Menjëherë pas lajmit për lirimin e 3 policëve kosovarë, të cilët u rrëmbyen në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ka ardhur reagimi i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.
Në një postim në Twitter, ai shkruan se është njoftuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq për lirimin e tyre, duke theksuar se ky akt vjen pas kërkesës që ai i bëri javën e kaluar, në takimin që patën mes tyre në Beograd.
"Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t'i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë shumë hapin e Presidentit@avucic të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit", shkruan Orban.
Kujtojmë se para takimit me presidentin serb, Orban ishte në Shqipëri ku u prit nga kryeminsitri Edi Rama.