Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Çmimet e apartamenteve rriten me 3.2 për qind, krahasuar me 2021-in

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Çmimet e apartamenteve rriten me 3.2 për qind,

Çmimet e apartamenteve pritet të rriten në tërë Evropën edhe për vitin 2022, për shkak të rritjes së çmimit të lëndëve të para që përdoren për ndërtim, por parashikohet se çmimet do të kenë një rritje më të ngadaltë se në 2021.

Në tremujorin e parë 2022, çmimet mesatare përllogariten në 1,143 Euro/m2, me një rritje prej 3.2% në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Në zonën brenda unazës çmimet po arrijnë mesatarisht 1,300 Euro/m2. Në zonën e Bllokut, çmimet i kanë kaluar 1,600 euro/m2. Edhe jashtë zonës së unazës, mesatarisht një apartament kushton rreth 1 mijë euro/m2. Në total, rritja krahasuar me periudhën para pandemisë konsiderohet rreth 20 për qind pas pandemisë.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të apartamenteve nuk duket se ka ndër mend të ndalet, as në Shqipëri. Përkundrazi, në vendin tonë rritja ndonjëherë mund të jetë edhe e pajustifikueshme. Kjo pasi mungon gara e ndershme, apo edhe legjislacioni i duhur që rregullon tregun. Për shembull ndërtuesit preferojnë të mbajnë 4 mijë apartamente stok, për t’i shitur me kalimin e kohës dhe me çmimin standard që ata vendosin, duke mos iu përgjigjur ofertë-kërkesës. Ana tjetër është legjislacioni penalizon në tarifa ndërtuesit e një objekti privat, çka e detyron atë të blejë apartament.

Rritja në fakt nuk është ndalur në asnjë moment. Pritshmëritë e sipërmarrësve të sektorëve të ndërtimit janë që shtrenjtimi do të vazhdojë në muajt në vijim.

Në vrojtimin e Biznesit që bëhet rregullisht me sipërmarrjet nga Banka e Shqipërisë, subjektet e ndërtimit u pyetën për pritshmëritë e tyre për çmimet.  Ndërtuesit japin si arsye kryesore për shtrenjtimin e pritshëm, rritjen e ndjeshme të lëndëve të para.  Rritja më e madhe ka qenë për hekurin me 80 deri 90% më shumë se vjet.  Shpenzimet për hekurin janë rritur 30 deri 40 euro për metër katror ndërtimi. Rritje të çmimeve ka edhe për materialet e tjera të ndërtimit. Rritje të larta të çmimeve ka pasur edhe të materialeve që përdoren për instalimet elektrike, ndërsa për disa materiale me përbërje bakri rritja e çmimit shkon edhe 2 deri 3 herë e lartë.

Si krahasim, çmimi mesatar i një apartamenti në Britaninë e Madhe është rritur mbi 350,000 paundë, për herë të parë në histori. Nga viti 2021 deri në vitin 2022, çmimet e banesave në të gjitha rajonet dhe vendet, përveç Londrës dhe Skocisë, u rritën me 10%. Si rezultat, familjet me të ardhura të mesme janë me çmim jashtë tregut. Ky është një fenomen i vazhdueshëm. Statistikat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se përqindja e njerëzve që zotëronin dhe jetonin në shtëpinë e tyre arriti kulmin në pak më pak se 71%, në 2003 në Angli. Deri në vitin 2020, numri kishte rënë në 64%. Në vitet 2000, sektori privat me qira u rrit masivisht, me rritjen e pronarëve që blejnë me qira. Në të njëjtën kohë, ka pasur një rritje të madhe të numrit të të rinjve që jetojnë me prindërit e tyre.

Kostot mujore të vlerësuara për një person të vetëm, për të jetuar në Beograd, janë vlerësuar në 465 dollarë, aq sa vlerësohet paga mesatare në Shqipëri.

Shihet një ngadalësim i rritjes së çmimit të banesave në gjashtë nga shtatë vendet evropiane. Holanda dhe Gjermania patën  rritje dyshifrore për vitin 2021. Një rritje e tillë e fortë filloi të kufizonte numrin e blerësve potencialë, por kufizimet e ofertës nënkuptojnë se rritja e çmimeve të vitit 2022 do të mbetet e madhe sipas standardeve historike dhe do të tejkalojë rritjen e të ardhurave, në këto vende. Bankat gjermane kanë rritur vlerat maksimale të kredisë për kompanitë e reja.

Në tregun tonë te shtrenjtimi i kostove ka ndikuar edhe rritja e pagave për specialistët dhe punëtorët e ndërtimit. Aktualisht një specialist pllakash kërkon pagesë 2 deri 3 herë më shumë se më parë, ndërsa pagesat ditore të punonjësve variojnë nga 2,000 deri 2,500 lekë nga 1,500 lekë që ishin para se të hapej tregu gjerman i punës. Në këtë situatë është e domosdoshme që shteti të rinovojë menjëherë manualin e çmimeve të ndërtimit. Pritet gjithashtu të hartohet një udhëzim për njohjen e çmimit të hekurit nëpërmjet faturave fillestare të blerjes, për shkak të rritjes të lartë të çmimit të tij.

Shoqata e ndërtuesve thotë se kostoja e ndërtimit për apartamentet në periferi ka arritur 600 euro/m2 nga 400 euro që ishte më parë, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.

Më herët, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se çmimet e banesave kanë vijuar rritjen edhe në vitin 2021. Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 8.4%% krahasuar me gjashtëmujorin e parë dhe me 9% me bazë vjetore. Ky ndryshim tregon se, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, rritja e çmimeve të banesave në vend është përshpejtuar ndjeshëm. Megjithatë, duke iu referuar vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e çmimit të banesave rezultoi më e ngadalësuar, krahasuar me nivelin 11.3% të vitit 2020.

Mbi këtë situatë duhet që politik-bërësit dhe rregullatorët e tregut të ndërtimeve, të jenë sa më pranë shqetësimeve qoftë të ndërtuesve, por sidomos të qytetarëve që duan të blejnë një apartament. Në Holandë për shembull dhënia me qira e një ambjenti për biznes përjashtohet nga taksat. Kështu, që burokracitë shihen si pengesa më e madhe e funksionimit normal të tregut të ndërtimeve në Shqipëri. Kjo reflektohet te çmimet, të papërballueshme për shumicën e qytetarëve me rrogat që ata marrin, pavarësisht bashkisë që përpiqet të afrojë kredi sociale për disa nga çiftet e reja.  Nëse me rrogat në BE, kredia apo qiraja përballohen sepse ka logjikë tregu, në Shqipëri kësaj logjike duhet t'i përgjigjen politik-bërësit. /a.m/ Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH