Reshjet e dendura të shiut që ranë pasditen e sotme kanë shkaktuar rrëshqitje inertesh dhe prurje të shumta në segmentin rrugor Gramsh–Korçë, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit për automjetet.
Gazetari Shkëlzen Henkoja raportoi se rruga është e pakalueshme në disa pika, pasi rrjedhjet ujore kanë sjellë me vete mbetje, gurë dhe baltë, duke vështirësuar qarkullimin në këtë aks.
Kryetari i Bashkisë së Gramshit, z. Besian Ajazi, në një lidhje telefonike konfirmoi se menjëherë pas njoftimit është nisur në terren një grup pune për të ndërhyrë dhe për të pastruar rrugën. Ai theksoi se po bëhet gjithçka për të kthyer normalitetin sa më shpejt.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve të shmangin përkohësisht këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore dhe strukturave të emergjencës.