Aktualitet

Plagosje me armë në një lokal në Borsh, një person në spital, autori arrestohet në flagrancë

Shkruar nga Liberale.al

Plagosje me armë në një lokal në Borsh, një person

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 31 korrik 2025, në fshatin Borsh, Himarë, ku një konflikt mes disa personave ka përfunduar me një të plagosur dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar.

Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 02:20, në një lokal të zonës, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është përfshirë fillimisht në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasin E. V., 55 vjeç, nga Tirana, i cili dyshohet se e ka goditur me grushte.

Pas përplasjes, H. Ç. është larguar nga lokali dhe më pas është rikthyer i armatosur me një armë automatike, me të cilën ka qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, H. Ç. dyshohet se ka goditur me qytën e armës edhe një tjetër shtetas, A. D., 43 vjeç.

Menjëherë pas ngjarjes, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë ndërhyri dhe bëri të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, H. Ç., i cili do të përballet me akuzat për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Ndërkohë, shtetasi E. V. është shpallur në kërkim, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Nga vendngjarja janë sekuestruar katër gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Policia ka nisur hetimet për gjetjen e armës së përdorur, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e dhunshëm.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Liberale Newsroom

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Qeveria e re a duhet të ketë në përbërjen e saj edhe ministra nga diaspora?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH