
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua të rrisë presionin ndaj Hamasit në Gaza ndërsa vazhdon negociatat për të siguruar lirimin e pengjeve dhe për të zbatuar planin e Donald Trump për "emigracionin vullnetar", raporton Reuters.
Netanyahu tha se kabineti i tij ra dakord të rrisë presionin ndaj grupit palestinez, i cili thotë se ka rënë dakord për një propozim armëpushimi nga vendet ndërmjetësuese, Egjipti dhe Katari.
Ai hodhi poshtë pretendimet se Izraeli, i cili ka rifilluar bombardimet e Gazës pas një armëpushimi dy mujor dhe ka dërguar trupa përsëri në enklavën palestineze, nuk po negocion, duke thënë se "ne po e bëjmë këtë nën zjarr dhe për këtë arsye është efektive".
Netanyahu theksoi gjithashtu se Izraeli kërkon që Hamasi të dorëzojë armët, dhe se liderët e tij do të lejohen të largohen nga Gaza.
Megjithatë, ai nuk u fut në detaje se sa kohë do të qëndrojnë trupat izraelite në enklavë, por përsëriti se Hamasi duhet të shkatërrohet ushtarakisht dhe politikisht.
"Ne do të garantojmë sigurinë e përgjithshme në Rripin e Gazës dhe do të lejojmë zbatimin e planit Trump, planit të migracionit vullnetar. Ky është plani, ne nuk po e fshehim atë, ne jemi të gatshëm ta diskutojmë atë në çdo kohë", tha Netanyahu.
Presidenti Trump ka propozuar zhvendosjen e të gjithë popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës në vende të tilla si Egjipti dhe Jordania për rindërtimin e enklavës.