Qeveria shqiptare ka miratuar sot zyrtarisht dorëzimin e 150 apartamenteve të reja për qytetarët që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Vendimi u mor në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave dhe hyn në fuqi menjëherë, duke u botuar në “Fletoren Zyrtare”.
Në vendim theksohet se ky proces bëhet në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe aktit normativ të dhjetorit 2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, i miratuar me ligjin nr. 97/2019. Propozimi për dorëzimin e banesave u paraqit nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Këto apartamente janë pjesë e programit të rindërtimit, që ka si synim strehimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qindra familje që humbën banesat e tyre si pasojë e tërmetit shkatërrues.