
Ish-kryeministri i fundit nga radhët e LDK-së, Avdulla Hoti dhe ish-ministri Agim Veliu janë dy figurat që kanë kërkuar hapur ndryshime në udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pakënaqësi në lidhje me numërimin e votave brenda partisë dhe favorizim të disa figurave të reja kanë shprehur edhe ish-zëvendëskryeministri Driton Selamanaj, ish-shefi i grupit parlamentar Arben Gashi dhe deputetja Rrezarta Krasniqi.
Në mbrojtje të Abdixhikut janë radhitur nënkryetarët Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Doarsa Kica Xhelili duke i quajtur kërkesat për ndryshime si qesharake. Analistët politikë kanë argumentet e tyre nëse thirrja për ndryshime në udhëheqjen e LDK-së është legjitime duke qenë se edhe pse doli e treta, kjo parti pati rritje nga zgjedhjet e kaluara por edhe se mund të dëmtojë LDK-në në negociatatpër një koalicion të mundshëm qeveritar.
“Në situatën ku ndodhet LDK me një rritje prej 70 mijë votave nga 2021 mendoj që nuk është e drejtë të kërkohet ndryshimi i lidershipit, mund të kërkohet një analizë e gjendjes zgjedhore ku ka gabuar LDK dhe ku duhet të përmirësohet tutje”, thotë Arbnor Sadiku, analist politik.
“Ndoshta kjo temë është dashur të pritet dhe të diskutohet pas përfundimit të këtyre procedurave të formimit të Qeverisë sepse një kërkesë e tillë e dobëson lidershipin në këtë rast, pozicionin e Lumir Abdixhikut, tani në pjesën e negociatave”, shprehet Magbule Shkodra, analiste.
Lidhjes Demokratike i kërkohet që para zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë të mbledhë strukturat e partisë dhe t’i jepet një votëbesim kryetarit aktual në mënyrë që të mos dëmtohet në procesin lokal zgjedhor.
“Para zgjedhjeve lokale të thirret këshilli drejtues dhe të rikonfirmohet pozita e Abdixhikut apo të ketë propozime të reja, kjo do të ishte gjëja më e mirë për LDK, sepse edhe kështu si udhëheqës i partisë kur ke kundërshtime për brenda shtëpisë tënde ti nuk je shumë i fortë për të shkuar në tubime në fushatë lokale”, thekson Shkodra.
Analistët shprehën se Abdixhiku duhet të jetë i hapur ndaj kërkesave nga ky grup i të pakënaqurve në partinë e tij të cilët kanë rezerva për orientimin e partisë apo mënyrën e të bërit opozitë gjatë këtyre viteve.
“LDK dhe z. Abidxhiku ato kërkesa dhe ankesa duhet të marr parasysh dhe të tentojë të unifikojë LDK para zgjedhjeve lokale edhe me ata zëra që janë kritikë sepse kur të jesh në opozitë edhe vetëm të mendojë dikush keq mund të të dëmtojë e lëre më të punojë kundër teje”, thekson Arbnor Sadiku.
Në zgjedhjet e 9shkurtit, LDK mori mbi 171 mijë vota apo 18.3% që përkthyer në mandate i bie 20 të tilla.