Kosova

Një serb i dyshuar për huliganizëm në Veri të Kosovës, Gjykata vendos për një muaj paraburgim

Shkruar nga Liberale

Një serb i dyshuar për huliganizëm në Veri të

Gjykata Themelore në Prishtinë njofto të dielën se ia ka shqiptuar masën prej një muaji paraburgim një të dyshuari me inicialet S.M., i cili akuzohet për veprimtari kundër Kushtetutës së vendit dhe për huliganizëm, në lidhje me dhunën e majit të vitit 2023 në veri të Kosovës.

Në një njoftim për media, gjykata tha se e ka pranuar kërkesën e prokurorëve, sepse “nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të arratiset, apo mund t’i ndryshojë provat e veprës penale dhe të ndikojë tek të dyshuarit e tjerë që gjenden të lirë”.

Verën e vitit të kaluar, Policia e Kosovës arrestoi dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për sulme ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për akuza kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për sulme ndaj gazetarëve.

I dyshuari, shtetas serb, ngarkohet me veprat penale “bashkim për veprimtari kundër kushtetuese”, “rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, si dhe për “veprën penale sulm ndaj personit zyrtar”, tha gjykata.

Gjykata nuk tregoi se kur ishte arrestuar i dyshuari.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtuar nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.

Gjykata tha të dielën se S.M, dyshohet se “me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.

Në fund të shkurtit këtë vit, dy të dyshuar, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, arritën një marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi pranuan fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Ata ishin arrestuar më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

Pas pranimit të fajësisë, ata janë lënë të lirë.

Marre nga REL

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH