Kardinali Robert Prevost është zgjedhur papë dhe do të njihet si Papa Leo XIV. 69-vjeçari është amerikani i parë që bëhet papë dhe do të udhëheqë anëtarët e komunitetit global të Kishës Katolike prej 1.4 miliardë njerëzish.
I lindur në Çikago, ai shihet si reformator dhe punoi për shumë vite si misionar në Peru përpara se të bëhej kryepeshkop atje. Prevost ka gjithashtu kombësi peruane dhe kujtohet me dashuri si një figurë që punoi me komunitetet e margjinalizuara dhe ndihmoi në ndërtimin e urave në Kishën lokale.
Pse Papa i ri e ka zgjedhur emrin Leo XIV?
Në një konferencë për shtyp të enjten pas konklavës, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, tha se zgjedhja e emrit “është një referencë e qartë për doktrinën moderne shoqërore të Kishës, e cila filloi me Rerum Novarum”.
Bruni tha se emri Leo ishte një referencë e qëllimshme për “burrat, gratë, punën e tyre dhe punëtorët në një epokë të inteligjencës artificiale”, duke duket se lidh ritmin e ndryshimit teknologjik të epokës aktuale me atë të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Papa i parë Leo, i cili shërbeu në shekullin e pestë, njihet si "Leo i Madh" dhe mbahet mend për bindjen e Atilës Hun që të ndalonte pushtimin e tij dhe ta shpëtonte Perandorinë Romake nga shkatërrimi.
Takimi i tyre u paraqit në një pikturë të vitit 1514 nga Rafaeli. Vepra e Rilindjes tani ekspozohet në Pallatin Apostolik të Vatikanit, nëpër të cilin kaluan 133 kardinalët me të drejtë vote - përfshirë Kardinalin Robert Prevost, tani Leo XIV - ndërsa hynin në Kapelën Sistine të mërkurën për fillimin e konklavës.
Në pikturë, Papa Leo i paarmatosur, i mbikëqyrur nga Shën Pjetri dhe Shën Pali, përballet me qetësi me Atilën dhe ushtrinë e tij. Takimi i tyre festohet nga katolikët për shkak se tregon se marrëveshjet paqësore mund të arrihen pa dhunë.
Leo XIV përdori fjalët e tij të para si papë për të bërë thirrje për paqe. "Paqja qoftë me ju", thirri ai nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.
Kjo ishte përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur», tha ai. Emri Leo rrjedh nga latinishtja për "luan", që do të thotë forcë dhe guxim.
Në fjalimin e tij nga ballkoni, Leo XIV tha se kisha ende mund ta dëgjojë "zërin e dobët, por gjithmonë të guximshëm të Papa Françeskut", paraardhësit të tij./ Përshtati Liberale.al/