Bota

Mesazhi i Guterres: Është koha për një armëpushim humanitar para se të ndodhë një tragjedi gjigante në Gaza

Shkruar nga Liberale
Mesazhi i Guterres: Është koha për një armëpushim

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësim për përkeqësimin e situatës në Rripin e Gazës dhe përsëriti kërkesën e tij për një armëpushim.

“Është koha që të kemi një armëpushim humanitar përpara se të ndodhë një tragjedi gjigante në Gaza, nëse ndodh edhe në Rafah i njëjti lloj intensiteti i operacioneve ushtarake që kemi parë në Khan Younis dhe në pjesë të tjera të territorit të Gazës”, tha Guterres në një konferencë për media në selinë e OKB-së në New York.

Ai tha se është i shqetësuar për raportimet se ushtria izraelite synon të fokusohet në Rafah.

“Gjysma e popullsisë së Gazës tani është e grumbulluar në Rafah. Ata nuk kanë ku të shkojnë”, tha ai.

Ndërkohë ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha të hënën se objektivi i ardhshëm i ushtrisë në Gaza do të jetë Rafah dhe pretendoi se është bastioni i fundit i mbetur i grupit palestinez, Hamas.

Guterres theksoi se në Gaza, situata “vazhdon të bëhet keq e më keq”.

"Përveç vdekjes dhe shkatërrimit nga operacionet ushtarake, uria dhe sëmundjet po godasin palestinezët në Gaza”, shtoi ai.

Guterres tha se një nga autokolonat e OKB-së u dëmtua nga artileria detare izraelite në fillim të kësaj jave.

“Le të jemi të qartë: Mohimi i qasjes humanitare do të thotë mohim i ndihmës humanitare për civilët. Ushqim dhe ujë për një popullsi të dëshpëruar. Medikamente dhe karburant".-tha ai.

Poll
SHQIPENGLISH