Globi

Pse Zelensky pretendon se 155 kineze po luftojnë krah Rusisë në Ukrainë?

Shkruar nga Liberale

Pse Zelensky pretendon se 155 kineze po luftojnë krah Rusisë në

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pretenduar se të paktën 155 shtetas kinezë po luftojnë për Rusinë në luftë.

Deklarata e tij vjen pasi dy luftëtarë kinezë u kapën në fillim të kësaj jave, duke shënuar akuzën e parë zyrtare të Kievit, se Kina po furnizonte Rusinë me fuqi punëtore.

Duke folur për mediet të mërkurën, Zelensky përsëriti pretendimin e tij se ka "shumë më shumë" shtetas kinezë të përfshirë në konflikt, bazuar në informacionin e mbledhur nga qeveria e tij.

Duke iu përgjigjur, një zëdhënës i qeverisë kineze tha se ata "këshillojnë palët përkatëse që të kuptojnë saktë dhe me maturi rolin e Kinës dhe të mos bëjnë vërejtje të papërgjegjshme".

"Kina nuk është as krijuese dhe as palë e krizës ukrainase. Ne jemi një mbështetës i vendosur dhe promovues aktiv i zgjidhjes paqësore të krizës,"- tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Lin Jian.

Pekini ka mohuar më parë se shumë nga qytetarët e tij po luftojnë për Rusinë, duke thënë se pretendimi "nuk ka bazë në fakte".

Në fillim të kësaj jave, Zelensky tha se forcat e tij kishin luftuar gjashtë ushtarë kinezë në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës dhe kishin marrë dy të burgosur. Rusia nuk pranoi të komentojë këtë zbulim.

Të mërkurën Zelensky u tha gazetarëve se "çështja kineze është serioze".

"Janë 155 persona me mbiemra, me të dhëna pasaporte - 155 shtetas kinezë që po luftojnë kundër ukrainasve në territorin e Ukrainës," tha ai, sipas komenteve të raportuara nga Interfax.

Ai shtoi se Rusia po rekrutonte shtetas kinezë në mediat sociale dhe se "Pekini zyrtar e di për këtë".

Sipas Zelensky, rekrutët e dyshuar marrin trajnime në Moskë përpara se të dërgohen në fushën e betejës në Ukrainë, si dhe dokumente migracioni dhe pagesa./ Përshtati Liberale.al/

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH