Bota

VIDEO/ Zjarr i madh në një nënstacion elektrik, mbyllet aeroporti "Heathrow" në Londër, anulohen fluturimet

Shkruar nga Liberale

VIDEO/ Zjarr i madh në një nënstacion elektrik, mbyllet aeroporti

Kompania që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar Heathrow të Londrës, më i madhi në Evropë, njoftoi pezullimin e fluturimeve për gjithë ditën për shkak të një ndërprerjeje të energjisë elektrike të shkaktuar nga një zjarr i madh në një nënstacion në rrjetin elektrik.

“Heathrow po përjeton një ndërprerje të madhe të energjisë. Për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve, aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 23:59 të datës 21 mars (me orën lokale)”, njoftoi Heathrow Airport Holdings.

Kompania administruese paralajmëroi gjithashtu se pret “ndërprerje serioze” në trafik “në ditët në vijim”.

Sipas faqes së specializuar të internetit FlightRadar24, shumë avionë tashmë janë detyruar të ndryshojnë planet e fluturimit.

Brigada e Zjarrfikësve të Londrës ka raportuar për një zjarr “të madh” në një nënstacion në Hayes, një periferi perëndimore e kryeqytetit britanik, i cili garanton furnizimin me energji elektrike në aeroport.

Përveç aeroportit, “një numër i madh familjesh dhe biznesesh” në zonë po përjetojnë gjithashtu humbje të energjisë, tha Pat Golburn, një zëdhënës i departamentit të zjarrit.

“Zjarrfikësit tanë po punojnë pa u lodhur në kushte të vështira për ta vënë zjarrin nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Heathrow u bëri thirrje udhëtarëve që “të shmangin” shkuarjen në aeroport “para se të rihapet”.

Aeroporti më i madh i Evropës është gjithashtu një nga pesë më të ngarkuarit në botë. Ai pret mbi 80 milionë pasagjerëve në vit, ose 230,000 në ditë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH