Të paktën 38 persona humbën jetën dhe 66 të tjerë u plagosën pasi dy trena u përplasën kokë më kokë pranë qytetit grek të Larisës. Përplasja ndodhi gjatë natës pranë qytetit të vogël Tebi. Shefi i stacionit të Larisës është arrestuar si pjesë e hetimit.
Pesë persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur si pasojë e aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se këta persona janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në kushte spitalore.
“5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore. Po vijohet me identifikimin e tyre”, tha Ministria e Jashtme.
Sipas rrëfimit të një gazetari grek të BBC-së, trenat po udhëtonin me shpejtësi të madhe pasi nuk e dinin që po ndodheshin në të njëjtin drejtim dhe ndikimi ishte aq i fortë sa “nga dy vagonët e parë nuk ka mbetur asgjë” pas aksidentit. Ekipet e shpëtimit tani po përpiqen të largojnë rrënojat.
Shumë studentë të universitetit ishin në tren, sipas rrëfimeve të kryetarit të bashkisë Tebi, një qytet afër Larisës, Jorgos Manolis. Ata po ktheheshin në Selanik pas një fundjave të gjatë për shkak të karnavaleve në Greqi. Treni i pasagjerëve po udhëtonte nga Athina për në Selanik, qyteti i dytë më i madh i Greqisë, ndërsa treni i mallrave po udhëtonte nga drejtimi i kundërt.
Mes tyre rezulton e zhdukur edhe një studente shqiptare. Familja Lata e cila jeton në Larisa kishte vajzën me studime në Athinë dhe po kthehej në shtëpi, por pas aksidentit ajo rezulton e zhdukur.
Zjarrfikësit shpjeguan se tre vagonë kanë dalë nga shinat në Larisa, pas përplasjes së trenit të mallrave me një autokolonë me 350 pasagjerë. Një nga vagonët ka marrë flakë dhe disa persona dyshohet se janë bllokuar, sipas kanalit televiziv ERT. Guvernatori i rajonit, Kostas Agorastos, tha se “më shumë se 250 pasagjerë u transferuan me autobus për në Selanik.
Fatkeqësisht - shtoi ai - numri i të plagosurve dhe i të vdekurve ka të ngjarë të jetë i lartë".
Sipas mediave greke, ky është "aksidenti më i rëndë me tren që Greqia ka përjetuar ndonjëherë". Rreth 150 zjarrfikës janë mobilizuar dhe 40 ambulanca, si pjesë e ekipeve të shpëtimit.
“Unë kurrë nuk kam parë diçka të ngjashme gjatë gjithë jetës sime. Është një tragjedi. Pesë orë më vonë, ne ende jemi duke gjetur trupa”, tha një punonjës shpëtimi në vendin e aksidentit.
Përplasja mund të jetë shkaktuar nga gabimi njerëzor: kjo është ajo që sugjerohet nga mediat greke, të cilat nënvizojnë, duke cituar sindikatat e sektorit, se si sistemi i kontrollit të trenave funksionon ende manualisht: që do të thotë se trafiku rregullohet me telefon midis drejtuesve të stacionit. Janë ata që japin dritën jeshile për të ecur trenat. Hetimi i koordinuar nga gjyqtari i Larisës, Stamatis Daskalopoulos, sapo ka nisur, por drejtori i stacionit të Larisës është arrestuar me dyshimin për pakujdesi. Gjetjet fillestare duket se treguan se ishte treni i pasagjerëve që u dërgua në rrugën e gabuar.