siguri shëndetësore). Me qenë se askush nuk pati sqarue arsyen e vertetë të ngordhjes së njalave, dukunia u mbulue me mister...! Ndryshimet klimatike që po dodhin në të katër anët e botës për shkak të ngrohjes globale, natyrshëm ndihen e ndodhin edhe në Shqipni. Prej dekada vjetësh nuk njohim ma dimna të acartë e as periudha të gjata me reshje. "Jemi ndi rahat e të kënaqun" prej kësaj klime jo të zakonëshme, por "dardha e ka bishtin mbrapa", sepse ndryshimi i ekuilibrit të klimës në natyrë pasohet me dukuni jo të pajtueshme për jetesen e sapiensit. Tue iu shmangë përgjithësimit të problemit, dëshiroj të ndalohem ne faktin alarmues të rritjes së temperaturës ujore në Liqenit e Shkodrës jashte limiteve të pranueshmë për habitatin e florës e të specieve ujore!
Oksigjeni asht elementi bazë i jetës për çdo gjallesë në rruzullin tokësor. Simbas ligjit "Henry", faktorët kryesorë që ndikojnë në drejtim të pakësimit të oksigjenit të asimilueshëm në ujë janë dy; rritja e krypëzimit dhe e temperaturës së ujit. Në rastin tonë problemi qendron te rritja( jashtë masës) e temperaturës së ujit liqenor dhe ndikimi i tij në drejtim të zvogëlimit të oksigjenit të asimilueshëm në ujë. Matjet tregojnë se gjatë vjetëve të fundit temperaturat maksimale të ujit në liqenin e Shkodrës varjojnë respektivisht: qershor 29° C; korrik 32° C; gusht 31°C, e shtator 29°C. Kujtojmë se në temperaturën 20°C, për nji shtypje atmosferike të përcaktueme , rezulton se asimilimi i oksigjenit në ujë asht në masen maksimale të tij prej 100%, që korispondon me sasinë e oksigjenit të asimillueshëm në ujë prej 9,17 mg/ L. Mjedisi i liqenit konsiderohet i " ndotun" për habitatin e gjallesave ujore nëqoftëse përqindja e oksigjenit në ujë zbret në 75 % të vlerës maksimale , d.m.th. në 6.88 mg/L oksigjen. Studimet dëshmojnë se rritja e temperaturës se ujit të ambël në nji liqen asht faktori kryesor që ndikon direkt në zbritjen e masës se oksigjenit të asimilueshëm, pra në shkatërrimin e habitatit të gjallesave ujore të liqenit. Kur masa e oksigjenit te asimilueshem në ujë ndodhet në intervalin prej 1 deri 3 mg/L; mjedisi ujor konsiderohet në gjendje kritike për jetën ose "ipposia" ( mungesë oksigjeni), kurse nën masën prej 1mg/L jemi në " anossia " ( pothuej zero oksigjen). Kuptohet lehtë se sa kritike, për mungesë të oksigjenit, paraqitet habitati i gjallesave në liqenin e Shkodrës kur temperaturat shkojnë deri 32 ° C dhe se kjo gjendje, "annosia", duhet të ketë qenë shkaku kryesor i ngordhjes së njaleve dhe i llojeve të tjera të peshkut në Liqenin e Shkodrës.
Mjedisi natyror dhe gjallesat bashkëjetojnë së bashku prej rreth 4.5 miljardë vjetësh. Nana Natyrë asht faktori bazë i zhvillimit të jetës në tokë. Aty ku kushtet ishin favorizuese, gjallesa sapiens " lulëzoi" dhe hap mbas hapi shoqnia njerëzore u konsolidue deri në ditët e sotme. Në dhetëvjeçarët e fundit Nana Natyrë po manifeston ndryshime; ngrohja globale ndikon direkt në nrdyshimin e klimës, dukuni që në shumë raste damton habitatin e gjallesave.
Dimnat e " butë" dhe me pak reshje kanë ndikue që vargmalet rrethues të Liqenit të Shkodrës të mos mbulohen me sasi të mëdhaja bore si dikur..., pra nëpër enët komunikuesë të nëndheshme që sjellin ujin e ftohtë të borës së shkrime edhe në sezonin veror, të mos rrjedhin sasi të mjaftueshmë uji me temperaturë të ulët që furnizojnë prej fundit liqenin e Shkodrës. E njajta situatë , por pak ma e ndryshme dallohet edhe te furnizuesi kryesor i Liqenit të Shkodrës, lumi Moraça ( MN). Rezultati ? Pikërisht në muejt ma të nxehtë të vjetit , furnizimi me ujin e ftohtë të maleve mungon, çka ndikonn në rritjen jashtë masës të temperaturës së ujit të liqenit. Nji faktor tjeter që gjithashtu ndikon negativisht për cilësinë e jetesës në mjedisin ujor liqenor asht edhe oksigjenimi i paktë i tij, (jashtë normales), në rastet kur burimet ujore që e furnizojnë liqenin janë të pakta e pak të vrullëshme, dukuni frekuente e dhetëvjeçarëve të fundit.
Natyra ka qenë, asht dhe do të jetë bujare më qëniet e gjalla, ku ban pjesë edhe sapiensi, por edhe sapiensit i del detyrë mbrojtja me çdo kusht e natyrës...
Ligji klasik i shkëmbimit të nxehtësisë provon se për nji nxehtësi ( energji ) konstante, në rasitin tonë energjia diellore, ndryshimi e temperaturës që rezulton te masa e landës e cila e merr energjinë ( masa e ujit te liqenit) asht në përpjestim të zhdrejtë me masën e landës. Pra, për të njajten energji diellore, sa ma e madhe masa e ujit te liqenit aq ma e vogël nxemja ( rritja e temperaturës). Këndej del se për kundërveprim të ndryshimeve klimatike (si ma nalt tregue), me qëllim mbrojtjen e habitatit të specieve ujore, duhet të krijojmë kushte që masa e ujit të liqenit gjatë periudhës verore të jetë ma e madhe se sa asht zakonisht, si rrjedhim uji i liqenit do të nxehet ma pak. Po si mundemi me e rritë masën e ujit te liqenit ? Problemi i përket fushës hidro-mekanike e si i tillë zgjidhet me ndihmën e mekanikës." Gjej rastin me kujtue nji shkrim të Shoqatës Mjedisore MESHBUSH në gazeten "Rilindja Demokratike, datë 24.10.2002 me titull: "URA E RE E BUNËS TË PROJEKTOHET SI VEPËR KOMPLEKSE", ku ndër të tjera u theksonte se:..." Problematikat të imponojnë mendimin, që ura e re të mos projektohet si vepër në shërbim vetem të ndërlidhjes rrugore në mes brigjeve, por të projektohet si vepër "komplekse" në shërbim të disa funksioneve; a.ruejtjen e nji kuote fikse të nivelit të pasqyrës ujore të liqenit( të vendosun me marrëveshje me palen malazeze) b. krijimin e kushteve normale për lundrimin e lirë, çka don me thanë që në projektimin e urës duhet të përfshihen edhe sistemi i barrazheve( digave) të lëvizëshme si dhe sistemi i lëshuesve me porta"
Llogaritjet e bazueme në ligjet e fizikës na bindin se ruejtja e kuotës së nivelit të pasqyrës ujore të liqenit të Shkodrës vetem me 1m. ma nalt se kuota minimale që rezulton gjatë periudhës së verës e zvogëlon temperaturën maksimale të ujit të liqenit me rreth 2.5° C. ! Vendosja e barrazheve (digave) të lëvizëshme për rritjen e nivelit të pasqyrës ujore liqenore, e funksionimi i tyne duhet ti nënshtrohet bashkëpunimit shkencor në mes të specialistave të fushës hidro dhe atyne që studjojnë, mirëmbajnë e mbrojnë biodiversitetin e mjedisit liqenor. Sa ma sipër, sot bahet urdhnuese edhe pse mbetet i vetmi veprim i mundshëm për shërimin e sëmundjes endemike që po e tjeterson cilësisht Liqenin e Shkodrës.