
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhikut.
Në letrën e publikuar nga Gazeta Express thuhet se Kurti i ka kërkuar takim Abdixhikut këtë javë, ku i ka ofruar dy ditë dhe tre orare të ndryshme si opsione për takimin.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet ndër tjerash në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut. Në fund të letrës thuhet se Kurti e “mirëpret” përgjigjen e Abdixhikut për këtë takim.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar më herët Kurti. Ky është hapi i parë konkret në formimin e institucioneve të reja të shtetit, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 mars.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende.