Kryetari i “Rithemelimit”, Sali Berisha ka komentuar takimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta me ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim. Ishte pikërisht një qytetar në ‘Facebook’ që e pyeti Berishën, ndërsa ky i fundit e cilësoi një takim normal.
“Një takim normal, i një ambasadores së SHBA me një partner të PD”, tha Berisha.
Kujtojmë se dje, Meta tha që takimi fokusohej në një sërë çështjesh të rëndësishme bashkëpunimi mes Partisë së Lirisë dhe SHBA-ve.
“Sot mirëprita në selinë e Partisë së Lirisë Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim. Ishte kënaqësi të diskutonim hapur dhe në mënyrë konstruktive mbi bashkëpunimin e Partisë së Lirisë me SHBA, në interes të forcimit dhe intensifikimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA, përmbushjes të detyrimeve tona si vend anëtar i NATO-s, si dhe reformave prioritare të përshpejtimit të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruante Meta në rrjetet sociale. /Liberale.al