Qindra mijëra protestues u mblodhën në Stamboll për një tubim masiv të thirrur nga opozita kryesore e Turqisë, Partia Popullore Republikane (CHP) kundër burgosjes së kryetarit të bashkisë së qytetit dhe figurës së lartë të partisë Ekrem Imamoglu.
Arrestimi i Imamoglu më 19 mars me akuza për korrupsion ka shkaktuar një nga demonstratat më të mëdha në rrugë kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Figura e opozitës besohet të jetë politikani i vetëm turk i aftë të sfidojë Erdoganin në zgjedhjet presidenciale. CHP e caktoi atë si kandidatin e saj për garën pavarësisht ndalimit të tij. Partia, grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore besojnë se arrestimi dhe vazhdimi i ndalimit të tij janë të motivuara politikisht.
Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës.
“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letrën e Imamoglut.
“Ata mund të më fusin në burg dhe të më gjykojnë sa të duan, kombi ka dëshmuar se do t’i thyejë të gjitha kurthet dhe komplotet”, thuhej në letër.
Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjeve të opozitës për protesta, pasi Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit nën akuza për korrupsion.
Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar.
Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), partitë e tjera opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore kanë deklaruar se çështja kundër Imamoglu është përpjekje e politizuar për ta eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.
Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.