Nga takimi i atdhetarëve të shoqatës Vatra me presidentin Wilson, para Konferencës së Paqes e deri te mesazhet e ambasadores Yuri Kim... Numri i dytë i Revistës së përtremuajshme Liberale i kushtohet 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ShBA-Shqipëri. Dhjetë ndalesa historike. Vendosja zyrtare e kësaj marrëdhënieje më 1922-shin, mbërritja e ambasadorëve të parë në Tiranë, Konica si diplomati i parë në Uashington, historia e Legatës në Rrugën e Elbasanit, prishja e marrëdhënieve për 52 vjet, vizitat e Sekretarit Baker, Presidentit Bush dhe Sekretares Clinton dhe diplomacia amerikane pas ’90, deri te Reforma në Drejtësi. Si kanë qenë raportet e aleatit më të madh me liderët shqiptarë gjatë tranzicionit dhe kush ishte ambasadori i parë amerikan që foli për baronët e krimit? Këto e detaje të tjera i gjeni në dossier-in e këtij numri.
Në editorialin e tij, presidenti i Institutit Liberal Pashko, Preç Zogaj flet për Rreziku shqiptar për SHBA dhe Perëndimin. “Nuk jemi në vitet pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar”, thotë Zogaj. “Jemi në NATO. Amerikanët, britanikët, evropianët janë këtu me ne. Por duhet të bëjmë në pjesën tonë. Nuk e meritojmë drejtësinë e pavarur, nëse nuk bëjmë pjesën tonë”.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku zbulon pse ndan mendim krejt të ndryshëm për lidershipin e Partisë Demokratike, duke u shprehur qartë se është kundër modeleve të “njëshit” në politikë.
Pas vitit të vështirë të përballjes me drejtësinë, kardiokirurgu Edvin Prifti rrëfen rikthimin në detyrë. Të mos rikthehej në sallën e operacionit, për të do të ishte shumë më tepër, se vetëm t’i marrësh lirinë. Në mënyrë paradoksale, mjeku rrëfen sakrificat e profesionit, lumturinë dhe pse kurrë nuk do t’ua këshillonte fëmijëve të tij kardiokirurgjinë
Eksperti i teknologjisë Gentian Progni, zbulon rrugëtimin profesional, drejtuar nga pasioni dhe ushqyer nga ambicia për të arritur gjithmonë e më shumë.
Nga ekonomia vjen artikulli “Biznes i madh, prodhim i vogël”. Mes dhjetë tatim-paguesve më të mëdhenj në Shqipëri mbizotërojnë ato energjetike, sektori që shkaktoi krizën e çmimeve në ekonominë botërore. Modeli ekonomik që po merr zhvillimi i vendit, varet edhe këtë vit nga sektori i ndërtimit, pa ndonjë vlerë të shtuar në ekonomi...
Ish-Ministri i Financave, Arben Malaj, analizon në një intervistë për revistën “Liberale” ngritjen dhe zhvillimin e biznesit të madh gjatë viteve të tranzicionit.
Kush do ta zëvendësojë “mbretin” e lojërave të fatit? Në rubrikën “Jus&Justicia” vjen historia e Ervis Martinaj. Nëse u eliminua apo u vetizolua, shteti shqiptar nuk ka ende një përgjigje. Por një gjë është e sigurt. Ai u rrëzua nga froni i “Mbretit” të lojërave të fatit...
Cila do të jetë e ardhmja e universiteteve shqiptare? Në suplementin “Universitas” vjen i trajtuar fenomeni i ndërkombëtarizimit. Bursa për të ndalur largimin e të rinjve drejt vendeve të Perëndimit, lobim në BE për futjen e universiteteve shqiptare në sistemin europian, programe të përbashkëta, diploma të dyfishta me universitete të huaja dhe certifikim i cilësisë së programeve dhe institucioneve nga agjenci prestigjioze...disa ide për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë shqiptar.
I ftuar për të ndarë me maturantët nga i gjithë vendi, tipare të lidershipit, regjisori, aktori, dhe protagonisti i disa ngjarjeve të rëndësishme në politikën e tre dekadave të pluralizmit, Arben Imami zbulon detaje nga jeta e tij para dhe pas politikës. Arsyet që e çuan t’i bashkohej Lëvizjes Studentore ’90 dhe disa punë që e bëjnë krenar gjatë detyrës si ministër i Mbrojtjes nga 2009.
Letërsia si art humanist, është tema qendrore e suplementit “Leteratura”. Kryeredaktorja e UET PRESS, Suela Mino ngre pyetjen se cila është ‘beteja’ e letërsisë shqipe sot.