Letërsi

Botim i UET PRESS/ Pena që paska shkruar “Zogjtë e qyqes” do të jetë stërvitur ndër vite

Shkruar nga Liberale
Botim i UET PRESS/ Pena që paska shkruar “Zogjtë e qyqes”

Shqiptar Oseku

Ka disa libra, thonë, që të hapin sytë. Për mua, libri ”Zogjtë e qyqes” nga Gani Mehmetaj, fitues i Çmimit Kadare më 2021, është një nga ta. Librin nisa ta lexoj përtueshëm dy vite më vonë, sa isha në Tiranë në nëntor 2022. Arsye e kësaj përtese, le ta them menjëherë, ishte vetë Gani Mehmetaj. Ky burrë ka drejtuar 17 vitet e rrëgjimit të Kosovafilmit, agjencisë kosovare-jugosllave për produksion e distribuim të filmit (lexo: zyrë e propagandës). Kur Serbia nisi të përndjekë funksionarët shqiptarë, në fillim të viteve 1990, Mehmetaj iku në Zvicër dhe u bë atje redaktor i gazetës “Rilindja”(lexo: zyrë e propagandës, për LDK).

Me këtë prapavijë, s’është se kisha ndonjë pritshmëri të lartë për një libër të tij. E dija që Gani Mehmetaj kish shkruar një sërë veprash letrare, por kisha arritur që t’i shmang të gjitha një nga një, me motivimin se jeta është tepër e shkurtër për të lexuar letërsi të keqe dëshirash të mira. Nga autori kisha lexuar vetëm tri vepra publicistike, aq, edhe kjo enkas sa për të studiuar mendësinë e LDK-së. Sinqerisht, arsyeja e vetme pse mora mundimin ta shfletoj “Zogjtë e qyqes” qe se është nderuar me Çmimin Kadare nga një juri e fortë, me kryesues Preç Zogajn, Loer Kumen fantastik, intelektualin e fortë Blerim Latifi, Ermir Nikën, e Genciana Abazin; natyrisht, kish ende një rrezik që ai vit thjesht mund të kish qenë vit botimesh shterpe.

Mund ta imagjinosh, pra, se sa i papërgatitur që isha për një goditje nga “Zogjtë e qyqes”. Ky libër është vërtet impozant. Është një tentim i përqendruar për të shkruar letërsi nga perspektiva e armikut, ngjashëm si, ta zëmë, te Joseph Conrad, Nadime Gordimer, John M Coetzee, a Ivo Andriç. Sidomos ky i fundit mund ta ketë frymëzuar Mehmetajn, gjykuar nga gjetje identike dhe nga portretizime të ngjashme të personazheve, të rënduara nga nostalgjia, e me kryet kthyer drejt kohësh të perënduara. Përndryshe Andriçi, i lindur kroat, por i vetëshpallur serb me kombësi e jugosllav me bindje, në letërsinë e vet i ka portretizuar në mënyrë të përsëritur boshnjakët dhe shqiptarët si zogj qyqesh nga epoka osmane, qoftë te “Ura mbi Drin”, qoftë në novela ku tall, ta zëmë, heronj si Gjer Elez Alinë; para se të bëhej nobelist Andriçi, si dihet, ishte diplomat dhe autor projektesh ku avokon zhdukjen e shqiptarëve barbarë nga Ballkani. Romani i Mehmetit mua më del i formësuar si replikë ndaj “Urës mbi Drin”. Këtu perandoria e rënë s’është osmanllëku, po Jugosllavia e adhuruara e Andriçit. Lumi Drin këtu rrjedh ndryshe, i thonë Gegëri. Zogjtë e qyqes s’janë më shqiptarët, po kolonistët serbë, të prurë andej nga shokë të Andriçit.

Kryepersonazh dhe un rrëfimtar i librit është Dragani, një djalë i vogël që është nisur bashkë me familjen për të kolonizuar toka shqiptarësh mbas Luftës së Dytë Botërore. Gani Mehmetaj ka shkruar edhe gjetkë për shpërnguljet nga ato vise dhe kjo i ndihmon që të sajojë ambiente shumë autentike. Endjet e familjes së varfër koloniste nëpër stacione hekurudhore, mbërritja antiklimatike në destinacion, mahnitjet e tyre me tokat e pushtuara dhe habitjet e tyre – “Ende paska shqiptarë?!” – të gjitha këto shihen me sy të djalit të vogël, të detyruar të ndjekë nga pas të rriturit e udhëhequr nga shteti e pushteti. Dragani është personazh shumë i besueshëm, që është gjithmonë cilësia bazë e çdo karakteri fiktiv. Ai rritet në një fshat kolonistësh, nga ato që u mbollën në Gegëri nga Jugosllavia për të ndryshuar demografinë e atjeshme; një rrëfim ky sa lokal, aq edhe global, që ka shkaktuar një det gjaqesh midis serbëve e shqiptarëve, çifutëve e palestinezëve, etj. Mendësia ishullore e këtyre enklavave përshkruhet besueshëm, e njihet lehtë nga kushdo që ka shetitur enklavat serbe, a kibucët izraelitë në Rrip të Gazës. Dhe më e bukura ende, Mehmetaj këtë e bën ndërsa ravijëzon personazhe e mjedise autentike shqiptare të vështruara me sy të kolonistëve.

Ndërsa ti ndjek fatet e këtyre njerëzve tragjikë, tërthorazi edukohesh për historinë moderne të atyre viseve. Një detaj: në një nga skenat e romanit, në kreun 14, një nxënës thyen pahir fotografinë obligative të shokut Tito në klasë të mësimit; pasojat tragjike që rrjedhin nga kjo, represioni policor, e leqitja nga shoqëria e familjes, përshkruhen me njohuri të thellë dhe saktësi pothuajse dokumentare. Në këtë mjedis tensionesh, Dragani shoqërohet edhe me fëmijë shqiptarë. Një syresh – Dukagjini – i ngel shok edhe kur rriten bashkë. Rrëfimi ndjek gjatë një si trajektore të jetëve të tyre, me shkolla të ndara, dashuri që bashkojnë, e karriera nën një diktaturë që vlon si kusi me presion.

Një nga cilësitë letrare të librit është fakti se autori kërkon dhe arrin, në të shumtën, që të shtjellojë ndasitë midis njerëzish duke shmangur stereotipet etnike: rrëfimi ngel kryesisht rrëfim i një djali, një burri, një familjeje. Është vështirë të bësh një lexues shqiptar nga Gegëria të identifikohet me serbët – provo të shtysh lexuesin armen të identifikohet me usharë turq, a lexuesin izraelit me ushtarë në Ëehrmacht – por pena e Mehmetajt ia del pikërisht kësaj, unë gjej vazhdimisht veten tek jam bërë pjesë e kësaj familjeje, e tek ndaj frikat e preokuptimet e tyre. Për mua qe ndjenjë sureale kjo, që të ndiej pikëllim të sinqertë, ashtu si ndien njeriu vetëm ndaj karakteresh fiktive në libra, kur Dragani bind të ëmën dhe braktis varret e babait e të gjyshit, për t’u kthyer andej nga kishin ardhur dikur. Unë personalisht njoh vetëm një autor tjetër që ka kapërcyer kështu kufinjtë etnikë midis serbësh e shqiptarësh për të përshkruar tragjikën e kolonizimit të Gegërisë, poetin Radovan Zogoviç, autorin e poemës “Ardhësit: Këngët e Ali Binakut”; dhe, si ndodh shpesh midis artistësh të zotë, ndërsa mjeshtri Mehmetaj shkruan nga këndvështrimi serb, kolegu i tij Zogoviç shkruan nga këndvështrimi shqiptar.

“Zogjtë e qyqes” është një vepër ku narracioni shtyhet në radhë të parë nga ngjarjet. Kjo është forca e tij, por edhe thembra e Akilit. Ndërsa episodet e librit janë rrëmbyese, e shpesh edhe prekëse, personazhet tjera pos Draganit të lënë të vakët. Lexuesi e ka nganjëherë zor të mbajë mend se cili emër i shkon cilit personazh, pse s’arrin dot t’i shohë qartë. Autori s’është munduar aq fort t’i shfaqë, ta zëmë, tiparet e tyre fizike, veçoritë e karakterit, tiksat e tyre personalë etj. Ata ngelin të besueshëm si avatarë, por jo si njerëz, si persona nga mishi e gjaku. Ndoshta kjo ka qenë ideja, që me atë kaleidoskop personazhesh sekondare të sajohet ajo ndjenja e së kalueshmes, e sipërfaqësores, e ekzistencës së përkohëshme që është jeta në koloni.

Poashtu, vërej që edhe Mehmetaj, si shumë prej shkrimtarëve ballkanikë, e ka më të lehtë të sajojë personazhe burra se gra. Ndërsa ai arrin, ta zëmë, t’u shmanget stereotipeve për burrat e rrëfimit, ato vlojnë për gratë koloniste. Kështu për shembull, nëna e Draganit është karrieriste, komshia Mileva thashethemse, Zorica epshore, e kështu me radhë, gratë ose ikin herët nga rrëfimi ose janë karrikatura. Më bën sidomos përshtypje që tërë pasioni i grave në libër përshkruhet pothuaj tërësisht si serb, ndërsa Mehmetaj s’ndalet asnjëherë të shtjellojë se pse. A ishin më asensuale gratë shqiptare? Apo rronin nën dhunë të dyfishtë, nën dhunën etnike të regjimit dhe të kolonistëve, e nën dhunën patriarkale të familjes? Një vepre si kjo, e cila tematizon dhunën strukturore dhe ndrydhjen që kjo i shkakton qenies njerëzore, do t’i kish bërë vetëm mirë një dimension i tillë.

Megjithë këto pak mangësi, “Zogjtë e qyqes” ngel për mua befasi e rangut. Ndaj habitem se si është shkruar kaq pak për këtë libër. Unë gjej online vetëm një recension nga Blerim Latifi, filozofi nga Prishtina i cili ishte, si thamë, në jurinë që i ndau librit Çmimin Kadare 2021; si dhe një tjetër nga Bajram Sefaj tek ExLibris, nga korrik 2022. Në fakt, njeriu gjen më shumë recensione për përkthimin në frëngjisht, “Les oisillons du coucou” (Fauve edition, gusht 2022) me parafjalë nga Ismail Kadare, se për origjinalin në shqip. Them se kjo një tjetër notë e dobët për kritikën tonë letrare, që nuk ka shijen të shquajë e të vlerësojë një vepër si kjo. Apo ndoshta kritikët tanë mendojnë se një libri që fiton çmim s’i duhet recensioni?

Unë këtë s’mund ta di, ta them të drejtën, se nuk shoqërohem me kritikë letrarë. Por di ta përsëris atë që thashë në krye, se vepra e Gani Mehmetajt më ka hapur sytë. Sa për vete, do të kërkoj të gjej e të lexoj një herë edhe veprat tjera të Mehmetajt, nuk janë pak se ka shkruar mëse 10 të tilla, romane, novela, dramë etj. Dua të them, kjo penë që paska shkruar “Zogjtë e qyqes” do të jetë stërvitur ndër vite. Më vjen pak siklet ta pranoj, por fola dhe shpëtova shpirtin. Përndryshe këtë vepër ti si lexues mund ta gjesh lehtë në platformat e librit online. Është botim i denjë nga UETPress, me redakturë të mirë nga Suela Mino, e dizajn të goditur grafik nga Besnik Frashni.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH